Vendimi i Biden për daljen nga Afganistani, autogoli më spektakolar i ShBA-së - NACIONALE

Vendimi i Biden për daljen nga Afganistani, autogoli më spektakolar i ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Peter Bergen

Artikulli është shkruar për CNN, dhe është përkthyer nga gazeta Nacionale.

Pasi pushtimi i Kubës i mbështetur nga CIA, dështoi në mënyrë spektakolare në vitin 1961, presidenti John F. Kennedy tha për humbjen në “Gjirin e Derrave”: "Fitorja ka 100 baballarë dhe disfata është jetim".

Javën e kaluar, kur presidenti Joe Biden njoftoi se ShBA kishte gjurmuar dhe kishte vrarë terroristin e saj më të kërkuar udhëheqësin e Al Kaidës, Ayman al-Zawahiri, i cili jetonte në një shtëpi në Kabul, Afganistan, ai bëri një xhiro fitoreje. Por, më 30 gusht, përvjetorin e parë të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani që i dha fund luftës më të gjatë në historinë amerikane, mos prisni për një festë të ngjashme.

Çdo vlerësim realist tregon se ai veprim do të shihet për një kohë të gjatë si një disfatë sesa një fitore - dhe ka të ngjarë që askush nuk do të mbajë përgjegjësinë për vendimin.

ShBA nisi një luftë kundër Afganistanit në vitin 2001 pasi regjimi taleban strehoi Osama bin Ladenin, duke i dhënë atij aftësinë për të komplotuar dhe kryer sulmet terroriste të 11 shtatorit, të cilat vranë pothuajse 3,000 amerikanë.

Ndërsa trupat e ShBA-së dhe NATO-s luftuan forcat talibane dhe të Al Kaidës, qeveria e re në Kabul e mbështetur nga ShBA kryesoi gjithashtu mbi dy dekada përparim në Afganistan. Sigurisht, Afganistani nuk ishte Norvegjia, por po bëhej një shtet disi funksional, demokratizues i Azisë Qendrore, i cili pa një përparim të mrekullueshëm në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve dhe rritjen e jetëgjatësisë, një shtet që ofronte vende pune për gratë dhe arsim për miliona vajza; ai ushqeu shumë media të pavarura dhe edhe nese kishte të meta mbajti zgjedhje të rregullta presidenciale.

E gjithë kjo ndryshoi kur ShBA filloi të tërhiqej dhe talebanët pushtuan të gjithë vendin më 15 gusht 2021. Të drejtat e grave u zhdukën. Ato nuk kanë të drejtë të punojnë, përveç në një grup të ngushtë punësh të lidhura me femrat si pastrimi i tualetit të grave në Kabul; kur udhëtojnë në distanca ato duhet të shoqërohen nga një i afërm mashkull dhe talebanët kanë urdhëruar gratë të qëndrojnë në shtëpi dhe nëse ndonjëherë dalin jashtë të mbulohen plotësisht.

Për menaxhimin e Afganistanit nga talebanët, mjafton një pikë e të dhënave për të nënvizuar paaftësinë e madhe të grupit: Sipas OKB-së, rreth gjysma e popullsisë afgane sot "përballet me urinë akute".

Mbi qëndrimin e talebanëve për grupet e tjera etnike afgane: Nuk ka asnjë provë që ata po krijojnë një qeveri "përfshirëse" siç pretendonin udhëheqësit e tyre. Pothuajse e gjithë udhëheqja e talebanëve përbëhet nga Pashtunët, ndërsa grupet e tjera etnike në Afganistan si Hazarët, Taxhikët dhe Uzbekët janë pothuajse tërësisht të përjashtuar nga rolet udhëheqëse.

Për qëndrimin e tyre mbi demokracinë: Talebanët nuk besojnë në zgjedhje. Në vend të kësaj, ata janë një teokraci; udhëheqësi i tyre njihet si "Komandanti i Besimtarëve", një titull që pretendon se ai është udhëheqësi i të gjithë muslimanëve. Në vitin e kaluar nën sundimin e talebanëve, 40% e mediave të pavarura të Afganistanit janë mbyllur.

Për aleancën e talebanëve me Al Kaidën: Epo, lajmet e javës së kaluar e bënë të qartë se marrëdhënia po lulëzon. Fakti që lideri i Al Kaidës, Ayman al-Zawahiri jetonte në qendër të Kabulit për muaj të tërë -- me atë që administrata Biden e përshkruan si ndërgjegjësimin e disa zyrtarëve talebanë - flet vetë. Zaëahiri u vra në fund të muajit të kaluar në një sulm me dron amerikan.

