S’tërhiqet Kurti: Reciprociteti duhet të jetë fryma e dialogut
Qeveria e Kosovës, respektivisht kryesuesi i saj, Albin Kurti nuk e kanë ndërmend të tërhiqet nga vendimi për reciprocitetin.
Kjo vërehet te komunikata për media e zyrës së kryeministrit ku në pjesën e poshtme precizohet saktë se deri te marrëveshja e plotë që në qendër ka njohjen reciproke, reciprociteti duhet të jetë fryma e dialogut.
Tutje thuhet se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t'u angazhuar në një dialog parimor.
Më poshtë edhe komunikata e plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, pritën në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.
Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke. Derisa marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut.
Kryeministri Kurti falënderoi z. Escobar dhe z. Lajčák për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuar artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Sinjal si loti
Deklarata e mësipërme duket mjaft e qartë. Kryeministri sipas të gjitha gjasave nuk do të pranojë shtyrje të sërishme të reciprocitetit.
Këtë e tha edhe në konferencën e sotme për media, duke shtuar se ose të dyja palët do të lëvizin pa letërnjoftime të përkohshme, ose asnjëra.
“Kemi dëshmuar që 1 gushti do të ishte ditë e zakonshme, mirëpo shtyrja nuk ka ndodhur që të bëhet princip. Shtyrja ishte gjest i vullnetit të mirë karshi brengave të partnerëve ndërkombëtarë se ka pasur fushatë të dezinformimit. Më datë 1 shtator do të kemi njërin prej dy skenarëve: ose nuk do të ketë dokument hyrje-dalje as në Serbi as në Kosovë, ose do të ketë në të dyja këto.
Fakti që nuk kemi më targa të përkohshme nuk do të thotë që na ka njohur Serbia, edhe njohja e dokumenteve nga ana e Serbisë nuk paraqet njohje, por është në frymën e reciprocitetit. Ne jemi të vendosur sepse po të mos ketë reciprocitet, nuk mund të presësh njohje në qendër të marrëveshjes. Ose do të ketë në të dyja anët, në asnjërën”, kishte deklaruar i pari i ekzekutivit.

