VV tenton të manipulojë me bllokadën e vitit 2014: PDK ia kujton Aktgjykimin e vitit 2025
Lëvizja Vetëvendosje po tenton t’i arsyetojë veprimet e kryetarit të saj, Albin Kurtit, i cili nuk e ka propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke e krahasuar situatën aktuale me bllokadën e vitit 2014 në këtë institucion. Megjithatë, ky subjekt ka marrë përgjigje nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ia ka kujtuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025.
Deputetë të partisë që ka dalë e para në zgjedhjet e 7 qershorit dhe e cila nuk po e konstituon Kuvendin, ani pse i ka votat e nevojshme, po tentojnë të rikthejnë në vëmendje bllokadën e vitit 2014.
Vigan Qorrolli, në një shkrim në Facebook, u ka bërë thirrje PDK-së dhe AAK-së “t’i thërrasin mendjes”, derisa këto parti po kërkojnë mbajtjen e seancës.
“E rikujtoj per opinion qe znj. Brovina ka qene deputete e PDK dhe kryesuese e seances konstituive si deputetja me e vjeter e asaj legjislature. Madje deputetja e asokohshme ia rikujton kete fakt, pikerisht AAK'se!”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, deputetja Shqipe Selimi i ka quajtur deputetët “gardianë” të Kushtetutës, duke pretenduar se PDK-ja “e bllokonte” Kuvendin në atë kohë.
“E njëjta Kushtetutë ishte edhe në vitin 2014, kur për 183 ditë (6 muaj) PDK-ja nuk thërriste seancë pa marrëveshje. PDK-ja, përmes deputetes më të vjetër, e bllokonte Kuvendin.
Sot na duhet vullnet politik dhe marrëveshje e të gjitha palëve për funksionalizimin e institucioneve”, ka thënë ajo.
Megjithatë, nga PDK-ja kanë reaguar duke përmendur Aktgjykimin e vitit 2025, i cili thotë se Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin brenda afatit 30-ditor.
“Ky aktgjykim është nxjerrë më 26 qershor 2025 dhe ka përcaktuar qartë se afati 30-ditor nuk është afat vetëm për ta filluar seancën konstituive, por afat brenda të cilit Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin e tij, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve.
Madje, ky interpretim nuk ekzistonte as gjatë fazës së parë të bllokadës së vitit 2025, deri në nxjerrjen e Aktgjykimit KO124/25. Pas 26 qershorit 2025, situata juridike ndryshoi, Gjykata Kushtetuese e dha interpretimin përfundimtar dhe detyrues të kësaj çështje”, ka thënë deputeti Përparim Gruda.
Ndërkaq, deputeti Artan Behrami ka rikujtuar se në vitin 2014 Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranonte rezultatin zgjedhor.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka paraqitur “dallimet” mes zgjedhjeve të vitit 2014 dhe atyre të këtij viti.
“1. Në vitin 2014, VV-ja nuk e kishte pranuar rezultatin zgjedhor.
2. PDK-ja e pranon rezultatin zgjedhor të vitit 2026.
3. Në 2026, VV-ja i ka votat e mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
4. Në vitin 2014, PDK-ja nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta formuar Qeverinë.
5. Në këto zgjedhje e kemi aktgjykimin e vitit 2025 të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, afat mandator, pra jo të fillojë konstituimi, por të përfundojë.
6. Në zgjedhjet e vitit 2014, nuk kemi pasur një vendim të qartësuar nga Gjykata Kushtetuese.
7. Në vitin 2014, PDK-ja e kishte filluar seancën konstituive brenda afatit kushtetues dhe nuk kishte qartësi kushtetuese si tani në vitin 2026.
8. Në këto zgjedhje, partia fituese simulon dialogun.
9. Në zgjedhjet e vitit 2014, PDK-ja kishte kërkuar dialog real, por ishte bojkotuar nga blloku opozitar.
10. Bllokues keni qenë në 2014. Bllokues jeni edhe në vitin 2026”, ka shkruar ai.