Marrëveshja e letërnjoftimeve dhe propaganda
E kam mbështetur marrëveshjen e qershorit për energjinë - megjithëse në atë kohë nuk e dija huqjen spektakolare të kryenegociatorit Besnik Bislimi - dhe e mbështes edhe marrëveshjen e djeshme për dokumentet e udhëtimit! Por, duhet ta sfidojmë propagandën e njerëzve të padijshëm!
Para disa muajve, gjatë një debati me nja dy gazetarë shumë të informuar, e nxjerra një reagim tepër të fortë të tronditjes dhe mosbesimit prej tyre me një fakt krejt të rëndomtë! Asnjëri nuk mund ta besonte që serbët e Kosovës – edhe nëse kishin pasaporta serbe – e vuanin regjimin e vizave njësoj si shqiptarët e Kosovës. Për ata që mund të mos e dinë, Serbia ka liberalizim të vizave dhe natyrisht që serbët nga Beogradi e Nishi e Rashka mund të udhëtojnë kah të duan nëpër Evropë. Por, jo edhe serbët e Kosovës! Kjo për shkak të një rregulloreje që Serbia ishte detyruar ta lëshonte në vitin 2009!
Unë jam i bindur që shumica e qytetarëve të Kosovës nuk ka pasë kurrfarë njohurish as për ekzistencën e marrëveshjes së vitit 2011 për lëvizje të lirë, e as për marrëveshjet për energjinë të viteve 2013 dhe 2015! Po ashtu, nuk kanë dëgjuar asnjëherë as për historinë e reciprocitetit ndaj Serbisë para kohës së Albin Kurtit.
Por, të gjitha këto kanë ekzistuar dhe ajo çka po ndodh këtu është operimi i njerëzve me të ashtuquajturat “fakte alternative”. Pra, ky realitet ka ekzistuar por ne duhet të bëhemi sikur nuk ka ekzistuar, e madje të mos marrim mundim as ta mësojmë! Albin Kurti ka shkelur të gjitha qëndrimet e tij kryesore, por ne duhet të bëhemi herë sikur nuk i ka shkelur, e herë sikur ato qëndrime s’kanë ekzistuar kurrë! E gjithë kjo, për shkak se na duhet të përshtatemi përditshëm në bazë të atij që ka pushtetin e fjalës, njeriut tepër të padijshëm!
Marrëveshja për dokumentet e udhëtimit thjesht heq dokumentet përcjellëse hyrëse-dalëse nga përdorimi! Është gjë e mirë për aq sa lehtëson jetën e qytetarëve, por kaq! Serbia ka njohur letërnjoftimet e Republikës së Kosovës prej vitit 2011! Ishte lajm i rremë çdo titull i djeshëm se “Serbia njeh dokumentet e Kosovës”! Vartësit e Kurtit po e përmendin reciprocitetin në dokumente përcjellëse duke harruar premtimin për reciprocitet të plotë tregtar, politik dhe ekonomik. Vartësit e Vuçiqit po thonë që u ruajtën dokumentet serbe të lëshuara prej tyre! Por, të dyja palët përzgjedhin të vërtetat që duan të çojnë përpara, duke prodhuar rrjedhimisht rrena që i hanë edhe plot njerëz të lodhur me procesin!
Rrena e Vuçiqit është e qartë, sepse askush nuk kishte rrezikuar këto dokumente përveç vetë Serbisë! 90 për qind e serbëve të Kosovës kanë dokumente udhëtimi të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, 10 përqindëshi i mbetur ankohet që s’po mund të pajisjet (pra, jo që nuk dëshiron) për shkak të procedurave të panevojshme burokratike nga institucionet e Kosovës. Problemet e serbëve me dokumentet që i lëshon Serbia janë të shumta, dhe për një gjë të tillë ankesat janë publike për ata që duan të dëgjojnë!
Rrena e Kurtit ndërkohë, është po ashtu e qartë sepse reciprociteti si i pjesshëm ashtu-kështu ekzistonte. Edhe nëse Serbia i pranon letërnjoftimet e Kosovës kjo s’do të ketë kurrfarë rëndësie domethënëse përtej Facebook-ut! Realiteti përsëri do të jetë aty, matanë Facebook-ut, në kërkim që të mësohet e pranohet nga propaganduesit që s’duan t’ia dinë!
Nëse një qytetar i Kosovës nuk dëshiron të bëhet instrument propagande, i përdorshëm për qëllime krejtësisht të ulëta, atëherë krejt çka duhet të bëjë është të lexojë për procesin dhe të informohet duke dalë ngapak prej zonës së rehatisë!


