Hamza: Atyre që e marrin vendimin u themi, mendoni për pasojat para se të vendosni me 16 shtator - NACIONALE

Hamza: Atyre që e marrin vendimin u themi, mendoni për pasojat para se të vendosni me 16 shtator

6 ditë më parë

nga NACIONALE

E përditësuar: Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, para mijëra qytetarëve në “Marshin për Liri”, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, tha se Kosova kujton, nderon dhe mbron sakrificën e UÇK-së.

Hamza tha se vendimi që do të lexohet në Hagë më 16 shtator do të ndjehet nga afër nga familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, nënat që ende mbajnë dhimbjet e luftës dhe fëmijët që u rritën pa baba.

“Sot në këtë shesh të Prishtinës nuk po shoh vetëm mijëra qytetarë, po e shoh Kosovën, po i shoh njerëzit që e kanë mbajtur Kosovën gjallë në ditët më të vështira, po i shoh njerëzit familjet që kanë paguar çmimin e lartë për lirinë. Po i shoh veteranët që në trupin e tyre i kanë plagët e luftës, po i shoh njerëzit dhe po e shoh një brez të tërë që nuk e mori lirinë si dhuratë. Sot nuk kemi ardhur këtu për të marshuar, kemi ardhur për të dëshmuar se Kosova kujton, nderon dhe mbron UÇK-në.

Kemi ardhur për të thënë, Kosova po pret, po e pret drejtësinë edhe 3 ditë e pak orë, vetëm edhe 3 ditë e pak orë janë deri me 16 shtator, deri te vendimi që do të lexohet në Hagë. Një vendim që në Kosovë jo vetëm do të dëgjohet, por edhe do të ndjehet, do ta ndjejnë familjet e dëshmorëve, do ta ndjejnë nga veteranët e UÇK-së, do ta ndjejnë nënat që në zemrat e tyre ende mbajnë dhimbjet e luftës, nga famijët që u rritën pa baballarët e tyre. Andaj, atyre që e marrin vendimin u themi, mendoni për pasojat para se të vendosni me 16 shtator”, tha ai.

E përditësuar: Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka mbajtur fjalimin e tij në Marshin e Lirisë.

Ai ka thënë se ish-krerëve të UÇK-së duhet t’u thuhet “Faleminderit për shërbimin”.

“A e dini kundër kujt kanë luftu? Kundër atyre që i kanë mbushë kamionët, frigoriferët me trupa të bashkëqytetarëve tanë, shqiptarëve, djem e vajza të reja, pleq e gra. Kundër atyne që dhunuan me mijëra gra, por kanë luftu kundër atyre që më 14 dhjetor 1998 i kanë vra fëmijët e vet për me na akuzu neve.

E qysh mujnë me pasë faj, qysh mundet me pasë faj një popull, njerëzit që e kanë kapë pushkën për liri kundër atyre që kanë qenë katilët më të mëdhenj në vitet e fundit në Evropë.

DUhet me i thënë do fjalë sot. Këta njerëz, kushdo që e ka kapë pushkën me luftu për vendin e vet, e Meriton me e ngritë kapelën secili dhe me iu thënë “Faleminderit për shërbimin”, e jo me i persekutu. Boll ma, gjatë ka shku. Vëllëzër, motra shqiptarë, UÇK.

Keni me i pritë edhe tri ditë e 19 orë, por një gjë mos e harroni, poshtërsia më e madhe është që ata që kanë kry krime, kanë bërë sherrin, i akuzojnë ata. Kurrë kërkush nuk ka me mbrri me e ndotë tregimin tonë për liri”, tha ai.

Në Prishtinë sheshet janë mbushur plotë me qytetarë që kanë dalë në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Marshin për Liri.

Organizatorët në mënyrë simbolike i shpallën të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së.

“Sa herë janë mundue me e ligshtue, UÇK’ja është rikthyer si feniksi”

“Çlirimtarët kthehen të fundit nga beteja”.

“Në mënyrë simbolike i shpallim të pafajshëm”, ka thënë Tasholli

Lajmi në përditësim...

Lajme të ngjashme