Intervistë | Tahiri: Pranimi i marrëveshjes për energjinë, tregon dyfytyrësinë e Qeverisë Kurti - NACIONALE

Intervistë | Tahiri: Pranimi i marrëveshjes për energjinë, tregon dyfytyrësinë e Qeverisë Kurti

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ndryshimi i qëndrimit të Albin Kurtit ndaj dialogut Kosovë-Serbi nuk i ka bërë ndonjë përshtypje të madhe. Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka vlerësuar se pranimi i marrëveshjes për energjinë, tregon dyfytyrësinë e qeveritarëve, që dikur e kanë kundërshtuar atë dokument. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ajo ka thënë se deri me tani qeveria Kurti nuk ka treguar ndonjë aftësi për negociata me Serbinë.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me dialogun.

Ajo ka vlerësuar se ekzekutivi nuk ka vizion dhe strategji për të quar këtë proces drejtë njohjes reciproke. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Tahiri ka thënë se deri me tani qeveria Kurti nuk ka treguar ndonjë aftës të madhe në procesin e dialogun me Serbinë.

Sipas saj, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me dialogun me Serbinë kanë një politikë dyfytyrësie.

Ajo ka thënë se Albin Kurti duhet të iu kërkoj falje militantëve të parti së tij për procesin e Brukselit.

Sipas saj, një pjesë të votave ai e ka fituar duke kundërshtuar dialogun me Serbinë, të cilin tani po e pranon.

Nacionale:

Znj. Tahiri, Qeveria e Kosovës këtë javë ka marrë vendim për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftime. Si e ke parë këtë veprim?

Tahiri:

Vendimi i Qeverisë për reciprocitet në letërnjoftime ka qenë i paraparë në marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë dhe në planin e saj për implementim. Aty është shkruar qartë se të dyja palët, Kosova dhe Serbia mund të zbatojnë reciprocitetin përfshirë edhe ato letra shoqëruese.

Nacionale:

Pse nuk është zbatuar gjatë kohës sa keni qenë kryenegociatore?

Tahiri:

Ne nuk e kemi zbatuar me kërkesë të aleateve amerikan, të cilët kanë kërkuar që të mos e zbatojmë menjëherë. Tani i ka ardhur koha zbatimit të kësaj pike dhe atë po e bënë qeveria. Besoj se këtë qeveria e ka bërë në koordinim me aleatët.

Nacionale:

Deri me tani po shihet se Qeveria i është kthyer dialogut teknik. A po harrohet dialogu politik?

Tahiri:

Mendoj se qeveria Kurti nuk ka një vizion dhe strategji për të quar këtë dialog drejtë njohjes reciproke. Pra, për të shkuar drejtë një marrëveshje finale mes dy shteteve, për të cilën SHBA-ja ka thënë hapur që marrëveshja finale fokusohet në njohjen reciproke. Kjo qeveri, në vend se të shfrytëzon këtë politikë të rëndësishme amerikane dhe ta dërgon dialogun drejt marrëveshjes finale, po merret me çështje teknik.
Nga kjo qeveri pritet që të kryhet puna e njohjes reciproke. Në vend se të merret me çështje teknike, Kurti me gjithë ekipin duhet të kërkojë nga BE-ja ta bëjë të qartë politikën e saj për dialogun, ku BE-ja të thotë publikisht që është e fokusuar për njohje reciproke. Edhe ashtu, BE-ja vazhdimisht thotë se koordinohet me SHBA-në për këtë proces. Këtë e kemi parë edhe ne, kur takohen Lajçak dhe Ecskobar. Nëse koordinohen, atëherë BE-ja duhet të dal me politikën e saj të qartë se do të fokusohet në njohjen reciproke në mes të dy vendeve. Mendoj se Qeveria duhet të ia kërkoi këtë BE-së. Qeveria nuk guxon që të merret vetëm me çështje teknike. Ne po e shohim se qeveria Kurti ka ndryshuar komplet me dialogun.

