Pas emërimit të Vokrrit si Zv. Ministër, Kurti dyshohet se ka bërë edhe pazare tjera - NACIONALE

Pas emërimit të Vokrrit si Zv. Ministër, Kurti dyshohet se ka bërë edhe pazare tjera

1 vit më parë

nga NACIONALE

Arbër Vokrri, me profesion kardiolog, do të jetë zv. Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal. Por, a fshihet prapa këtij emërimi ndonjë pazar me Kurtin dhe a kishte pazare tjera?

Në fillim të muajit shtator, shefi i kabinetit të kryekuvendarit Konjufca, Ilir Kërçeli, kishte bërë një status tmerrësisht fyes dhe denigrues ndaj deputetes Doarsa Kica Xhelili pasi kjo e fundit braktisi Vetëvendosjen për të dalë në LDK.

“Flm Merrjep!” – kishte shkruar ai.

Merrjep është një platformë online për blerje dhe shitje të gjësendeve. Fyerja e z. Kërçeli rrasej në gjykimet e zakonta patriarkale që i shihnin gratë si gjësende me vlerë.

Ky postim dehumanizues i Kërçelit u bë vetëm disa ditë pasi shefi i tij, Glauk Konjufca, do të dilte në takim me një historian nga Deçani me emrin Shkodran Imeraj. Ky i fundit kishte bërë nam pasi me një zyrë të vogël (dega Ali Hadri) në komunën e vogël prej nga vinte, i dilte kundër çdo institucioni që kërkonte zgjidhje për problemin e Manastirit të Deçanit. Gjykatë Kushtetuese, Ambasadë Amerikane, organizata prestigjioze si EuropaNostra, e kushdo.

Në mënyrë të paprecedent, pas takimit me Konjufcën, historiani nga Deçani harroi Manastirin e Deçanit dhe mori qëndrim radikal ndaj sindikalistëve që po protestonin për kushte më të mira pune. Ai kishte bërë thirrje që Rrahman Jasharaj të arrestohej.

Dhe pak kohë pasi Jasharaj ndërpreu grevën, ai u zhdjerg nga Deçani për t’u bërë hiç më pak se “Bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin e Historisë”.

Megjithëse nuk ka asnjë provë të fortë që tregon se pushteti ka ndërhyrë në përzgjedhjen e tij, kjo mund të ndryshojë.

Por, një rast shumë më i qartë ndodhi dje.

Vokrri

Arbër Vokrri u emërua zv. Ministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

I pari që hodhi dyshime mbi një ‘pazar’ të mundshëm ishte aktivisti i PSD-së, Bardh Ahmeti. Për këtë arsye, kontaktuam z. Ahmeti që të merrnim vesh pak më shumë mbi pretendimet e tij.

“Arbër Vokrri ka qenë prej aktivistëve të parë që ka kandiduar për kryetar të qendrës së Prishtinës. Ai tërhiqet nga kandidatura, sipas tij, pas kërkesës së Albinit në takimin që e kishte me të. Pra, po e shohim Kurtin edhe publikisht duke eliminuar nga gara kandidatë për t'i hap rrugen kandidatëve të tij të preferuar, në këtë rast Arben Vitisë. Fakti që Arbëri bëhet zv.minister pikërisht pas tërheqjes së tij tregon qe tërheqja e tij ishte rezultat i pazarit e jo ndonjë parimi idealist të Arbërit e Kurtit.” – na tha z. Ahmeti.

Arbër Vokrri kishte shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Qendrës së VV-së në Prishtinë në fund të muajit gusht. Por, në fillim të shtatorit ai ishte ftuar në Zyrë të Kryeministrit nga vetë kryeministri Kurti dhe ku kishte zhvilluar një takim prapa dyerve të mbyllura.

Pas takimit, Vokrri kishte deklaruar se me Kurtin ka folur për “gjendjen organizative të subjektit tonë por po ashtu edhe për situatën e përgjithshme në vend. Atij (Albin Kurtit) ia kumtova edhe qëndrimin tim – që e konsideroj si hap më të dobishëm tërheqjen nga kandidimi për kryetar të QPR.”

Megjithëse nënkupton se tërheqja nga kandidatura i është kumtuar kryeministrit në takim, në fakt kjo nuk është e vërtetë për shkak se deri në momentin e takimit ai ka qenë kandidat për kryetar të Qendrës së VV-së në Prishtinë.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe analisti nga Prizreni Fadil Hoxha që ka komentuar si vijon:

“Këta po thonë nuk jemi të pazareve e qartë po shihet pazari. Ky tipi nuk është thjesht aktivist po kandidat për kryetar të partisë në Prishtinë, e që dha dorëheqje para do dite “për të ruajtë unitetin”. Ja paskan premtu pozitën e zv. Ministrit “për me ruajtë unitetin”!”

Nëse pozita e tij e Zv. Ministrit është fituar në po atë takim, megjithatë kjo nuk dihet.

Por, a ka të tjera pazare nga pushteti?

Ja çka na tha Bardh Ahmeti i PSD-së: “Ky lloj pazari nga ana Kurtit nuk është diçka e re. Një nga anëtarët e partisë së Duda Baljes është emëruar këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë pasi partia e saj ka lidhur koalicion me Mytaher Haskukën në Prizren. Rasti i pazarit me Arbër Vokrrin dëshmon praktikë të rregullt të ndëhyrjeve e pazareve. Kushedi edhe sa të tjerë do të dalin gjatë rrugës.”

Lajme të ngjashme