Si ndodhi?

Tërheqja e ShBA-së nga Afganistani një vit më parë u orkestrua nga një seri vendimesh të njëpasnjëshme nga ish-presidenti Donald Trump, presidenti Joe Biden dhe kryenegociatori i ShBA-së me talebanët, ambasadori Zalmay Khalilzad. Asnjë nga këta burra nuk ka gjasa të pranojë plotësisht përgjegjësinë e asaj që ndodhi në Afganistan, që pasoi marrëveshjen më të keqe diplomatike në historinë e ShBA-së duke u mundësuar talebanëve të fitonin në tryezën e negociatave në Doha të Katarit atë që nuk mund të fitonin kurrë në fushëbetejë.

Khalilzad e ka mbrojtur marrëveshjen duke thënë: "Negocimi ishte rezultat i bazuar në gjykimin se ne nuk po e fitonim luftën dhe prandaj koha nuk ishte në anën tonë dhe më mirë të bënim një marrëveshje më shpejt se më vonë."

Deri në fund të administratës Trump, shteti i sapolindur afgan mbështetej nga vetëm rreth 2,500 trupa amerikane, një pjesë e vogël e më shumë se dy milionë burrave dhe grave në ushtrinë aktive amerikane, rezervat dhe njësitë e Gardës Kombëtare. E ndihmuar nga 9,000 trupa aleate, kryesisht të NATO-s dhe 18,000 kontraktorë, kjo forcë e vogël amerikane ishte e mjaftueshme për t'i mundësuar ushtrisë afgane të shmangte talebanët, të cilët kurrë nuk ishin në gjendje të kapnin dhe nuk mbanin asnjë nga 34 kryeqytetet provinciale të Afganistanit përpara se Biden të shpallte tërheqjen totale amerikane në Prill 2021.

E pse Biden vazhdoi me planin e tërheqjes që kishte trashëguar nga Trump mbetet ende një enigmë pasi nuk kishte një elektorat të madh dhe të zëshëm në Partinë Demokratike që kërkonte një tërheqje totale të ShBA-së nga Afganistani dhe këshilltarët më të lartë ushtarakë të Biden-it e kishin paralajmëruar qartë atë për rreziqet e kryerjes së këtij veprimi.

Iluzioni "Taliban 2.0".

Besimi se talebanët do të bënin gjërat racionale që disa amerikanë prisnin t'i bënin, në krahasim me zbatimin e ideologjisë thuajse mesjetare që ka qenë në thelb të lëvizjes së tyre të armatosur që kur u shfaqën për herë të parë gati tre dekada më parë, ishte sikur të imagjinoje se Kmerët e Kuq do të "pjeken" pasi të kishin marrë pushtetin në Kamboxhia.

Një përkrahës kryesor i pikëpamjes se talebanët do të ndryshonin nëse përpara tyre do u vendoseshin “karrotat e duhura”, ishte Barnett Rubin nga NYU, një ekspert për Afganistanin.

Rezulton se ishte Rubin ai që e mbivlerësoi se sa shumë kujdeseshin talebanët për lehtësimin e sanksioneve dhe ndihmën ndërkombëtare, ndërkohë që ai kishte nënvlerësuar shumë dëshirën e tyre për të dëbuar gratë nga puna dhe arsimimi dhe për të ruajtur marrëdhëniet e tyre të ngrohta me miqtë e tyre të vjetër në Al Kaeda. Kjo nuk duhet të ishte aq e befasishme, pasi pikërisht kështu kishin sunduar talebanët herën e fundit që ishin në pushtet në vitet para 11 shtatorit. Ata nuk kishin luftuar me ushtritë amerikane dhe afgane për dy dekada vetëm për të instaluar një pothuajse-demokraci kur erdhën në pushtet për herë të dytë.

Talibani "i moderuar" 2.0 që supozohet se po shfaqej vitet e fundit ishte një mashtrim i thellë që mbërtheu politikëbërësit amerikanë.

Në maj, Kombet e Bashkuara publikuan një raport, në të cilin u vërejt se 41 anëtarë të talebanëve që shërbejnë në kabinet ose në poste të tjera të nivelit të lartë qeveritar në Afganistan janë në listat e sanksioneve të OKB-së.

