Ministri Çeku e largon në heshtje (pa ndëshkim) sekretarin e skandaleve
Ministri i Kulturës, Rinës dhe Sporteve (MKRS), Hajrulla Çeku e ka larguar në heshtje, pra pas asnjë masë ndëshkuese nga pozita e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Xheladin Krasniqin. Ky vendim u mor pasi Krasniqi ditë më parë dyshohet se sulmoi fizikisht një zyrtar të kësaj ministrie. Nacionale në vazhdimësi kishte raportuar për presionet e shkeljet ligjore që bënte Xheladin Krasniqi.
Nacionale ka mësuar se Ministria e Kulturës e udhëhequr nga ministri, Hajrulla Çeku e ka larguar në heshtje dhe nuk ka marrë ndonjë masë ndëshkuese për sekretarin Xheladin Krasniqi pasi dyshohet se sulmoi fizikisht zyrtarin Miftar Latifin.
Në emailin që i është shpërndarë punëtorëve të MKRS-së nga zyra e sekretarit thuhet se në këtë pozitë është emëruar Bislim Bislimi.
“Ju njoftojmë se nga data e sotme, në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshmë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas përfundimit të afatit për transferim të përkohshëm për interes të institucionit, në pozicionin e punës së Sekretarit i Përgjithshmë në MKRS është kthyer z. Bislim Bislimi. Prandaj, kërkojmë nga ju që të saktësohet adresim në shkresat dhe aktet tjera zyrtare” – thuhet në këtë email.
Nacionale kishte raportuar se Bislimi Bislimi ishte zgjedhur me vendim të Qeverisë Kurti në pozitën e sekretarit të MKRS-së, mirëpo, ministri Hajrulla Çeku e kishte transferuar atë në një pozitë tjetër në ditën e parë të tij të punës.
Ky transferim u bë vetëm për ta mbajtur në këtë pozitë njëriun e preferuar të tij, Xheladin Krasniqin.
Ministri Çeku deri më tani kishte vazhduar që të mbajë pozitën e sekretarit të MKRS-së me ushtrues detyre e me emërim të jashtëligjshëm.
Nacionale në vazhdimësi kishte raportuar për Xheladin Krasniqi, që nga emërimi tij i paligjshëm nga ministrit Hajrulla Çeku në pozitën e sekretarit, e deri presionet e jashtëzakonshme ndaj punëtorëve.
Muaj më parë, pas raportimit të Nacionales, Krasniqi kishte kërkuar masa disiplinore ndaj zyrtarit që kishte sinjalizuar shkeljet ligjore të tij.
Ai i kishte kërkuar punëtorëve që të mos marrin pushime dhe kishte përndjekur zyrtarin i cili kishte sinjalizuar se kërkesa e Krasniqit ishte joligjore.
Lexojeni KËTU këtë raportim.
Dokument: Sekretari i ministrisë së Çekut me urdhra të paligjshëm dhe presion ndaj stafit civil
Gjithashtu, ditë më parë pas presionit nga raportimet e Nacionales, Krasniqit iu ndalë edhe një tjetër shkelje ligjore.
Ai tentoi të rehatohej në pozitën e Drejtorit të Zyrës për të Drejtën e Autorit.
Por, ndërkohë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka anuluar konkursin për pozitën e Drejtorit të Zyrës për të Drejtën e Autorit (ZDA) ku kandidat i sukseshëm për këtë pozitë ishte përzgjedhur ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Xheladin Krasniqi.
Vendimi për anulimin e konkursit erdhi pasi Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit gjeti se Xheladin Krasniqi është në konflikt interesi për këtë pozitë pasi në të kundërtën Ministria nuk do ta anulonte anipse kishte shkelje ligjore.
Më tej, Nacionale kishte raportuar që nga fillimi se ministri Çeku e kishte emëruar jashtëligjshëm Krasniqin në pozitën e sekretarit.
Kujtojmë se Prokuroria ka filluar hetimin ndaj Xheladin Krasniqit që dyshohet për sulm fizik ndaj zyrtarit.
Në anën tjetër Policia e Kosovë nuk ka dhënë asnjë detaj për këtë rast, sulmin fizik nuk e ka paraqitur as në raporti 24 orësh që lëshohet nga Policia e Kosovës.
Shkrimi është publikuar më 18 nëntor 2024.