Nacionale:

Kur jemi të ndryshimi, e kemi parë se kjo qeveria është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve për energjinë, të cilat e keni arritur ju?

Tahiri:

Tani ata e pranuan tërësisht marrëveshje që e kemi bërë ne. Ata tani vetëm i vendosen data për zbatimin të asaj marrëveshje.

Nacionale:

Udhërrëfyesi që është nënshkruar në Bruksel, a është identik me marrëveshjen që keni realizuar ju?

Tahiri:

Udhërrëfyesi 100 për qind është i njëjtë me marrëveshjen, të cilën e kemi arritur atëherë. Madje kur me kanë kërkuar këtë qëndrim, kam thënë se nuk flas para se të dalë udhërrëfyesi, apo plani zbatues. Tani kur ka dal plani, e kam studiuar në hollësi, dhe ai 100 për qind është identikt me marrëveshjen që janë arritur në Bruksel.
Është identike, sepse e ka parë edhe kjo qeveri se ajo marrëveshje i solli Kosovës sovranitetin energjetikë, të cilin e kishte cenuar Serbia për shumë vite, siç e ka cenuar edhe në fushat tjera. Pra, me marrëveshjet e arritura në Bruksel kemi arritur ta realizojmë sovranitetin e Kosovës në të gjitha fushat ku janë arritur marrëveshjet.

Edhe për udhërrëfyesit që to të bëhen për zbatimin e marrëveshje që nuk janë zbatuar deri me tani do të jenë të njëjtë me marrëveshjet që i kemi realizuar. Nëse do të ndryshonin diçka këtë marrëveshje do të gabonin shumë.

Nacionale:

Cili është vlerësimi i juaj për ndryshim të qëndrimit të Kurtit ndaj këtyre marrëveshje?

Tahiri:

Marrëveshja ka qenë e mirë. Sepse marrëveshja për energji i ka sjell Kosovës sovranitet energjetik. Ajo marrëveshje i ka sjell pavarësinë energjetike vendit, ajo marrëveshje ka bërë që Kosova të bëhet anëtare e organizatës evropiane të transmisioneve të energjisë. Pastaj marrëveshja normalizon çështjen e pagesës së rrymës nga minoriteti serb në katër komunat që nuk kanë pagua deri me tani. Kjo qeveria tani po e dëshmon se në raport me dialogun e Brukselit ka një politikë dyfytyrësie. Pra, atë që dikur e ka kundërshtuar, tani po e pranon. Ne kemi parë edhe përdorim të dhunës për të kundërshtuar këtë marrëveshje.

Zbatimi i kësaj marrëveshje është me rëndësi, sepse të dy marrëveshjet kanë qenë gjithmonë të rregull. E kam thënë disa herë se të gjitha marrëveshjet janë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nacionale:

Përfaqësuesit qeveritar, a duhet të japin ndonjë sqarim publik për ndryshim të qëndrimeve?

Tahiri:

Tani qeveria duhet të dalë para opinionit dhe të thotë se ‘atëherë ashtu ka menduar, por tash e kam parë që marrëveshjet janë në rregull’. Pra, duhet të pranoj gabimin e tyre dhe të jetë e ndershme në këtë çështje, në vend se të jete dyfytyrëshe.

Nacionale:

Po thoni se Qeveria duhet kërkuar falje për kundërshtimin që ia ka bërë dikur procesit?

Tahiri:

Mendoj se atij i mbetet t’i kërkojë falje elektoratit të vetë, sepse ai ka marrë vota për kundërshtimin e dialogut. Tani ai po i zbaton ato marrëveshje që i ka kundërshtuar dikur. Ndryshimi i qëndrimeve për këtë proces me ardhjen në pushtet, është një hipokrizi politike.

Nacionale:

Edhe pas pranimit të marrëveshjes Kurti ka thënë se ajo është dëmshme, por duhet zbatuar?

