Kurti i liroi serbët nga Dogana: Dalin probleme ligjore dhe zëra që e kundërshtojnë ashpër - NACIONALE

Kurti i liroi serbët nga Dogana: Dalin probleme ligjore dhe zëra që e kundërshtojnë ashpër

4 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS sa më parë. Dhe krejt ky proces për ta do të kushtojë zero euro. Mirëpo, problemi del të jetë aspekti ligjor i këtij vendimi.

Kryeministri Kurti ka thënë se veturat që do të regjistrohen nuk do të duhet të kalojnë në proces doganor apo kontroll teknik pas regjistrimit fillestar.

“Ky është koncesion i madh, marrë parasysh që pagesa e shumave të mbledhura në doganë do të ishte 5 mijë euro vetëm për një automjet. Gjithashtu, gjatë regjistrimit të parë nuk do të kërkohet kontrolli teknik, kurse komunat mund të vendosin të mos kërkojnë pagesën prej 10 eurove në bazë të taksës komunale,” - ka thënë Kurti në një video ku flet në gjuhën serbe.

“Shumë shpejt, Ministria do të dalë me një udhëzim administrativ që tregon saktë procedurën”, vazhdon shpjegimi i Kurti.

Nacionale ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme rreth këtij procesi mirëpo ata nuk janë përgjigjur deri më tani.

“Vendimi i paligjshëm dhe diskriminues”

Avokati Xhevdet Smakiqi ka thënë se vendimi i Kurtit për lirimin nga dogana dhe kontrolla teknike për serbët është anti-ligjor, anti-kushtetues dhe diskriminues.

“Lirimi i serbëve nga pagesa e doganës dhe kontrollimi teknik i automjeteve me rastin e regjistrimit në RKS, ka mundur te bëhet vetëm me një ligj amnistie nga Kuvendi i Kosovës me një afat ta zëmë 12 muaj apo 24 muaj. Ndryshe Albin Kurti nuk ka kompetencë ligjore te liroi nga pagesa e doganës dhe kontrollimi teknik asnjë pronarë te asnjë automjeti në Republikën e Kosovës”, ka shkruar avokati Smakiqi.

“A ka more opozitë kjo Kosovë, videon e Albin Kurtit duhet me dergu ne Gjykate Kushtetuese dhe Prokurorinë Speciale te Kosovës?”, është shprehur tutje avokati Smakiqi teksa thirrjes së tij nuk i është përgjigjur opozita.

Ndër të tjera ai thotë për Nacionale se “vendimi i Albin Kurtit është pa bazë ligjore dhe bie ndesh me nenin 3 te Kushtetutes Barazia para ligjit.”.

“Vendim politik që nuk i plotëson kriteret teknike”

Nol Dedaj profesor dhe ekspert i komunikacionit ka kundërshtuar vendimin që serbët të lirohen nga kontrollimi teknik i veturave që regjistrohen për herë të parë.

Dedaj thekson se një veprim i tillë nuk lejohet askund dhe ndërsa e cilëson gjithë vendimin si politik.

“Ai është vendim politik që nuk i plotëson kriteret teknike. Nuk lejohet bile në shtetet e Evropës konfiskohet vetura, qysh do me regjitru kerrin pa u ba kontrolla teknike. Kemi katër lloje të kontrollës teknike. Nja e ki për çdo vjet, çdo gjashtë muaj dhe e jashtëzakonshme dhe preventive që këqyr në fillim veturën para vozitjes. Në qoftë se ai ka anashkalura ligjin e automjeteve atëherë dihet se është vendim politik.”, ka thënë ai.

Më tej, Dedaj thotë se vendimi e ka një te keqe dhe ajo është se u bë vetëm për një komunitet

“Më e keqja është sepse është bërë vetëm për një komunitet dhe kjo po na ndodh sikur në çdo qeveri”, është shprehur ai.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 29 qershor, veturat me targa të qyteteve në Kosovë, të cilat ende lëshohen nga autoritetet serbe, do të mund të zëvendësohen me targa RKS (Republika e Kosovës) brenda periudhës 1 gusht deri më 30 shtator.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mundësojë regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Riregjistrimi i tabelave RKS do të jetë i vlefshëm për të gjitha automjetet e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.

Ndërkohë si çdoherë tjetër edhe për këtë vendim reagoi drejtori i të ashtuquajturës i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se targat serbe nuk janë të paligjshme dhe janë në bazë të ligjeve të Serbisë dhe marrëveshjeve në Bruksel.

“E vetmja gjë që është e paligjshme është mosrespektimi dhe shkelja e marrëveshjes, e sigurisht jo targat e KM! Ky provokim dhe tentativë për konfiskimin e veturave serbe nuk do të kalojë”, shkroi Petkoviq në llogarinë e tij në Tëitter.

Vendimi i Qeverisë Kurtit për zëvendësimin e targave nga KM në RKS nuk është kontestuar nga zyrtarët evropian.

Lajme të ngjashme