Europa Nostra s'e përfill Liburn Aliun, refuzon kërkimfaljen e dëmshpërmblimet dhe kritikon sërish Kosovën - NACIONALE

Europa Nostra s'e përfill Liburn Aliun, refuzon kërkimfaljen e dëmshpërmblimet dhe kritikon sërish Kosovën

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Organizata prestigjioze për trashëgimi kulturore, Europa Nostra, ka lëshuar një komunikatë ku përshkruan vizitën katër-ditore të delegacionit të saj të lartë në Kosovë. Prej asaj del se kërkesat e Liburn Aliut jo vetëm që s'u përfillën, por madje Kosova u qortua sërish.

Në takimin e përbashkët të ministrit Liburn Aliu dhe kolegut të tij Hajrulla Çeku me delegacionin e Europa Nostras u raportua të ketë pasur mospajtime të thella në lidhje me vendosjen e Manastirit të Deçanit në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë.

Ministri Aliu kishte qenë i ashpër Europa Nostran duke i kërkuar edhe pagesë të kompensimit për prishjen e reputacionit të Kosovës, por edhe kishte kërkuar kërkim-falje prej tyre.

Fatkeqësisht, duket se Europa Nostra nuk do të kërkojë falje bazuar në komunikatën që ka ardhur në redaksinë e gazetës Nacionale.

“Çështja kryesore e diskutuar me bashkëbiseduesit ishte përfshirja e Manastirit të Shekullit 14 të Deçanit në Listën e vitit 2021 në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë dhe opsionet për ta përmirësuar situatën. Një vit pas publikimit të kësaj liste, arsyeja kryesore e përfshirjes mbetet ende valide. Së pari, asnjë zgjidhje përfundimtare nuk është arritur nga të gjitha palët sa i përket pasojave të shkaktuar nga planet për të rritur trafikun brenda dhe përreth Zonës së Mbrojtur të Veçantë të Manastirit të Deçanit, e as sa i përket intervenimeve tjera të njoftuara... që negativisht do të afetkonin ambientin natyror të Manastirit, i cili konsiderohet si pjesë integrale e vlerave të jashtëzakonshme të trashëgimisë. Së dyti, vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarët e tokës edhe më tej nuk është zbatuar...E treta, për shkak të sfidave komplekse të sigurisë, Manastirit i vyen mbrojtje e KFOR-it për 24 orë, siç është konfirmuar edhe nga komandanti i KFOR-it.” – shkruan Europa Nostra mes tjerash në reagimin e saj.

Pra, me fjalë të tjera Europa Nostra vazhdon ta mbrojë me fanatizëm vendimin e saj për të dobësuar ndjeshëm imazhin e Kosovës.

Kjo çështje pritet të ketë pasoja të rënda mbi Kosovën edhe në dialogun e Kosovës me Serbinë në Bruksel, ku çështjet ndër-etnike konsiderohen prioritare.

Europa Nostra ka përmendur edhe ministrin Aliu në komunikatën e lëshuar, ku përmendim “mohimet e forta” nga ana e tij për vendimin e marrë nga organizata vitin e kaluar.

Në anën tjetër, është dhënë edhe fjala e shefit të delegacionit që vizitoi Kosovën, z. Guy Clause – Zëvendës-President i Europa Nostras.

“Ne kemi besim që me kalimin e kohës do të luajmë rol pozitiv edhe në rastin e Manastirit Serb të Deçanit me kontributin vital të të gjitha autoriteteve lokale dhe Evropiane. Në këtë formë, së bashku duhet të kontribuojmë në përmirësimin e vlerave të përbashkëta evropiane dhe trashëgimisë së përbashkët si vektor të paqes dhe prosperitetit në Kosovë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.”

Kësaj organizate vitin e kaluar i kishin shkuar edhe dy letra tjera nga institucionet e Republikës së Kosovës. Në të parën, ishte kryeministri i Kosovës Albin Kurti që iu shkruante së bashku me presidenten Vjosa Osmani. Në të dytën, ishte ministrja e Jashtme Donika Gërvalla së bashku me ministrin Hajrulla Çeku. Që të dyja letrat shprehnin kundërshtinë për vendimin.

Prej të gjithë të lartpërmendurve në paragrafin e mësipërm, vetëm Çeku ishte në Kosovë për të pritur delegacionin në fjalë.

Lajme të ngjashme