Kosova legalizoi dokumentet që i lëshojnë institucionet paralele serbe? - NACIONALE

Kosova legalizoi dokumentet që i lëshojnë institucionet paralele serbe?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas lajmërimit se ishte arritur marrëveshja e 27 gushtit, Vetëvendosje u ngut të ‘shpallte fitore’ për kryeministrin Kurti dhe për “frymën e Reciprocitetit” sa i përket dokumenteve identifikuese. Por, një problem futet në mes: letërnjoftimet e lëshuara nga institucionet paralele serbe.

Qytetarët me dokumente të Kosovës nuk do të obligohen të kenë fletën përcjellëse me vulë nga Serbia kur të futen në vendkalimet kufitare të këtij shteti.

Megjithatë, duket se ‘lehtësim’ të madh do të kenë edhe qytetarët serbë me vendbanim në Kosovë që nuk zgjedhin të marrin shtetësinë e Kosovës por pajisen me dokumente identifikimi nga institucionet paralele në Republikën e Serbisë.

Marrëveshja me të cilën Kurti e Vuçiq janë pajtuar është e formës verbale dhe nuk është botuar ende, por megjithatë detaje të reja po dalin ditë pas dite

Analistja serbe Milica Andric Rakiq, në një koment të bërë në Twitter gjatë ditës së djeshme, ka deklaruar se “Marrëveshja e re i jep fundit diskriminimit” të qytetarëve me letërnjoftime serbe.

Për vite me radhë, lëvizja e serbëve të Kosovës me letërnjoftime serbe mes Kosovës dhe Serbisë ishte e kufizuar në pak vend-kalime kufitare. Kjo është pavarësisht të drejtës tonë për nënshtetësi serbe që na garantohet nga ligjet e Kosovës,” - shkruante znj. Andric Rakic.

Edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka përmendur të njëjtën çështje si një “sukses të Serbisë”. Ai shtonte se ishin ruajtur dokumentet identifikuese serbe.

Ndërkohë, edhe DW në një raportim të publikuar sot deklaronte që “megjithëse konfiskimi i dokumenteve është pezulluar, letërnjoftimet serbe të qytetarëve që jetojnë në Kosovë konsiderohen ilegale.”

Edita Tahiri kishte marrë vendim në dhjetorin e vitit 2015 që të ndalonte “përdorimin e letërnjoftimeve të institucioneve paralele”. Ky vendim ishte pezulluar, por siç raporton DW “praktika kishte mbetur”.

Një gjë të tillë e kishin potencuar edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, z. Petar Petkoviq.

Se praktika e konsiderimit si ilegale të dokumenteve serbe e dëshmon edhe numri i madh i serbëve të vendit që janë pajisuar me dokumente të Republikës së Kosovës. Sipas profesorit amerikan Edward P. Joseph, rreth 90% e serbëve të vendit kishin dokumente identifikuese të Kosovës.

Por, a u legalizuan dokumentet identifikuese të institucioneve paralele?

Nacionale ka biseduar me aktivistë dhe politikanë serbë të Kosovës për të marrë vesh më shumë në lidhje me dokumentet identifikuese serbe që lëshohen nga institucionet paralele të Serbisë.

Këto dokumente udhëtimi lëshohen në Rashkë të Serbisë por vlejnë për qytete brenda territorit të Republikës së Kosovës që shteti serb i konsideron si të sajat: Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Rahovec etj.

DW ka raportuar se këto dokumente tashmë janë pranuar si legjitime nga Kosova, ndërkohë që Nacionale ka dërguar pyetje në Qeveri dhe Vetëvendosje për të kuptuar më shumë në lidhje me rastin.

Megjithatë, marrëveshja është gojore dhe kjo e vështirëson të kuptuarit e qartë të marrëveshjes.

Por, megjithëse marrëveshja është orale, Millosh Hrnjaz – politolog – ka thënë se ajo mund të jetë ligjërisht e obligueshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Nacionale do t'ju mbajë të informuar sapo të marrë informacione të reja nga institucionet prej të cilave pret përgjigje.

Lajme të ngjashme