“Blofi i radhës”, “Zero pritje” – skepticizëm i skajshëm për takimin e ardhshëm në Bruksel - NACIONALE

“Blofi i radhës”, “Zero pritje” – skepticizëm i skajshëm për takimin e ardhshëm në Bruksel

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Bashkimi Evropian ka njoftuar se takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksader Vuçiq, do të mbahet më 27 shkurt në Bruksel.

Një njoftimin për medie, BE-ja ka bërë me dije se në takimin respektiv do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili tashmë u është dorëzuar palëve.

Të hënën, më 27 shkurt, Përfaqësuesi i lartë/Zëvendës Presidenti i Komisionit, Josep Borrell do të organizojë një takim në nivel të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut” është thënë në njoftim, duke treguar temat e takimit.

Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në njoftimin e BE-së.

Shefi i grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka bërë të ditur për Gazetën Nacionale, se më deri tani nuk kanë marrë asnjë informacion për këtë takim dhe sipas tij nuk kanë asnjë pritje nga ky takim.

Tahiri ka thënë se fokusi i takimi duhet të jetë marrëveshja finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë.

Si parti parlamentare nuk kemi asnjë informacion rreth këtij takimi, rrjedhimisht nuk di dhe s’kemi asnjë pritje. Qëndrimi ime është i qarte: Kosova duhet ta trajtojë me urgjencë arritjen e marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Ky të jetë fokusi i takimit.” – ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, analisti Halil Matoshi ka thënë se Vuçiq dhe Kurti në këtë takim do të luajnë ‘blofet’ e radhës, duke u përpjekur ta vendosin keq njëri-tjetrin para ndërkombëtarëve.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të luajnë blofet e radhës - ndoshta të fundit - duke u përpjekur ta qesin keq njëri tjetrin para ndërkombëtarëve. Vuçiq së këndejmi do ta pranojë planin franko-gjerman (planin BE-ShBA) me kusht, që së pari të themelohet Asociacioni, kurse Kurti po ashtu do të insistojë që së pari të pranohet plani për normalizim, pastaj të rinegociohet Asociacioni.” – ka thënë Matoshi.

I fundit...

Takimi i fundit i mbajtur në nëntor të vitit të kaluar s'ishte mbyllur në mënyrën siç pritnin ndërkombëtarët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleaksandar Vuçiq me 21 nëntor 2022 ishin ulur përballë njëri-tjetrit, por nuk regjistruan diçka më shumë, përveç asaj se u takuan.

Me ndërmjetësimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, krerët shtetërorë diskutuan rreth targave të automjeteve në Kosovë – çështje kjo që kishte rritur tensionet mes dy vendeve.

Pas takimit, Borrell deklaronte se përkundër faktit të mbajtjes së takimit, palët s’e kishin gjetur gjuhën e përbashkët.

Fatkeqësisht ata nuk ranë dakord për një zgjidhje sot.” – ishte shprehur Borrell.

Dy ditë pas, saktësisht më 23 nëntor 2022, kryenegociatorët, Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviqi i Serbisë, u dakorduan në Bruksel për punën e targave.

Asociacioni

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht e ka pranuar faktin se është gati për të diskutuar, kurdo që ndodh. Madje, ai ka qenë kritik pse nuk është respektuar marrëveshja në parim e arritur më 18 gusht, aty ku si Kosova, ashtu edhe Serbia, ishin dakorduar që të takohen çdo muaj.

Në anën tjetër, presidenti Vuçiq kishte kërkuar themelimin e Asociacionit si parakusht për vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut, çështje kjo për të cilën Kurti është kategorik kundër, gjithmonë kur bëhet fjalë për atë një-etnik.

Shefi i qeverisë kosovare ka shtuar se Serbia mund ta paraqesë në tavolinë çështjen e dialogut, ndërsa më pas do të diskutohet.

Lajme të ngjashme