Intervistë | Krasniqi: Kurtit iu deshën 10 vite për ta kuptuar dialogun si interes nacional
Analisti politik Albert Krasniqi ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje në qeveri po del kundër qëndrimeve që ka pasur për dialogun me Serbinë kur ka qenë në opozitë.
Ai ka thënë se kësaj partie dhe kryeministrit Albin Kurti iu deshën më shumë se dhjetë vite për ta kuptuar që dialogu është interes nacional, jo imponim ndërkombëtar.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Krasniqi ka deklaruar se deri me tani Kosova ka humbur gjithë këtë kohë dhe ka krijuar gjithë atë polarizim shoqëror, për diçka që tani po pajtohemi të gjithë.
Sipas Krasniqit, me nënshkrimi e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energji, Kurti ka treguar se nuk është i aftë për marrëveshje më të mira sesa ato që kishin arritur paraardhësit e tij.
Nacionale:
Z. Krasniqi, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë. Si e keni parë këtë ujdi?
Krasniqi:
Pothuajse si çdo marrëveshje tjetër me Serbinë, i ka të mirat e saj në aspektin praktik, dhe të këqijat që gjithmonë tentojnë të legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe pamundësojnë shtrirjen e plotë dhe uniforme të sovraniteti të Kosovës në veri.
E mira nga zbatimi i marrëveshjes për energji është se do të mundësoi inkasimin e parave të shpenzuara për energji elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Rreth 20 milionë euro janë paguar çdo vit për të mbuluar këto shpenzimet të papaguara, para që do të mund të investoheshin në zhvillim ekonomik të vendit. Është e paimagjinueshme të mendohet që dikush nuk paguan për shpenzim të njërit prej produkteve më të shtrenjta në treg.
E keqja nga zbatimi i kësaj marrëveshje është se del kundër parimit të tregut të lirë, pasi i mundëson vetëm një kompanie që imponohet nga Serbia të marrë licencën për operim. Kësisoj, pjesa veriore e vendit vetëm sa po plotësohet më shumë me të gjitha atributet që i duhen një entiteti të veçantë. Krahas veçimit që e ka në zgjedhjen e komandantit të policisë, gjykatës së apelit, shkollimit universitar, shëndetësisë dytësore, e tash edhe energjisë.
Nacionale:
Kjo është ujdia e parë që Qeveria Kurti bën me Serbinë. Partia në pushtet, LV-ja, sa ishte në opozitë e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje, duke thënë se me të po legalizohet ndërhyrja e Serbisë në Kosovë. Çfarë do të thotë pranimi i kësaj marrëveshje për këtë subjekt politik dhe Albin Kurtin?
Krasniqi:
Lëvizja Vetëvendosje në qeveri po del kundër Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë. Kur Albin Kurti përfundon duke i mbrojtur marrëveshjet e “klasës së vjetër politike”, ashtu siç i quante ai, tregon që gjatë kohës sa ishte në opozitë, kishte vendosur interesin personal për pushtet mbi interesin e përgjithshëm shoqëror; kurse gjatë kohës sa është në pushtet, nuk është i aftë për marrëveshje më të mira sesa ato që kishin arritur paraardhësit e tij.
Nacionale:
Opozita kërkoi nga kryeministri Kurti që të sqarohet para qytetarëve dhe të tregoi, nëse ka qenë gabim atëherë kur ka kundërshtuar këtë marrëveshje, apo e ka gabim tash që ka pranuar marrëveshjen. Duhet ta bëj këtë z. Kurti?
Krasniqi:
Opozita po ndjenë që LVV i ka grabitur pushtetin nga duart mbi premtime të rrejshme. Prandaj po shohim një kujdestari rigoroze mbi Kryeministrin Kurti për atë çfarë ka thënë në opozitë dhe çfarë po bënë në pushtet. Në raport me opozitën, z. Kurti nuk ka asnjë obligim të jap shpjegime për këtë ndryshim të qëndrimeve. Nëse marrëveshjet paskan qenë të mira, dhe z. Kurti i ka bindur qytetarët që janë të dëmshme, kjo fletë më shumë për paaftësinë e pushteteve të kaluara për të komunikuar me qytetarët. LV-së dhe z. Kurtit shpjegime mund t'i kërkojnë vetëm votuesit e tyre. Është gabim nëse mendohet se LV do të dëmtohet elektoralisht duke e akuzuar se pse po zbaton një marrëveshje që e kanë nënshkruar vet. E tëra çfarë duhet t’i interesoj opozitës së sotme është nëse Kryeministri Kurti po i kryen detyrat e tij në raport me interesin e Kosovës dhe obligimet ndërkombëtare.
