EPILOGU I NJË EKSPERIMENTI TË (PA)DREJTËSISË
Shkruan: Agom Maliqi
Shpjegimin më bindës deri më tani mbi prapavijën politike të krijimit të Gjykatës Speciale e ka dhënë para disa javësh Jason Steinbaum - shefi shumëvjeçar i stafit të Eliot Engel - i cili ka qenë në pozitë për ta pasur këtë informacion. Steinbaum e ndërlidh presionin amerikan për gjykatën me negociatat e atëhershme në mes të SHBA dhe Iranit për armët bërthamore, që ishin prioriteti numër një i administratës Obama.
Për ta arritur këtë marrëveshje nevojitej mbështetja e Rusisë, e cila si aleate e Iranit, në këmbim ua kishte vendosur amerikanëve një varg kushtesh, në mesin e të cilave ishte edhe adresimi nga një tribunal ndërkombëtar i raportit të Dick Marty, të cilat SHBA deri atëherë nuk i merrte si kredibile. Ka përputhshmëri edhe të datave: marrëveshja SHBA-Iran u negociua rreth 2 vite dhe u arrit në korrik 2015. Ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për Specialen pas shumë presionesh u miratuan në Kosovë në gusht 2015.
Kosova me gjasë ra viktimë e një pazari ndërkombëtar siç u ndodh shpesh shteteve të vogla. Por si kompromis SHBA-të insistuan që të paktën kjo gykatë të krijohej si kosovare dhe perëndimore, e jo nën ombrellën e OKB, me pasoja juridike për shtetësinë dhe integritetin e procesit. Por, duke qenë kjo pjesë e marrëveshjes me Rusinë, dështimi i Kosovës për ta krijuar gjykatën vet do ta aktivizonte skenarin e OKB. Fakt ky të cilin kundërshtuesit e atëhershëm të krijimit të gjykatës e injorojnë me pretendime se mund të shmangej.
Marrëveshjen SHBA-Iran e zhbëri Trump në mandatin e parë, por realiteti i ri juridik e mori jetën e vet me prokurorë ambiciozë dhe me motive të tjera gjeopolitike në prapaskenë. Pas disa ditësh do ta shohim rezultatin e këtij eksperimenti të drejtësisë ndërkombëtare prej disa miliarda dollarësh.
Pasi e kam ndjekur me vëmendje rastin dhe me aq sa e kuptoj logjikën juridike, jam i bindur se prokuroria, për ta arsyetuar ekzistencën e saj, mbi një punë voluminoze për dokumentim krimesh të shpërndara në kohë dhe hapësirë, e ka ndërtuar një rast të dobët ndaj të akuzuarve dhe ka prodhuar padrejtësi të dyfishtë ndaj viktimave të rrethanave kaotike të luftës - të cilat nuk i ka mohuar as mbrojtja - duke e vendosur adresën e përgjegjësisë për çdo qerim lokal hesapesh në çdo katun të Kosovës në nivel politik te Shtabi i Përgjithshëm. Pra e ka prodhuar një aktakuzë të bazuar në “zinxhir komandues” jashtë kontekstit dhe realitetit të veprimit të UÇK-së, për raste që duheshin trajtuar nga gjykata lokale. Ç’është më e keqja, e ka ndërtuar një narracion kriminalizues ndaj motiveve të luftës çlirimtare, të mbështetur eventualisht edhe nga NATO, për më tepër duke i marrë për bazë edhe të dhënat nga regjimi gjenocial i Milosheviqit.
Kur të mërkurën të hyjnë në sallë amerikani, gjermani dhe zvicerani, ky nuk do të jetë fillimi i një batute, por i një momenti historik me pasoja tektonike për shtetin, ku gjykohet jo vetëm e shkuara por edhe e sotmja dhe e ardhmja.