“Armiqtë” e Kurtit, PDK: Kryeministri i pasinqertë, s’mund t’i mbajë të fshehura takimet me bizneset në Greqi
Gjatë këtij muaji, kryeministri Albin Kurti për disa ditë qëndroi në Greqi. Atje, shefi i ekzekutivit e “shijoi” jetën në rivierën luksoze greke “Lagonissi”, gjersa në Kosovë qytetarët po “djersiteshin” nga çmimet e larta e inflacioni që ka mbërritur në 14,1%. Pas kthimit nga simpoziumi “Symi”, Kurti theksoi se në Greqi ka takuar investitorë të mundshëm, por emrat e të cilëve nuk i bëri publik.
Arsyeja ishte krejtësisht qesharake. I pari i ezkekutivit deklaroi se e ka të pamundur t’i ndaj emrat në publik, ngase mund të intervenojnë armiqtë.
E këtë deklaratë, partia më e madhe opozitare (PDK) e njohës të ekonimisë, po e cilësojnë si të çuditshme.
“Armiqtë e padukshëm”
Deklarata që bëri jehonë, në fakt, sipas njohësve të politikës e ekonomisë, ka shpërfaqur disa nga problemet që po e përcjellin Kurtin gjatë qeverisjes së tij.
“Kryeministri është jo korrekt, jotransparent dhe joserioz”, njëzëri konkludojnë disa prej njohësve të rrethanave politike dhe ekonomike në vend.
Njëjtë mendon edhe Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.
Shala, që është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, tha se kryeministri nuk është treguar korrekt në lidhje me këtë çështje.
Veç kësaj, ai për gazetën Nacionale theksoi se Qeveria Kurti nuk mund t’i mbajë sekret këto takime, nëse veç se janë zhvilluar.
“Unë konsideroj që kryeministri nuk ka qenë korrekt dhe i sinqertë në këtë relacion sepse nuk ka kurrfarë rreziku që bizneset me u njoftë dhe me u ditë nga publiku, sidomos ato që planifikojnë me ardhë në Kosovë. Nuk mund t’i mbajë kryeministri e as Qeveria sekret, çfarëdo biznesi dhe çfarëdo takime që zhvillohet, nuk mund të mbahet larg mediave, larg opinionit, larg ekonomisë, nuk ka logjikë kjo. Nuk mund të paramendoj se çka ka mujt me pasë, konsideroj që gjithçka mund të ketë, por jo takime të fshehta, sepse këto biznese, këto takime, zakonisht i bëjnë publike, sepse ato kanë nevojë edhe për marketing”, ka thënë ai.
Edhe ekonomistët kritikojnë Kurtin
Ish-kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për gazetën Nacionale ka folur rreth bashkëpunimeve që më herët janë mbajtur mes dy vendeve, Kosovës e Greqisë.
“Në rend të parë duhet të kuptohet që partneriteti dhe bashkëpunimi me Greqinë duhet të kuptohet se Greqia nuk e ka njohur Kosovën, kjo e ka një zanafillë më të hershme. Më kujtohet diku në vitin 2016-2017, Kosova përmes Odës Ekonomike i ka nënshkruar pesë memorandume të bashkëpunimit me asociacione të mëdha. Do të thotë, biznese në Greqi. Të njëjtën kohë, kemi pasë misione tregtare dhe takime mes bizneseve greke dhe kosovare, takime të organizuara qoftë në Kosovë dhe Greqi dhe fakti që nuk ka pasë barriera të tjera, e dëshmon gatishmërinë e Greqisë për të mbështetur Kosovën”, tha Gërxhaliu.
Ai tutje shtoi se sa i përket këtyre takimeve, transparenca ësht ajo që duhet të dominojë dhe se assesi nuk duhet të mbahen të fshehura.

“Është e vërtetë që në këto takime ka pasë biznese të ndryshme, andaj besoj që edhe në takime me biznese të huaja, edhe për ekonomi, transparenca është ajo që duhet të dominojë. E them këtë bazuar në faktin që komuniteti ekonomik kosovar ka bërë hapa të avancuar. Shumë biznese kosovare kanë partnerë të rëndësishëm në Greqi dhe anasjelltas. Prandaj, sot besoj që janë tri fjalë që nuk e kanë kuptimin e vet, si më parë, njëra ndër ato, është fjala fshehtësi. Pse duhet të mos flitet për ato takime, takime të cilat ndoshta në bazë të emrit dhe sektorit kish me e motivu biznesin kosovar që të kontaktojë dhe të hyjë në tregti qoftë për shërbime, por edhe për investime të përbashkëta. Sot jemi në kohën e digjitalizimit, dhe fshehtësi ekonomike është e vështirë të ketë”, ka thënë Gërxhaliu.
Ndërkaq, profesori i Ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, i tha gazetës Nacionale se deklarata e kryeministrit lidhur me “armiqtë”, është jo serioze.
“Deklarata e kryeministrit rreth investitorëve grek është më shumë paragjykuese, më shumë është joserioze, nuk përkon me një nivel të deklarimit të kryeministrit. Sepse, do ta kuptoja sikur të ishte në nivel të diplomacisë, të njohjeve, por nëse flasim për investitorët, ata mund të jenë nga shumë shtete që nuk e njohin Kosovën, nga Kina, nga Greqia, nga Sllovakia, Spanja e ku ta di, por të deklarohesh që nuk dua t’i tregoj emrat, sepse mund t’i parandalojnë armiqtë e Kosovës, kjo nuk është serioze”, ka thënë ai.
Madje, Kadrijaj ka theksuar se deklarata të tilla të Kurtit, e degradojnë nivelin e përformancës së tij si kryeministër.
“Po tentojnë ta paraqesin Kosovën si në një nivel lufte, të tensioneve politike, Kosova nuk është në atë nivel, pavarësisht marrëdhënieve me Serbinë. Kosova, qysh tani ka filluar të marrë importe nga Serbia, pra jemi ndër shtetet që bashkëpunojmë më së shumti me Serbinë. Bizneset kanë interest e veta dhe shumë pak e shohin pjesën politike, i shohin taksat, mundësitë ligjore, pjesën e sigurisë, sepse ata e ndajnë një pjesë të kapitalit të madh për investim. Të flasësh në nivel të armiqësive, kjo nuk i bën mirë, kjo e degradon nivelin e përformancës së tij si kryeministër”, tha Kadrijaj për gazetën Nacionale.
Qeveria përsëri me histori të njëjtë
Qeveria e Kosovës edhe pas deklaratës së kryeministrit Kurti, ka ngulur këmbë që t’i mbajë sekrete “takimet” që kryeministri po thotë se i ka zhvilluar.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, gjatë javës që po lëmë pas deklaroi se kryeministri ka takuar shumë biznese, por pa treguar se për cilat bëhet fjalë.
“Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, përveç përfaqësuesve politikë, ka takuar një pjesë të mirë të bizneseve, që kanë natyrë ndërkombëtare. Tash nëse themi që prirotiet është punësimi, ky rritet përmes bizneseve. Pra, vizitat e kryeministrit jashtë vendit, përfshijnë takime me ndërmarrrës të ndryshëm, biznese të ndryshme, investitorë potencialë të ndryshëm. Pra vizitat, janë në shërbim të shtetit që ai drejton. Këto vizita do ta kenë rezultatin në një moment. Por ky nuk ndodh pa ndodhë takimi fillimisht”, ka thënë ai.

