"Zhvillimi i shtetit kërkon më shumë se një individ": Fjalët më të rënda që Kurti i tha sot para VV-së? - NACIONALE

"Zhvillimi i shtetit kërkon më shumë se një individ": Fjalët më të rënda që Kurti i tha sot para VV-së?

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Dikush mund të ketë harruar, por kryeministri i Kosovës është njëkohshëm edhe kryetar i Vetëvendosjes. Si kryeministër e si kryetar partie, ai iu drejtua kësaj here vetëm bashkëpartiakëve në një fjalim që raportohet se mund t’i ketë lënë të rrëqethur disa prej tyre. Çka tha Kurti?

Fjalimi i z. Kurti zgjati gati 30 minuta në Këshillin e Përgjithshëm të partisë, por do të luhet e riluhet shumë e shumë herë në mendjet e disa prej deputetëve dhe zyrtarëve të partisë së tij.

Kurti shprehu tjetër herë zhgënjimin me bashkëpartiakët, ashtu siç kishte shprehur edhe në të kaluarën kur e cilësonte veten si “kryeministër me hillt”.

Zhgënjimi ndaj VV-së

Në një demokraci normale të brendshme, do të pritej që Kurti si kandidat për kryetar partie të provonte që t’i bënte për vete bashkëpartiakët në mënyrë që ta votonin në këmbim. Por, demokracia e brendshme në Vetëvendosje duket se është në “një fazë tjetër”.

Kurti sulmoi punën e bërë apo pabërë nga ana e bashkëpartiakëve, dhe me një çehre të ngrysur tha si vijon:

“Zhvillimi i shtetit të demokracisë tonë kërkon më shumë se një individ, e një grup të njerëzve të cilët besojnë në vlera të demokracisë e progresit shoqëror.”

Por, më pas e formuloi një tjetër fjali që duket të jetë më e shënjestruar.

“Ne besojmë në liri individuale, në barazi gjinore, në drejtësi sociale. Ne besojmë në të drejtat e njeriut,” - u shpreh z. Kurti derisa kritikonte bashkëpartiakët. Në këtë rast, shënjestra duket se ishin deputetët myslimanë të partisë së tij që nuk e votuan Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës përkundër thirrjeve të bëra prej tij.

Kurtivers e kontrovers

Kryeministri Kurti u shfaq edhe kontrovers gjatë fjalimit të tij. Megjithëse kishte garuar me dy prioritete të qarta si “drejtësia dhe punësimi” ai i cilësoi këto dyja si “dy nga prioritetet kryesore”.

“Dy nga prioritetet tona kryesore mbeten puna dhe drejtësia,” - i shpreh Kurti për dy prioritetet që dikur ishin tamam “dy prioritetet kryesore.”

Po ashtu, Kurti u tregua kontrovers edhe me rreshtat në vijim, e të cilit po i paraqesim në mënyrë të ilustruar përmes këtyre dy foto-citateve:

Sukseset

Një pjesë tjetër kontroverse ishte pretendimi i Kurtit se Kosova kishte dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe se ishte kthyer kah proceset euroatlantike e ndërkombëtare, edhe pse ende vendit nuk i ka ardhur asnjë njohje e re.

“Pas një pauze të gjatë të izolimit si pasojë e dijes por edhe e korrupsionit, kemi zgjeruar lidhjet e vendit me botën dhe kemi kthyer Kosovën në proceset euroatlantike dhe ndërkombëtare,” - u shpreh ai.

Sukses tjetër i Qeverisë së tij, sipas Kurtit, del se ishte edhe “strehimi i gazetarëve ukrainas”.

Përveç kësaj, Kurti përmendi sërish renditjen në sundim të ligjit sa i përket World Justice Project (një renditje me të cilën fryhej më herët edhe Kadri Veseli).

Mos flisni palidhje

Kurti kërkoi nga vartësit e tij – edhe pse kohë zgjedhjesh – që të mos flisnin palidhje. Pra, të mos flisnin jashtë interesit të partisë dhe të qeverisë.

Ai tha se ata duhej të “ndjekUn” shembullin e tij.

Në anën tjetër, ai përsëri goditi mediet e vendit duke i lidhur me Vuçiqin dhe Beogradin siç bën zakonisht.

“Jemi dëshmitarë se ka investim në keqinformim dhe në përçarje e çoroditje të opinionit publik. Ka edhe njerëz apo edhe ndonjë kanal në Kosovë që e kanë në interes që më shumë të besohet një lajm me origjinë nga Beogradi, se sa lajmi me origjinë nga Prishtina,” - u shpreh Kurti pa ofruar asnjë provë.

Por, ai iu kthye sulmeve ndaj bashkëpartiakëve përsëri – edhe pse fushatë zgjedhore në parti – duke i akuzuar disa prej tyre për “egoizëm” e “karrierizëm”.

Egoizmat, karrierizmat edhe në Vetëvendosje por edhe në raport me shtetin, qeverinë e Kuvendin, nuk janë mënyra për të ecur përpara. Na duhet punë ekipore ku ata që e marrin një detyrë nuk përçajnë grupin.”

Ai kritikoi specifikisht edhe ministrat dhe zv. Ministrat e tij duke kërkuar që të dilnin më shpesh në terren. Po ashtu, Kurti theksoi që fakti që deri tash nuk kishte larguar ndonjë ministër ishte për arsyen se “kishte pasur probleme të tjera.”

“Nuk kemi dashur të merremi me zëvendësim ministrash sepse kemi pasur probleme tjera.” – tha z. Kurti.

Lajme të ngjashme