Edhe zëdhënësi i Qeverisë frikësohet nga “armiqtë”, s’tregon me kë u takua Kurti në Greqi - NACIONALE

Edhe zëdhënësi i Qeverisë frikësohet nga “armiqtë”, s’tregon me kë u takua Kurti në Greqi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime me investitorë të ndryshëm gjatë qëndrimit të tij në Greqi.

Njëjtë si kryeministri Kurti, as zëdhënësi i Qeverisë nuk tregoi se me kë u takua ai atje, por tha se këto vizita janë në shërbim të shtetit.

“Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, përveç përfaqësuesve politikë, ka takuar një pjesë të mirë të bizneseve, që kanë natyrë ndërkombëtare. Tash nëse themi që prirotiet është punësimi, ky rritet përmes bizneseve. Pra, vizitat e kryeministrit jashtë vendit, përfshijnë takime me ndërmarrrës të ndryshëm, biznese të ndryshme, investitorë potencialë të ndryshëm. Pra vizitat, janë në shërbim të shtetit që ai drejton. Këto vizita do ta kenë rezultatin në një moment. Por ky nuk ndodh pa ndodhë takimi fillimisht”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryeministri Kurti, gjatë ditës së mërkurë deklaroi se nuk mund t’i bëjë publike takimet me investitorë të mundshëm, pasi që “armiqtë” që i prishin punë Kosovës, nuk janë të paktë.

“Nëse këto do të publikoheshin, s’do mend se shumë kollaj, prej armiqve jo të paktë të Kosovës do të mund të kontaktoheshin ata dhe më pas ta nxijnë imazhin e Kosovës dhe në këtë mënyrë ta vënë në hezitim një investitor të ardhshëm”, tha ai.