Afganët edhe në takimin Blinken-Kurti: Keqkuptim tjetër, apo po i ndërrohet pozita gjeografike Kosovës?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më në fund ka pasur takim me një zyrtar të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtari ishte Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Por, një pjesë e agjendës që po shtyhet me të madhe nga ky i fundit mund të jetë mjaft problematike për Kosovën. Për çka po bëjmë fjalë?
Kurti u nis drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanollin dhe me presidenten Vjosa Osmani.
Arsyeja e deklaruar ishte nënshkrimi i marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), por ky nënshkrim do të jepej nga ministrja Rizvanolli dhe jo nga kryeministri apo presidentja.
Megjithatë, në fund të njoftimeve të tyre edhe Kryeministria por edhe Presidenca do ta shkruanin një fjali gati identike:
“...gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata do të zhvillojnë edhe takime të tjera.” – tha Kryeministria.
“Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale.” – tha Presidenca.
Pra, as Presidenca e as Kryeminsitria nuk e kishin të sigurt një takim me Sekretarin Blinken, siç edhe ndodhi. Megjithatë, pasi që ai ndodhi, mund të themi se kishin shpresë se takimi do të ndodhte.
Dhe e gjithë kjo, në mënyrë që të kishte një zhvillim të ri në politikën ditore të brendshme.
Sekretari Blinken
Sekretari Antony Blinken u shpreh si vijon për takimin me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti:
“U takova sot me Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti të Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin Euroatlantik dhe ndërkombëtar, dhe Dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mirërpritjen e afganëve dhe mbështetjen e vendosur të Kosovës për Ukrainën.”
Met today with President Osmani and Prime Minister Kurti of Kosovo. The United States supports Kosovo’s Euro-Atlantic and international integration and the EU-facilitated Kosovo-Serbia Dialogue. We appreciate Kosovo’s hospitality to Afghans and its firm support for Ukraine. pic.twitter.com/cNIrY2EwwY
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) July 26, 2022
Përsëri afganët.
Sekretari Blinken i kishte shkruar një letër kryeministrit të Kosovës edhe më 22 janar të 2022-s.
“Duke mirëpritur në mënyrë gjeneroze afganët që po presin të zhvendosen, Kosova po demonstron lidershipin që ShBA-ja dhe të tjerët mund të mbështeten.” – thuhej në njërën prej fjalive të kësaj letre.

Kosova në fakt ka strehuar vetëm rreth një mijë familje afgane për një periudhë të shkurtër disa-mujore. Shumica dërmuese prej tyre tashmë janë larguar, dhe do të strehohen në vendbanime të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Qeveria Kurti kishte përmendur strehimin e afganëve edhe si “arritje të madhe” të saj me rastin e njëvjetorit të ardhjes në pushtet.
Në fakt, ky strehim nuk ka kërkuar përgatitje të mëdha logjistike e operative e as rritje të vullnetit politik të çështjes. Derisa Kosova mbetet shteti më pro-amerikan në Evropë, nuk ka as rritje të ksenofobisë ndaj qytetarëve nga Afganistani apo nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme siç ndodh në shtete tjera të Evropës Perëndimore.
Por, Sekretari Blinken si duket nuk është informuar mjaftueshëm në lidhje me këto çështje.
Para dy vitesh, ish presidenti amerikan Donald Trump, e kishte quajtur Kosovën vend mysliman të Lindjes së Mesme.
“Një tjetër ditë e madhe për paqen, me Kosovën - me shumicë myslimane nga Lindja e Mesme – dhe Izraelin që janë pajtuar të normalizojnë raportet dhe të vendosin raportet diplomatike. Punë e mbarë! Edhe të tjera vende islame dhe arabe do të pasojnë!"

Megjithatë, shumica e kishin marrë si "gafë" cilësimin e Trumpit.
Nënteksti i përmendjes kaq të shpeshtë të afganëve është i qartë: Një shtet me shumicë myslimane po ndjek politikën amerikane.
Dialogu
Në letrën e lartpërmendur, flitej edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç u përmend edhe në takimin e djeshëm.
Së fundi është arritur të nënshkruhet nga Qeveria Kurti një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë, që ishin parë si shumë të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.
“Natyra e pazgjidhur e raporteve Kosovë-Serbi mbetet një pengesë e madhe e anëtarësisë së plotë të Kosovës dhe integrimit në institucionet Evropiane dhe Euro-atlantike,” – thuhet në një tjetër fjali të letrës së z. Blinken drejtuar Kurtit.
Por, ai ka edhe një fjali paksa më të ashpër e edhe më personale ndaj Kurtit:
“Shtetet e Bashkuara kanë sytë kah lidershipi juaj personal në rivendosjen e momentumit në procesin e dialogut duke mbajtur zotimet e mëhershme të vendit tuaj; të nxitet transparenca; të shmangen aksionet dhe fjalët që mund të rrisin tensionet; dhe të angazoheni në negociata me përqendrim, kreativitet dhe urgjencë.”
Nëse ky momentum është arritur ose jo, sipas vlerësimit të ShBA-ve, pritet ta marrim vesh brenda një periudhe të shkurtër.
Por, përmendja e strehimit të një numri të vogël afganësh nuk duket se përbën ogur të mirë për Kosovën.

