88 milionë i blemë nga Serbia: Çka ndodhi me Reciprocitetin tregtar prej ‘rrëshqitjes’ së ministres Hajdari? - NACIONALE

88 milionë i blemë nga Serbia: Çka ndodhi me Reciprocitetin tregtar prej ‘rrëshqitjes’ së ministres Hajdari?

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Reciprociteti është fjala më e dashur për kryeministrin e Kosovës, por reciprociteti tregtar i shumëkërkuar megjithatë nuk u realizua dhe kjo “doli të mos ishte çështje ditësh e javësh”, e bile “as muajsh e vitesh”. Çka ndodhi me këtë reciprocitet tregtar, dhe pse Serbia po eksporton mallra në Kosovë më shumë se kurrë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duket të jetë jashtëzakonisht i dhënë pas parimit të reciprociteti. Tash së fundi, mbi këtë parim, u arrit edhe marrëveshja gojore për dokumentet e identifikimit me Serbinë që mundësojnë lëvizjen e lirë të qyetarëve.

Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë,” - shkroi ai të shtunën e 27 gushtit.

Kryeministri Kurti e kishte ndjekur parimin e reciprocitetit edhe gjatë mandatit të tij të parë në qeverisje, por atëherë kishte qenë më parimor.

Qeveria Kurti më 1 në maj të 2020 kishte vendosur reciprocitet të plotë ndaj mallrave serbe, pasi kishte vendosur paraprakisht më 15 prill të atij viti reciprocitetin ndaj mallrave të lëndës së parë.

Kurti më 1 maj kishte deklaruar se asnjë maune nuk mund të futej në Kosovë nëse nuk figuron: Republika e Kosovës.

Edhe emri 'Kosovë' është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit 'Republika e Serbisë'. Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin 'Republika e Kosovës' në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës.” - kishte shkruar Kurti në Facebook.

Mirëpo, kjo masë nuk u prit mirë nga ndërkombëtarët të cilët kërkuan largimin e saj.

E largimi i saj për të mos u vendosur më, u bë pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1.

Me ardhjen në pushtet të ish-kryeministrit, Avdullah Hoti, Qeveria e Kosovës hoqi këtë masë reciprociteti mbi arsyet se dëmton normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Tash e dy vite, duke parë që fryma e Kurtit është reciprociteti, kjo masë nuk po vendoset.

Përveç frymës ‘reciprocitetiane’ Kurti e ka më të lehtë vendosjen e saj, pasi edhe në kohën sa ishte në opozitë, kundërshtonte mallrat serbe duke rrëzuar kamionë në pikat kufitare bashkë me aktivistë të tjerë të VV-së.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari kishte bërë një ‘aksident’ rreth një vit më parë kur kishte deklaruar se reciprociteti me Serbinë nuk ishte zgjidhje e problemeve që ekzistojnë mes dy shteteve. Sipas saj, Kosova duhet të shfrytëzonte mekanizmat rajonalë. Ajo ishte tërhequr më pas duke thënë se deklarata e saj ishte keqkuptuar.

Më pas, Hajdari kishte thënë se nuk kanë hequr dorë nga premtimi për reciprocitetin, por si duket premtimi po merr kohë që të realizohet.

Reciprociteti që është premtuar nga qeveria, ne nuk largohemi nga premtimi për reciprocitetin dhe si masë e parë është ligji për tregtinë me jashtë. Ligji për tregtinë me jashtë është pikërisht ligji cili mbron prodhuesit tanë vendorë dhe është konform parimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë. Ligji është aprovuar në qeveri dhe tani do të aprovohet në Komisionin Parlamentar, do të shqyrtohet pikërisht me datën 14,” - pati thënë Hajdari.

Por kur do të vendoset reciprociteti në këtë aspekt mbetet të shihet, e kjo gjë po kërkohet të ndodhë sa më parë.

Ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj në një deklaratë për Nacionale ka thënë se mbështet reciprocitetin ndaj Serbisë, pasi ky shtet që nga paslufta ka shkaktuar humbje ndaj biznesve kosovare

Natyrisht që mbështes çdo veprim që dërgon në drejtim të reciprocitetit, jo vetëm me Serbinë, por më të gjithë ata që i pengojnë prodhuesit tanë. Serbia qe nga paslufta i ka krijuar humbje të jashtëzakonshme biznesit të Kosovës duke i krijuar barriera të ndryshme. Ajo pos që nuk njeh një mori certifikatash të lëshuara nga institucionet tona, ajo krijon edhe barriera tjera të çuditshme vetëm e vetëm që ta demoralizojë prodhuesin e Kosovës,” - ka thënë ai.

Më tej, Mulaj thekson se Qeveria Kurti duhet t’i mbajë premtime me të cilat ka fituar zgjedhjet, e një nga premtimet është edhe reciprociteti me Serbinë.

Qeveria Kurti e ka fituar pushtetin me këtë premtim, prandaj edhe presim veprime konkrete në këtë drejtim. Duhet një sensibilizim i opinionit vendor dhe ndërkombëtar nga asociacionet e biznesit me qëllim që të justitfikohen edhe veprimet e qeveriseë. Biznesi duhet i pari në këtë drejtim të jëtë me aktiv,” theksoi ai.

Teksa nuk po vendoset reciprociteti, Kosova importon mallra më së shumti nga Serbia.

Sipas të dhënave të Agjenicsë së Statistikave të Kosovës[ASK], Kosova ka importuar në muajin korrik 88.4 milionë euro.

ASK bën të ditur se importet në muajin korrik janë rritur për 5.1 për qind.

Në listën e vendeve prin Serbia me importin me të lartë me 7.4 për qind, e dyta Maqedonia e Veriut me 4.5 për qind dhe e treta Shqipëria me 4.8 për qind.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin korrik 2022, arritën në 88.4 milion Euro, ose 17.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.4%), Maqedonia e Veriut (4.5%), dhe Shqipëria (3.8%).”, thuhet në raportin e ASK për muajin korrik 2022.

Edhe muajin e kaluar dhe gati çdo muaj Serbia pushton Kosovën me mallra.

Pra çështja e reciprocitet sa herë që e lexojmë me zërin e Kurti, vazhdon të jetë çështje ditësh.

“(Reciprociteti) Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, kishtë thënë ai.

Mbetet të shihet se nëse Kurti do të vazhdojë me vendosjen e reciprociteti ndaj Serbisë edhe për çështje të tjera.

Lajme të ngjashme