Intervistë | Spahiu: S`mund të themi “këtë qeveri amerikane e duam, atë të mëparshmen jo” - NACIONALE

Intervistë | Spahiu: S`mund të themi “këtë qeveri amerikane e duam, atë të mëparshmen jo”

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, ka ftuar institucionet e Kosovës që të kenë kujdes në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se Kosova duhet të dëshmojë se është vendi më besnik në rajon në të cilin Shtetet e Bashkuara mund të mbështetën në çdo kohë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ku ka analizuar marrëdhëniet në mes të dy vendeve, ai ka treguar se ka mbi 20 raste të “mospajtueshmërisë” të politikës së Kosovës me atë të ShBA-së.

Sipas tij, këto mospajtime dhe refuzimi i kërkesave amerikane mund të ndikojnë në raportet në mes të dy vendeve.

Spahiu ka bërë me dije se Kosova nuk mund të thotë se “këtë qeveri amerikane e duam, atë të mëparshmen jo”.

Ish-ambasadori ka treguar se vendet e rajonit, duke përfshirë Serbinë, po bëjnë garë se kush po ndërton raporte më të afërta me ShBA-të.

Ai ka folur edhe për “ftohjet” e raporteve që kanë ndodhur në qeverinë aktuale. Sipas tij, ajo është manifestuar në mungesën e një trajtimi adekuat protokollar ndaj liderëve të Kosovës në SHBA.

Nacionale:

Jemi në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së SHBA-së. Cila është rëndësia e raporteve me SHBA-në për Kosovën?

Spahiu:

SHBA-ja shënon 246-vjetorin e Pavarësisë dhe kjo është një datë e rëndësishme jo vetëm për Shtetet e Bashkuara. Kjo datë shënon lindjen e një kohe të re të një vendi që do të mbështetet në parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, parime mbi të cilat mbështetet edhe shteti i ri i Kosovës. Kosova ndan vlera të njëjta me Shtetet e Bashkuara në aspektin e demokracisë dhe shtetbërjes. Në rend të parë vjen fakti historik se nga ky vend i madh i demokracisë dhe lirisë tre presidentë i dolën në ndihmë kombit shqiptar: Vidrou Uilson, i cili mbrojti ekzistencën e shtetit shqiptar më 1918, Bill Klinton që i doli në ndihmë popullit të Kosovës dhe ndalin gjenocidin serb dhe, së treti, Xhorxh Bush, i cili mbështeti fuqimisht shpalljen e shtetit demokratik të Kosovës. Andaj, rëndësia e raporteve me SHBA-në për Kosovën është shumëdimensionale dhe jetike.

Nacionale:

Si do t’i vlerësonit raportet aktuale në mes të Kosovës dhe SHBA-së?

Spahiu:

Këto raporte vazhdojnë të vlerësohen si marrëdhënie të një partneriteti dhe miqësie të ngushtë, përkundër një mungese të konsistencës që është përsëritur kohë pas kohe në të kaluarën dhe jo vetëm nga qeveria aktuale. SHBA-të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në të gjitha aspektet dhe mbesin partneri kryesor strategjik i saj edhe në këtë kohë të zhvillimeve dhe rreziqeve serioze për paqen në kontinentin evropian. Qeveria aktuale ka shpërfaqur disa kundërshti në raport me Amerikën, por nuk është shkëputur nga qëndrimi tradicional mbi “miqësinë e përhershme” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka pasur një lloj “ftohjeje” që është manifestuar në mungesën e një trajtimi adekuat protokollar ndaj liderëve tanë në SHBA, apo edhe në disa “pakënaqësi” që pala amerikane ka shprehur në këtë aspekt. Megjithatë, përkundër disa kundërshtive edhe kjo qeveri, të paktën së fundit, gjithnjë e më shumë po dëshmon konstruktivitet në zhvillimin e mëtejme të këtyre marrëdhënieve. Kosova duhet të jetë shumë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe ne nuk duhet ta harrojmë këtë asnjëherë.

Nacionale: Ju keni qenë ambasadori i parë i Kosovës në Uashington dhe keni parë nga afër mbështetjen amerikane. Sa jetike është mbështetja e SHBA-së për Kosovën në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar?

Spahiu: Shtetet e Bashkuara kanë shoqëruar Kosovën gjatë tërë procesit të shtetbërjes së saj. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara kanë shoqëruar Kosovën që nga fillimi i viteve ’90, por edhe më parë, në përpjekjet e saj për liri dhe demokraci. Uashingtoni ka mbështetur Kosovën në mënyrë substanciale edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj. Në këtë kuptim, ne i jemi mirënjohës SHBA-së edhe për ndihmën që na është dhënë në themelimin dhe zhvillimin e raporteve diplomatike, në kuadër të së cilave ishte edhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Uashington DC. Ka mbetur thellësisht i admirueshëm për ne që shërbyem në Uashington si diplomatët e parë të shtetit të ri, pranimi dhe mbështetje e jashtëzakonshëm që hasëm në hapat tonë të parë në Uashington. Po, dhe në vazhdim. SHBA-të ndihmuan në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare, nga shtete individuale po dhe nga organizata ndërkombëtare, si dhe dhanë një mbështetje jetike financiare në procesin e vendosjes së institucioneve shtetërore, por edhe në mbështetje të konsolidimit të ekonomisë së saj. SHBA- ja ka qenë mbështetësi ynë kryesor në këtë drejtim. Mendoj se Kosova ka nevojë edhe më tutje, ndoshta edhe më shumë sot, që të sigurojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në aspektin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, sidomos në dritën e kërcënimeve dhe rreziqeve kundruall saj. Është, pra, jetike që të kemi mbështetjen e SHBA-së në proceset rëndësishme në të cilat po kalon Kosova.

