Marrëveshja për Energjinë: Pse duhet ta përkrahim Albin Kurtin? - NACIONALE

Marrëveshja për Energjinë: Pse duhet ta përkrahim Albin Kurtin?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Shkruan: Jetlir Buja

Gjithnjë kam qenë kundër nacionalizmit helmues etnik. Pavarësisht se kush e shtynte përpara dhe pavarësisht se në çfarë rrethanash. Prandaj, Albin Kurti meriton të përkrahet në ecjen që po bën në dialogun me Serbinë.

Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë të nënshkruara nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa përbën një tjetër qëndrim të shkelur të kryeministrit Kurti. Nuk ka asnjë dyshim! Ai duhet të kërkojë falje dhe të ofrojë shpjegime të qarta për krejt qëndrimet kryesore të ndërruara me kalimin e viteve.

Por, të quhet kjo “tradhti” (në një shkrim ku në fund e vendoste një fusnotë pa vend) siç bëri një gazetar i çuditshëm me emrin Baton Haxhiu, është e papranueshme! Po flasim për të njëjtin gazetar që kërkonte të faleshin të gjitha krimet e luftës, nga Serbia e Kosova, në mënyrë që të ecej përpara. Në fakt, falja e krimeve të luftës është ekzaktësisht e kundërta e ecjes para sepse përforcon brutalitetin e mbivendosjes shtypëse të pozicionit të deritashëm të politikës, dialogut dhe vetë ecjes ku qytetari i thjeshtë s’pyetet për asgjë, madje edhe nëse i minohet e ardhmja apo i pamundësohet drejtësia për të kaluarën.

Pra, të shpërfillësh krejtësisht qytetarët poshtë (siç bën Baton Haxhiu) ka qenë udhërrëfyesi i vazhdueshëm në dialog tash e njëmbëdhjetë vjet. Përbrenda këtij narracioni, si një ndër protagonistët kryesorë, ishte edhe Kurti. Dinjiteti i Republikës projektohej i lidhur nyje me sjelljen tonë në dialogun me Serbinë dhe jo me dinjitetin e qytetarëve të thjeshtë. Edhe pse ky dinjitet ishte krejtësisht imagjinar meqë dështoi të materializohej vazhdimisht e vazhdimisht. E ndërkohë që edhe pse imagjinar, nuk rreshte së ndrydhuri e luftuari dinjitetin e secilit qytetar serb e shqiptar në Kosovë.

Shumica e shohin të lidhur dinjitetin e shtetit me atë të qytetarit. Kjo nuk qëndron dhe nuk mund të qëndrojë në rrethanën tonë. Çdo hap përpara i bërë nga Kosova dhe Serbia është bërë duke pasur ndërmend pikërisht fatin e këtyre njerëzve të thjeshtë, lehtësimin e jetës së tyre dhe dinjitetin e tyre si njerëz. Në anën tjetër, çdo bllokadë e bërë nga Kosova dhe Serbia është bërë duke pasur ndërmend fatin e asaj imagjinate, krenaritë patetike identitare të lënduara. Pse, ta zëmë, asnjëherë nuk vendosej kjo imagjinatë për krenaritë etnike në ikjen e vazhdueshme të qytetarëve nga vendi i tyre? Përgjigja është e thjeshtë: sepse nacionalizmi etnik prodhon rrëfime mashtruese.

Pra, edhe zbatimi i marrëveshjeve për energjinë do ta lehtësojë jetën e qytetarëve serbë e shqiptarë. Serbët e veriut do të paguajnë faturat e rrymës duke u konsideruar qytetarë të barabartë të Kosovës. Shqiptarët nuk do të paguajnë për ta, dhe nuk do të kukasin më. Zbatimi është dashur të ndodhte prej vitit 2015 në mënyrë që sot problemi të ishte i harruar, dhe në mënyrë që të kishte ndonjë përpjekje për marrëveshje të re e më të mirë.

Por, t’i kthehemi Kurtit edhe një herë.

Kryeministri i Kosovës, nuk e ka luksin të bëjë veprime prej palaçoje si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Rrethanat aktuale është evidente se e kanë vënë në një pozicion tepër të vështirë Serbinë për shkak të aleancës së saj tradicionale me Rusinë pas agresionit që kjo e fundit po bën në Ukrainë. Do të ishte e pafalshme që Kurti të mos shfrytëzonte këto rrethana – shkaku i qëndrimeve nacionaliste të mëhershme – për t’i dhënë avantazhe të mëdha qytetarëve shqiptarë e serbë të Kosovës. Po ashtu, krahas këtij dialogu duhet të bëhen përpjekje serioze e të menjëhershme për rritje ndikimi në komunat me shumicë serbe në mbarë Kosovën, përmes investimesh kapitale dhe pakosh tjera ekonomike për zbutjen e varfërisë dhe papunësisë.

Serbia është më e dobët se kurrë, koha është që Albin Kurti të nis veprimet duke menduar dinjitetin e qytetarëve dhe jo komunikatat e kota të fshira nga faqja e partisë së tij. Në të njëjtën kohë, nuk duhet ta bëjë gabimin që e bënte vazhdimisht Hashim Thaçi. Ai nënshkruante marrëveshje të cilat nuk ishte i aftë që t'i mbronte më pas, dhe meqë s'ishte i aftë të kishte një kundër-narrativë ndaj nacionalizmit brenda Kosovës s'ishte i gatshëm as që t'i zbatonte. Kurti duhet t'i ketë të dyja këto gatishmëri, ose ndryshe do të përfundojë njësoj politikisht.

Ndërsa të gjithë ne të tjerët që përnjëmend duam përparim, duhet ta pyesim seriozisht veten: A është më i mirë ky Albin, apo Albini nacionalist i fjalimeve të mbushura me helm e urrejtje?

Lajme të ngjashme