Në fund të fundit, LV nuk është votuar pse ka qenë kundër dialogut, por për luftën kundër korrupsionit dhe drejtësinë në punësim. Në të dytën ka dështuar. Në të parën, ka dhënë shenjat e para që nuk është imune. Rasti “Daja” në Ministrinë e Ambientit dhe Infrastrukturës nuk u shfrytëzua nga opozita. Korrupsion nuk është vetëm nëse merr direkt para, por edhe nëse lejon që rrethi yt i ngushtë të korruptohet pasi u shërben qëllimeve të tua politike. Ndërsa nëse nuk je i aftë ta luftosh korrupsionin brenda qarqeve tua të ngushta, atëherë si mund ta luftosh më gjerë në tërë sistemin shtetëror.
Nacionale:
Sa mund të merret si sinjal kjo marrëveshje se kryeministri Kurti ka ndryshuar qasje ndaj procesin të dialogut të Brukselit, të cilin e kishte kundërshtuar aq shumë?
Krasniqi:
Natyrisht që kjo përbën një ndryshim drastik të asaj çfarë LV-ja kishte proklamuar gjatë kohës sa ishte në opozitë, dhe është thyerje e parimeve të saja karshi dialogut me Serbinë. E para, ka pranuar të negocioi me Serbinë duke dal kundër parimeve të saja identitare të prezantuara nën parullën “Jo Negociata, Vetëvendosje”; E dyta, ka pranuar të bisedoi me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës; E treta, ka pranuar ta zbatoi pa i ndryshuar as presjen, njërën prej marrëveshjeve që e kishte kundërshtuar më së forti, pasi pretendonte që cenon sovranitetin e vendit.
Nacionale:
Cili pritet të jetë ndikimi i këtij pajtimi në rrjedhën e procesit të Brukselit?
Krasniqi:
Nënshkrimi i udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një hap të rëndësishëm në zhbllokimin e procesit të dialogut. Nga Marrëveshja e Uashingtonit në 2020, Kosova dhe Serbia nuk janë pajtuar më për asgjë. Përkundër që udhërrëfyesi nuk është marrëveshje e re, por vetëm vendosje e afateve për të zbatuar ato pjesë të marrëveshjes së pazbatuar nga viti 2013, kjo është edhe hera e parë që një qeveri e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje bije në ujdi me Serbinë.
LV-së iu deshën më shumë se dhjetë vite për ta kuptuar që dialogu është në interes nacional, jo imponim ndërkombëtar. Diçka që të tjerët e kishin kuptuar qysh në fillim. Praktikisht e kemi humbur gjithë këtë kohë, e kemi krijuar gjithë atë polarizim shoqëror, për diçka që tani po pajtohemi të gjithë, pa i ndryshuar asgjë.
Nacionale:
Përfaqësuesit e Serbisë dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës konstatuan se zbatimi i kësaj marrëveshje hap rrugën edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sa është e mundshme një gjë e tillë?
Krasniqi:
Ndryshimi i qëndrimeve të LV-së në dialog ka krijuar pasiguri tek njerëzit për atë se çfarë është në gjendje të pranoi. Prej qëndrimit që nuk bisedojmë fare me Serbinë gjatë kohës sa ishte në opozitë, pastaj në fushatë zgjedhore duke e pranuar dialogun, por vetëm si prioritet të shtatë, dhe tash duke arritur marrëveshje. Veçimi që po i bëhet komunave me shumicë serbe nga pjesa tjetër e vendit në të gjitha fushat vitale të organizimit shoqëror, krijim i asociacionit është pastaj vetëm formalizim.
Nacionale:
Cila duhet të jetë qasja e Kosovës në raport me formimin e Asociacionit?
Krasniqi:
Kosova tashmë ka marrë obligim ndërkombëtar të themeloi asociacionin, dhe themelimi i asociacioneve të komunave nuk ndalohet as me kornizën ligjore të vendit. Kosova as nuk ka pse të pengoi themelimin e asociacionit që është në përputhje me Kushtetutën. Marrëveshje për themelimin e asociacionit, me gjithë të këqija, ka një pikë të mirë të cilën duhet ta theksojmë vazhdimisht, që asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata Kushtetuese e ka thënë të vetën për këtë marrëveshje. Nuk kemi pse të ndryshojmë Kushtetutën për të akomoduar marrëveshjen. Duhet të ndryshoj marrëveshja për të respektuar Kushtetutën.
Nacionale:
Me agresionin rus në Ukrainë kanë ndryshuar shumë rrethana në rrafshin ndërkombëtar, a duhet që edhe Kosova t'i ndryshoj kërkesat në raport me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë?
Krasniqi:
Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën vetëm sa e konfirmon më shumë rëndësinë e arritjes sa më të shpejtë të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Ne nuk guxojmë të mbesim konflikt i ngrirë, pasi rrethanat gjeopolitike mund të ndryshojnë në çdo moment dhe të dalin në disfavorin tonë. Synimi jonë në dialog duhet të jetë marrja e njohjes nga pesë vendet mos njohëse të Bashkimit Evropian.