Nacionale: Deri më tani, a janë kujdesur sa duhet institucionet e Kosovës për mbajtjen dhe forcimin e këtyre raporteve?

Spahiu: Mendoj se raportet janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën. Në të shumtën, çdo qeveri jona është treguar e kujdesshme në raportet me SHBA-ne. Nuk ka pasur shkaktim të ndonjë teposhte të madhe në raportet me SHBA-në. Por, ka pasur shmangie të kohëpaskohshme që nuk i kanë kontribuar ndërtimit të raporteve. Mendoj se kemi mundur të dërgojmë mesazhe më të qarta në krijimin e një raporti edhe më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara që do të prodhonin një partneritet akoma më dobiprurës për shtetin e Kosovës...

Nacionale: Qeveria aktuale disa herë iu ka thënë jo kërkesave amerikane. Këtë veprime, sa mund të ndikojnë në raportet në mes të dy vendeve?

Spahiu: Në një analizë të marrëdhënieve midis dy vendeve kam numëruar mbi 20 raste të “mospajtueshmërisë” të politikës së Kosovës me atë të Shteteve të Bashkuara gjatë viteve të shkuara. Ato janë shkaktuar gjatë të gjitha qeverive tona të pasluftës, pra edhe nga kjo e tashmja. Ka dy gjëra që duhet pasur parasysh në këtë aspekt: së pari, s’do mend, as që ka nevojë për një harmoni të qind për qind në raportet mes dy vendeve, se pikëpamjet e ndryshme për momente të ndryshme politike, zakonisht nuk janë armiqësi, por pjesë e partneritetit që lejon mendime të ndryshme. Ndonëse, këto “diskrepanca” shpesh kanë lindur nga motivime kryeneçësie dhe janë përdorur për përdorim politik të brendshëm. Së dyti, qeveritë tona duhet të jenë të kujdesshme që të ruajnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe koherencën e këtij qëndrimi. Nuk mund të lejojmë që ne të reagojmë varësisht nga ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë, në stilin “këtë qeveri amerikane e duam, atë të mëparshmen jo”. Sepse, politika amerikane ka qenë gjithnjë mbështetëse për Kosovën nga që të dy krahët politikë në Shtetet e Bashkuara. Ne kemi refuzuar madje edhe projekte të rëndësishme që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara, madje edhe në dëm të Kosovës dhe ardhmërisë së raporteve mes dy vendeve. Amerika ka një politikë koherente ndaj Kosovës, ashtu si edhe ndaj partnerëve më besnikë të saj ndërkombëtarë. Raportet e tilla mund të ndikojnë në raportet e të dy vendeve në të ardhmen. Të mos harrojmë se raportet midis dy vendeve nuk janë diçka që mund të ndryshojnë dhe duhet ta dimë po ashtu se ka një garë edhe në rajon se cili do të ndërtojë marrëdhënie më të afërta me Shtetet e Bashkuara. Madje, edhe vetë Serbia, e cila fajin për bombardimin nga Aleance Perëndimore për shkak të politikës së saj gjenocidale, ia mvesh Shteteve të Bashkuara, po përpiqet të ndërtojë raporte të mira me Uashingtonin. Ne duhet të dëshmojmë se jemi vendi më besnik në rajon në të cilin Shtetet e Bashkuara mund të mbështetën në çdo kohë. Eskivimet politike në këtë drejtim mund ta dëmtojnë këtë konstantë.

Nacionale: Në raport me dialogun me Serbinë, SHBA-ja po kërkon të jetë më kreative. Si duhet të veprojë Kosova ndaj kësaj kërkese të SHBA-së?

Spahiu: Ne si Kosovë kemi kërkuar vazhdimisht që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol aktiv në procesin e dialogut me Serbinë dhe Uashingtoni ka treguar të jetë i pranishëm në këtë proces, natyrisht duke ia lënë rolin e ndërmjetësuesit BE-së, siç ka qenë që nga fillimi. Shtetet e Bashkuar madje e kanë mirëpritur këtë kërkesë apo pritje të Kosovës, duke emëruar madje edhe emisar special për rajonin (Eskobar) dhe duke shtuar praninë e vet në rajon. Qëndrimi i SHBA-së për epilogun e dialogut, madje edhe bërë i qartë nga dy presidentë të fundit amerikanë. Ata janë të vendosur në ruajtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Por, duan që dialogu të ketë sukses, që do të përmbyllej me një njohje të ndërsjellë. Ajo qo duan amerikanët nga pala kosovare është jo shtangimi dhe kryeneçësia por gatishmëria për tu angazhuar aktivisht në proces. Madje, që të ketë ide kreative në këtë raport. Nuk duhet pritur që të vijnë gjithmonë propozime apo “zgjidhje” nga Shtetet e Bashkuara.
Duhet edhe vizioni i kosovarëve, madje edhe kur kemi të bëjmë me nuancat në këtë proces që pala kosovare i quan të papranueshme. Kosova duhet të ketë ide se si të kapërcehet kjo ngecje në raport me dialogun me Serbinë, edhe pese e dimë se Serbia është ajo që po frenon me kryeneçësi çfarëdo lëvizje përpara. Drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ne duhet, megjithatë, të tregojmë konstruktivitetin tonë dhe të kemi ide se si do të mund të tejkalohet kjo situatë. Ne duhet t’i ndihmojmë Amerikës që të na ndihmojë.

Lajme të ngjashme