Tahiri:

Ato deklarata i bën për ta shpëtuar fytyrën. E ka gjuajtur një fjalë boshe pa asnjë fakt. Pra, është dashur të gjej një formulim bosh e pa fakte. Mirëpo, besoj se opinioni e kupton çdo gjë.

Nacionale:

Në një intervistë ai tha se vetëm Asociacioni nuk duhet zbatuar. Besoni se Qeveria do të zbatoi çdo marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel?

Tahiri:

Nuk dëshiroj të paragjykojë se çfarë do të bëj qeveria Kurti, por ajo që dëshiroj të them është se Qeveria duhet t’i zbatojë ligjet, Kushtetutën e Kosovës dhe t’i respektojë vijat e kuqe që janë në platformën e qeverisë së Kosovës, të cilën e kemi bërë ne.
Kjo qeveria duhet të mbrojë interesin e Republikës së Kosovës. Në Bruksel ajo nuk duhet të merret me të kaluarën, por të shikojë në të ardhmen. E ardhmja nga Kurti pret që të arrijë njohjen reciproke me Serbinë. Kjo është pritja, këto tjerat janë vetëm fjalë boshe e retorik politike. Pra, koha është që Kurti si kryeministër të arrin në Bruske marrëveshjen për njohje reciproke. Sepse kjo kontribuon në stabilitetin rajonal. Prandaj, po them se BE-ja në vend se të humb kohë me gjera teknike, duhet të shpall nisjen e bisedave finale.

Nacionale:

A besoni se z. Kurti e ka guximin që ta arrijë një marrëveshje finale me Serbinë?

Tahiri:

Kjo është një pyetje e mirë, por për këtë duhet ta pyesni Kurtin. Për të qenë burrështetas duhet të këtë vizion, guxim dhe natyrisht mbi bazën e Kushtetutës, ligjeve dhe vijave të kuqe të mbrohen interesat kombëtare dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës.

Nacionale:

Ju për një kohë të gjatë e njehni z. Kurti. Besoni se i ka këto cilësi?

Tahiri:

Nuk dëshiroj të merrem me cilësitë e tij. Porosia ime për Kurtn është se tani është koha të vepron si kryeministër i shtetit të Kosovës që të sjell njohjen reciproke.

Nacionale:

Deri me tani kjo qeveria ka zhvilluar disa raunde të takimeve në Bruksel. Çfarë aftësish po tregon kjo qeveri në bisedime?

Tahiri:

Praktikisht, deri tash nuk kanë treguar se kanë ndonjë aftësi të madhe për negociata. Nuk di se si do të ia bëjnë në të ardhmen, por deri me tani nuk kanë tregu ndonjë aftësi. Unë kam rekomanduar se kjo qeveri duhet të kërkojë ndihmën e partive të opozitare dhe të formohet një ekip të unitetit mes këtyre që janë në pushtet dhe opozitës. I di kundërshtimet e tyre, por për hir të shtetit duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kësaj qeveri i takon ta marrë këtë iniciativë dhe të shkojnë në Bruksel si një delegacion i unitetit.

Nacionale:

A po i bije se kjo qeveri s’po bën marrëveshje më të mira se qeveritë e kaluara?

Tahiri:

Ne, kemi qenë politikanë me përvoja të mëdha në negociata. Ne jemi negociator të marrëveshjes së Rambujës, aty ku është përcaktuar fati i shtetit dhe kombit, aty ku u vendos për lirinë e Kosovës dhe e lamë të hapur derën për pavarësi. Ndoshta këta nuk e kanë përvojën e duhur, por kjo nuk do më thënë që këta nuk mund të krijojnë mënyrën që të jenë më të kompletuar. Prandaj, do të duhej t’i ftonin partitë opozitare dhe të krijonin një ekip të plotë të unitetit për negociata me Serbinë. Në këtë mënyrë, edhe qytetarët do të ishin më të sigurt kur do të shihnin një delegacion uniteti në Bruksel.

Lajme të ngjashme