Ministri Çeku e shkel ligjin për ta mbajtur sekretar njeriun e preferuar
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, duket se më shumë po i pëlqen që në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm ta mbajë Xheladin Krasniqin, të cilin e ka emëruar jashtëligjshëm. Bislim Bislimi që ishte emëruar nga Qeveria Kurti në pozitën e sekretarit nuk qëndroi asnjë ditë në këtë pozitë. E kjo lëvizje sipas burimeve të Nacionales u bë pas presionit të ministrit Çeku.
Me vendim qeveritar e në mbledhje të Qeverisë, Bislim Bislimi ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm në MKRS-së. Mirëpo këtë pozitë nuk ka arritur ta gëzojë për shkak të presionit të ministrit Çeku, pasi për Çekun më i rëndësishëm në këtë pozitë është Xheladin Krasniqin.
Në këtë vendim thuhet se mandati i Bislimit është për katër vite dhe se MKRS-ja duhet ta zbatojë këtë vendim.

Më tej, Nacionale ka siguruar vendimet që tregojnë se “marrëveshja” më e mirë ishte që Bislim Bislimi të mos vazhdojë si sekretar, por të emërohet si Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Ne kemi provuar të kontaktojmë me Bislimin për të kuptuar se pse është futur në garë për sekretar dhe pastaj ka hequr dorë, mirëpo ai nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të Nacionales.
Përveç këtyre, ministri Çeku nuk ishte ndaluar me skandale.
Çeku e kishte prezantuar në takimin me grupin punues të Ligjit për Art e Kulturë brenda Komisionit të Arsimit e Kulturës, Bislim Bislimin si sekretari derisa ai veçse ishte transferuar në ASHAK.
Lexo më shumë për emërimin e Krasniqit në këtë pozitë.
Ndërkohë, në anë tjetër, pavarësisht se ka një sekretar të emëruar me vendim qeveritar, ministri Çeku vazhdon të mbajë pozitën e sekretarit të MKRS-së me ushtrues detyre e me emërim të jashtëligjshëm.
Muaj më parë, Çeku e kishte emëruar Xheladin Krasniqin në pozitën e sekretarit në mënyrë të jashtëligjshme.
Emërimi i tij është bërë duke shkelur Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetëror dhe të Agjencive të Pavarurua.
Neni 18 i Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetëror dhe të Agjencive të Pavarurua, parashikon qartë mënyrën e emërimit të Sekretarit të Përgjithshëm.
Sipas këtij neni, vetëm një drejtori i ndonjë prej departamenteve mund të emërohet Sekretar i Përgjithshëm dhe nuk mund të emërohet një zëvendësues në këtë pozitë të rëndësishme në ministri.
Po ashtu ministri Çeku po e mban Krasniqin edhe pse sipas ligjit u.d sekretar mund të ketë nëse ka mungesë e që në këtë rast nuk qëndron.
“5. Sekretari i Përgjithshëm, në rast mungese, zëvendësohet nga drejtori i një prej departamenteve të ministrisë, i caktuar me shkrim nga vetë Sekretari. Në rast pamundësie shëndetësore, drejtori i departamentit që zëvendëson Sekretarin e Përgjithshëm caktohet me shkrim nga ministri.” – thuhet në Nenin 18.
Tutje, ne biseduam në telefon me Krasniqin, i cili në mënyrë të ashpër e mbylli telefonin pasi e pyetëm se a është në dijeni që po qëndron si sekretar në mënyrë të jashtëligjshme.
Qe çka na tha ai:
Gazetari: A jeni në dijeni që jeni duke e ushtruar paligjshëm detyrën e sekretarit në MKRS?
Krasniqi: Kush po të thotë?
Gazetari: Ligji.
Krasniqi: Ligji? Pse a prokuror je ti?
Gazetari: Jo s’jam prokuror, por jam gazetar.
Krasniqi: Eh në rregull, ditën e mirë e bafshi.
Kujtojmë se Krasniqi ishte i njohur më parë edhe për komente homofobike ndaj shfaqjes “55 shades of gay” nga Qendra Multimedia.
Ai këtë shfaqje e kishte quajtur “degjenerim të skajshëm” dhe kishte kërcënuar me vdekje.
Nacionale do të sjellë dëshmi të reja se qysh sekretari i paligjshëm po e shkel ligjin si dhe ndërhyrje të tjera nga ai.