Taliban 2.0 ishte një mirazh, dhe Talebanët sot janë Taliban 1.0 me një ndryshim të madh; ata janë shumë më të armatosur se talebanët që sunduan mbi pjesën më të madhe të Afganistanit nga viti 1996 deri në 2001. Tani ata hyjnë në betejë me automjetet e blinduara amerikane dhe pushkët M-16 që mbetën pas nga ushtria amerikane. Talibanët sot përballen gjithashtu me një lëvizje opozitare shumë më të dobët në Afganistan se sa ishte rasti i talebanëve para 11 shtatorit.

Duke sinjalizuar dobësi për Rusinë dhe Kinën

Kur Biden foli me popullin amerikan më 31 gusht 2021, kur ushtarët e fundit amerikanë u larguan nga Afganistani, ai e cilësoi tërheqjen si një mënyrë për të pozicionuar ShBA-në për të konkurruar më mirë kundër rivalëve të fuqisë së madhe, duke thënë: "Ne jemi të angazhuar në një konkurrencë serioze me Kinën. Kemi të bëjmë me sfida në fronte të shumta me Rusinë...dhe nuk ka asgjë që Kina apo Rusia do të donin më shumë në këtë konkurrencë sesa Shtetet e Bashkuara të zhyten në një dekadë tjetër në Afganistan. "

Ky ishte një arsyetim absurd: për vite me radhë si Kina ashtu edhe Rusia kishin shpresuar të largonin forcat amerikane nga Afganistani, sepse vendi kufizohet me Kinën dhe republikat e ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas ushtrisë amerikane, Rusia kishte mbështetur fshehurazi talebanët, ndërsa kinezët ishin afruar më shumë me talebanët në vitet e fundit. Ndërsa u tërhoqën nga Afganistani, amerikanët braktisën bazën e madhe ajrore Bagram, e cila mund të strehonte deri në 10,000 trupa; është e vështirë të imagjinohet një vend më ideal nga i cili mund të përfshihesh në konkurrencë me Kinën ose Rusinë.

Nuk duket e rastësishme që tre muaj më vonë presidenti rus Vladimir Putin zhvendosi një ushtri në kufirin me Ukrainën si një prelud për pushtimin e tij të vendit.

Një humbje e parashikueshme

Sipas një raporti në lidhje me atë tërheqje të menduar në shkurt nga senatorët republikanë të ulur në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, takimi i parë i Shtëpisë së Bardhë për të diskutuar evakuimin e amerikanëve dhe afganëve nga Afganistani u zhvillua më 14 gusht, vetëm një ditë para se talebanët të pushtonin Kabulin dhe afganët nga Afganistani. Pesë muaj pasi Biden kishte njoftuar për herë të parë publikisht tërheqjen totale të ShBA-së nga vendi.

Biden u krenua se ushtria amerikane më pas nxori 124,000 afganë nga Afganistani, duke e quajtur operacionin një "sukses të jashtëzakonshëm", që ishte si një zjarrvënës që lavdëronte veten për ndihmën në përpjekjen për të shuar zjarrin që ai kishte ndezur.

Katër muaj pasi talebanët morën Afganistanin, administrata e Biden ra dakord për "Samitin për Demokraci" në Uashington të përbërë nga demokracitë e botës. Vetëm pesë muaj më parë, Afganistani do të kishte marrë një ftesë për këtë samit, por Biden u kishte mundësuar talebanëve të merrnin kontrollin e vendit, gjë që i dha fund pothuajse çdo copëze të një demokracie liberale që kishte ekzistuar dikur atje.

Pas tërheqjes, vlerësimet e Biden ranë në nivelin më të ulët të presidencës së tij, ndërsa tani administrata e tij përballet me një dilemë politike të vendimit.

Meqenëse miliona afganë janë në prag të urisë, zyrtarët e Biden nuk mund t'i kthejnë plotësisht shpinën Afganistanit, e megjithatë, është e vështirë të ndihmosh afganët pa i mbështetur në një farë mënyre talebanët. Administrata Biden është përpjekur të sigurojë që e gjithë ndihma amerikane për Afganistanin të administrohet në një mënyrë që të mos përfundojë në duart e talebanëve, por realisht çdo ndihmë që ShBA tani dërgon në Afganistan synon të ndihmojë talebanët të qëndrojnë në pushtet.

Ky është padyshim një nga autogolët më spektakolar që ShBA ka shënuar ndonjëherë.

Lajme të ngjashme