Gjërat që s'i pamë te videoja e LV-së: mes 38 personazheve edhe Edi Rama, u dha edhe një "lajm i madh" - NACIONALE

Gjërat që s'i pamë te videoja e LV-së: mes 38 personazheve edhe Edi Rama, u dha edhe një "lajm i madh"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vetëvendosje para dy ditësh publikoi një videospot që çoi shumë pluhur. Megjithatë, përmbajtja e tij nuk u "tajit" siç duhej në opinionin publik, për shkak të gjuhës vulgare që dështonte të jepte mesazhe të qarta politike. Sidoqoftë, cila është "anatomia" e saj, nëse i hedhin një shikim pak më ngulmues?

Kjo video është përgatitur nga Sekretariati për Medie i Lëvizjes Vetëvendosje, disa ditë pasi ky subjekt e përmbylli procesin e brendshëm zgjedhor. Emrat e autorëve nuk ofrohen. Megjithatë, një zë dëgjohet derisa lexon dhe ai besohet të jetë i njërit prej këshilltarëve të ministres Albulena Haxhiu.

Personazhet

Për shkak se videoja shpreh mesazhe të rrezikshme politike, përgjegjësi kryesor është vetë kryeministri Albin Kurti.

Dhe po kryeministri Kurti është kryepersonazhi i kësaj videoje – kryeministri i mirë që po luftohet nga të tjerët.

Gjithsej, videoja e shkurtër dy-minutëshe përmban njëzet e nëntë personazhe (tridhjetë e tetë, numëruar edhe fiktivët). Përveç Kurtit, rol të mirë kanë edhe Besnik Bislimi, Hekuran Murati e Xhelal Sveçla.

Ndërkohë, personazhet me rol të keq që paraqiten në video janë më të shumtë: Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, Isa Mustafa, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi, Rrahman Jasharaj, Ymer Ymeri, Bahri Hyseni (me zë) dhe Sami Lushtaku.

Përveç këtyre, për t’i dhënë dramaticitet videos, aty ka edhe role të tjera. Një person fiktiv që merr ryshfet, një tjetër që jep ryshfet, një person që i prek paratë mbi një tavolinë. Katër persona të panjohur, që duket se do të bëjnë diçka të errët. Një person tjetër i errët. Dy persona që i shtrojnë duart.

Por ekziston edhe një personazh tjetër, i vendosur ndoshta pa dashje: Edi Rama. Derisa LV-ja provon t'i paraqesë Thaçin, Limajn, Veselin, Haradinajn e Pacollin së bashku, kërcen shpejt nga tre të parët në dy të dytët. Sidoqoftë, nëse e kthejmë në mënyrë të kujdesshme videon, do ta shohim pamjen si vijon:

Anti-shtet

Vetëvendosje nuk pretendon thjesht se Kosova është shkatërruar për 20 vjet. Pretendimet janë edhe më të rënda dhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin e demokracisë kosovare.

“Edhe pasi humbën, beteja e tyre anti-shtet vazhdoi”, thotë Vetëvendosje përmes videos në fjalë.

Nëse kjo parti politike e ka konsideratën në fjalë, atëherë kjo do të nënkuptonte njëkohësisht edhe ndjekje penale për “betejën anti-shtet”. Potencialisht, aktiviteti politik i partive në këtë video – PDK, LDK, AAK e Nisma – do të duhej të pezullohej për shkak të natyrës së tij destruktive.

Në mënyrë të qartë, në video vendoset fytyra e kryetarëve të tri partive opozitare: Lumir Abdixhikut (LDK), Memli Krasniqit (PDK) dhe Ramush Haradinajt (AAK).

Deri më tash, asnjëri prej këtyre tre liderëve partiakë nuk ka marrë ndonjë aktakuzë për veprime anti-shtetërore.

Aktakuzë nuk ka as ndaj sindikalistëve, Ymer Ymeri e Rrahman Jasharaj.

Lajm i ri e i madh?

Vetëvendosje, përveç interpretimeve, jep edhe një lajm.

“Ata janë keq-qeverisja 20-vjeçare që, duke i vuajtur mungesën e privilegjeve të dikurshme dhe mundësitë e pasurimit të lehtë, janë organizuar sërish.”

