Vazhdon presioni nga sekretari i jashtëligjshim i ministrisë së Çekut, tenton që t'i "shtypë" sinjalizuesit
Presionet ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk po i ndalë Sekretari i Përgjithshëm Xheladin Krasniqin, që ministri Hajrulla Çeku përveç emërimit të jashtëligjshëm, po vazhdon ta mbajë jashtëligjshëm në këtë pozitë. Pas raportimit të Nacionales, Krasniqi ka kërkuar masa disiplinore ndaj zyrtarit që kishte sinjalizuar shkeljet ligjore të tij.
Para një javë, Nacionale kishte siguruar kërkesat e joligjore të sekretarit të MKRS-së, Xheladin Krasniqi, drejtuar punëtorëve të MKRS-së.
E publikimi i këtyre kërkesave, ka çuar në rritjen e presionit të Krasniqit ndaj zyrtarëve të kësaj ministrie.
Krasniqi kësaj radhe ka kërkuar që të dërgohet në Komision Disiplinor zyrtari që kishte sinjalizuar shkeljet e tij me kërkesën për mosmarrje të pushimit.
Sipas informatave të Nacionales, sekretari i jashtëlishëm ka kërkuar që të dërgohet në komision disiplinor zyrtari që ka sinjalizuar se “udhëri” për pushime ka qenë joligjor.
Më këtë rast, Krasniqi nuk dihet se mbi çfarë baze ligjore e ka bërë ketë kërkesë.
Nacionale ka kontaktuar me Krasniqin dhe e ka pyetur atë për presionin dhe kërkesën e jashtëligjshme të tij për dërgim në Komision Disiplinor zyrtarin e MKRS-së, mirëpo ai në momentin e prezantimit të gazetarit, ka ndërprerë lidhjen telefonike duke thënë vetëm “jo faleminderit”.
Cila ishte kërkesa jo ligjore e Krasniqit?
Nacionale kishte siguruar e-mailin që Krasniqi ia kishte dërguar drejtorëve të ministrisë.
Në këtë e-mail të datës 8 nëntor, sekretari i jashtëligjshëm ka kërkuar që asnjë nga punëtorët të mos marrin pushime vjetore deri më 31 dhjetor 2023 dhe të anulohen të gjitha pushimet që ishin përcaktuar më parë.
“Ju lus, NUK ka pushime vjetore deri më 31 dhjetor në të kundërtën do të veprojë konfrom legjislacionit në fuqi ndaj secilit” – thuhej në kërkesën e Krasniqit, të cilën e arsyetonte duke përmendur përfundimin e punëve dhe realizimin e planeve për vitin 2023.
Por për një zyrtar të MKRS-së, ndaj të cilët po kërkon që të dërgohen në Komision Disiplinor, kishte kundërshtuar kërkesën e Krasniqit duke thënë se është në kundërshtim të ligjit.
Zyrtari i MKRS-së, ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovë e në Zyrën e Kryeministrit.
Në e-mailin që ka siguruar Nacionale me titull “Reagim kundër ndalimit të shfrytëzimit të pushitmit vjetor nga zv.Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së” – thuhej se janë të zemëruar e shqetësuar me vendimin e Krasniqit.
“Të nderuar kolegë, nuk mendoj se ne duhet të legjitimojmë në heshtje një vendim skandaloz, të padrejtë dhe joligjor nga një zyrtarë i lartë që kaq brutalisht duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare ndërmerr masa ndaj zyrtarëve/kolegëve të MKRS-së.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e zyrtarit të MRKS-së, duke shtuar se kjo ankesë mund të ketë edhe pasoja për të.
Për të lexuar më shumë për këtë raportim, ftoheni të klikoni KËTU.
Çka thotë Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve?
Çdo sinjalizim i shkeljeve dhe çdo sinjalizues është i mbrojtur me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
Në rastin konkret, sekretari i MRKS-së po tenton që të mos e respektojë këtë ligj dhe për këtë gjë duhet të ketë parasysh ligjin.
Ligji parasheh qartë që sinjalizuesit nuk mund të bëhen subjekt i përgjegjësisë penale ose civile apo procedurave disiplinore.
“1. Sinjalizuesi që raporton ose shpalos informata në pajtim me dispozitat e këtij ligji, nuk mund të jetë subjekt i përgjegjësisë penale ose civile apo procedurave disiplinore.” – thuhet në Neni 9 “Mbrojtja e sinjalizuesve”.

Gjithashtu, sipas Nenit 6 “Ndalimi i pengimit të sinjalizimit”, çdo veprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik ndiqet penalisht.
“1. Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik, është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë.” – thuhet në piken 1 të nenin 6 të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Po ashtu, Ligji parasheh që sinjalizuesi është i mbrojtur nga çdo veprim i dëmshëm i marrë nga punëdhënësi për shkak të sinjalizmit.
Sinjalizuesi nuk ka drejt të largohet nga puna, të pezullohet nga puna, transferim e ulje në detyrë.
Shih Nenin 22 “Mbrojtja nga veprimet e dëmshme”.
