139 afganë ende në Kosovë, presin “lejen” për të udhëtuar në SHBA - NACIONALE

139 afganë ende në Kosovë, presin “lejen” për të udhëtuar në SHBA

4 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Ardhja e afganëve në Kosova ishte një nga punët për të cilat Qeveria e Kosovës ishte përgëzuar nga partnerët ndërkombëtar. Hapja e dyerve për afganët, pas kërkesës që iu bë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA], vazhdon të sjellë falëndërime për Kosovën sot e kësaj dite. Por, janë edhe 139 afganë që jetojnë në Kosovë, teksa presin për të udhëtuar drejt SHBA-së pasi procesi i verifikimit të përfundojë.

Së fundi, një falënderim për strehimin e afganëve erdhi nga Sekretari Antony Blinken pas takimit që pati me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti në Amerikë.

U takova sot me Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti të Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin Euroatlantik dhe ndërkombëtar, dhe Dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mirërpritjen e afganëve dhe mbështetjen e vendosur të Kosovës për Ukrainën”, kishte thënë ai.

Mirëpo, çështja e strehimit të afganëve ishtë përmendur edhe në takime të tjera dhe çdoherë kur afganët transefroheshin për në shtetet tjera pas procesit të verifikimit që do të duhej të bëhej në Kosovë, por jo nga kosovarët.

139 afganë aktualisht qëndrojnë në Kosovë

Tash e më shumë se një vit prej kur shtetasit afganë ishin strehuar në Kosovë, nga 1 mijë e 582 sa ishin strehuar në total, tani kanë mbetur vetëm 139.

Në një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme për Nacionale bëhet e ditur se në kampin Layia që gjendet brenda kampit amerikan Bondsteel, kanë mbëtur vetëm edhe 139 qytetarë afganë.

Sipas MBP-së, në Kosovë prej fillimit janë strehuar 1 mijë e 582 qytetarë afganë.

Deri më tani në Republikën e Kosovës janë strehuar 1582 qytetarë afgan.Aktualisht në vendin tonë janë duke qëndruar 139 qytetarë afgan të cilët janë të vendosur në Lyia/Bondsteel”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkohë, afganët për të dalë në shtetet tjera do të duhej të verifikoheshin dhe këta 139 qytetarë afganë supozohet se janë në një fazë të tillë.

Sipas MPB-së, asnjë nga afganët e strehuar nuk ka aplikuar për qëndrim në Kosovë.

“Aktualisht nuk kemi asnjë kërkesë të qytetarëve afgan të cilët kanë arritur në vendin tonë sipas vendimit të Qeverisë i cili ka aplikuar për të qëndruar në vendin tonë. Sipas marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve të gjithë qytetarët afgan të vendosur përkohësisht në vendin tonë do të largohen në drejtim të SHBA-ve apo në vende tjera.”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Por largimi i tyre për në Amerikë duket se është i pasigurt, pasi sipas raportimeve të gazetës The Wall Street Journal, Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur t’i njoftojë disa prej afganëve të strehuar në Kosovë, se nuk do t’ju lejohet hyrja në SHBA.

Nuk dihet se çka do të ndodh me afganët pas përfundimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe SHBA-së sepse marrëveshja ishte që afganët të qëndrojnë në Kosovë vetëm një vit.

Kujtojmë se Kryeministri Kurti kishte dalë për të pritur grupin e parë të afganëve të cilët u strehuan në Kosovë.

Kurti kishtë thënë se kur është në pyetje për partnerët si NATO e SHBA nuk pyesin pse por vetëm si.

“Kur bëhet fjalë për partnerët tanë sikurse NATO dhe SHBA, nuk bëhet pyetja pse, ne themi vetëm si. Të gjitha çështjet që diskutojmë janë të natyrës teknike, se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim. I falënderojmë edhe SHBA edhe NATO-n për komunikimin e ngushtë deri në këtë ditë që t’i presim këta refugjatë”, kishte thënë Kurti në gusht 2021.

Kosova ishte ndër shtetet e para që pranoi të strehonte në territorin e saj afganët që u larguan nga Afganistani, pasi shtetin aziatik e mori në duar grupi i talebanëve.

Përveç Kosovës edhe shtete e tjera të rajonit kanë strehuar numër të konsiderueshëm të afganëve.

Kujtojmë që afganët, të cilët bashkëpunuan me SHBA-të, u shpërngulën dhe ikën nga vendi i tyre pas tërheqjes së ushtrisë amerikane dhe rikthimit të talebanëve në pushtet.

Lajme të ngjashme