Marrë parasysh kohën në të cilën shtrihet kjo fjali – të tashmen – atëherë kjo parti politike lë të nënkuptohet se ka pasur një organizim të atye që i quan “shkatërrues të shtetit” me njëri-tjetrin për ta penguar Qeverinë Kurti.

“Lufta e tyre ndaj shtetit ka kaluar në një nivel tjetër” – thotë partia e drejtuar nga z. Kurti.

Edhe kjo fjali jep një lajm, rrëfen mbi një situatë të re që sapo është krijuar (lufta në nivel tjetër). Por si?

“Prodhojnë emergjenca në mënyrë që asnjëherë të mos merremi me shtetin e shoqërinë siç duhet. Duan të mbysin çdo përpjekje për vendin sepse nuk mund ta shohin atë tek lulëzon. Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër vetëm për të sabotuar shtetin dhe sulmuar qeverinë.”

Pra, është zhurma dhe janë sharjet e grevat, të cilat nuk po e lënë Vetëvendosjen të merret me shtetin e shoqërinë siç duhet, sipas Vetëvendosjes.

Është zhurma, megjithëse nuk dihet saktësisht se cila zhurmë. Sa u përket sharjeve, është pikërisht Vetëvendosje ajo që është akuzuar për ofendimet dhe linçimet që i ka bërë gjatë këtij muaji.

Sa i përket grevës, këto kanë ndodhur në vazhdimësi përgjatë historisë politike të Kosovës.

Mënyra se si është përgatitur kjo video, duket se ka lënë hapësirë për shumë redaktime të tekstit dhe pamjeve të saj.

Një ndër shenjat se ligjërimi i partisë në pushtet po bëhet gjithnjë e më i dobët, është edhe përdorimi i shpeshtë i shembujve që mbaronin me:

“e si çka tjetër”;

“e ku tjetër”;

“e çka tjetër”.

Teksti i plotë i videos:

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm, herë njëri me tjetrin, e tjetri me tjetrin. Më shumë bashkë! Bashkë me Kosovën e ndarë në zona interesi. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme, praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihnin veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre. VETËVENDOSJE! Protestuam në rrugë, folëm në Kuvend, e ku tjetër, për keq-qeverisjen brenda dhe pazaret që këta i bënë së bashku në dëm të vendit. Edhe pasi humbën, beteja e tyre anti-shtet vazhdoi. Edhe pasi VETËVENDOSJE!” fitoi, u bashkuan sërish me 25 mars 2020 për ta rrëzuar qeverinë e VETËVENDOSJE! –s. Humbën sërish me 14 shkurt 2021, por përpjekja e tyre vazhdoi të jetonte. Ata janë keq-qeverisja 20 vjeçare që duke vuajtur mungesën e privilegjeve të dikurshme dhe mundësitë e pasurimit të lehtë janë organizuar sërish. Lufta e tyre ndaj shtetit ka kaluar në një nivel tjetër. Sabotim kudo përmes organizmave të kapur. Prodhojnë emergjenca në mënyrë që asnjëherë të mos merremi me shtetin e shoqërinë siç duhet. Duan të mbysin çdo përpjekje për vendin sepse nuk mund ta shohin atë tek lulëzon. Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër vetëm për të sabotuar shtetin dhe sulmuar qeverinë. Cilën qeveri? Atë pra, që suksesshëm u përball me pandeminë, që u gjend në moment të duhur të krizës me ekonomi duke ndihmuar qytetarët, e që po përballet me krizën e inflacionit dhe do të merret edhe me energjinë. Për një vit e gjysmë në Republikën e Kosovës u bë e mundur të qeveriset pa asnjë skandal qeveritar. Për një vit e gjysmë ata që nuk u përllogaritën kurrë nga shteti filluan ta ndjejnë dorën e tij. Zhurma e tyre vazhdon. Por qeveria nuk shantazhohet. Vetingu dhe Byroja për Konfiskimin do të bëhen. Hajnat do të japin përgjegjësi. Vendi do të bëhet i mirëqenies dhe zhvillimit. Qeveria e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk zmbrapset. Vullneti i qytetarëve do të jetësohet.”

Lajme të ngjashme