Parku i Erës, Paketat e Dullës, afganët: 12 arritjet e MËDHA të Kurtit sipas Kurtit - NACIONALE

Parku i Erës, Paketat e Dullës, afganët: 12 arritjet e MËDHA të Kurtit sipas Kurtit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka bërë një foto-grafikë me ato që i konsideron si 12 arritjet më të mëdha të saj dhe të cilat duken qesharake nëse lexohen me kudjes. Nga 12 prej arritjeve, asnjëra nuk mund të quhet “e madhe” apo të përligj “ndryshimin e madh” të premtuar derisa vetëm njëra mund të quhet arritje. Nacionale në këtë shkrim shqyrton secilin prej tyre.

Si arritjen numër 1, Qeveria Kurti II e përmend “menaxhimin e suksesshëm të pandemisë”. Në fakt, kryeministri Kurti në mënyrë eksplicite e kishte pranuar vitin e kaluar se ata thjesht ndiqnin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe autoriteteve tjera shëndëtore. Këtë pranim ai e kishte bërë kur faji ishte bërë i madh pas vdekjeve të shumta që ndodhnin në muajt gusht dhe shtator 2021.

Arritja numër 2 përmendet rritja ekonomike prej 10,53 për qind. Paketat e ish kryeministrit Avdullah Hoti kanë qenë ndër masat më radikale të ndërmarra, ashtu siç ishte edhe hapja e ekonomisë para 23 marsit të 2021-s kur kryeministri erdhi në pushtet.

Kurti përmend edhe krijimin e 25 mijë vendeve të reja të punës. Në fakt, kjo është e zorshme të besohet marrë parasysh që numri 2 aktual i Qeverisë, Besnik Bislimi, në vitin 2020 bënte edhe pretendime se po krijoheshin vende pune derisa ekonomia ishte mbyllur për shkak të pandemisë.

Si arritje të tretë përmendin “shkatërrimin e 54 grupeve kriminale”. Secili gazetar që lexon raportet ditore të Policisë së Kosovës, të quajtura raportet 24-orëshe, e di se një interpretim i tillë nuk qëndron. Grupe të ndryshme janë kapur e kapen vazhdimisht nga Policia e Kosovës. Dhe përveç kësaj, a nuk është i ndarë Gjyqësori nga Ekzekutivi?

Arritja e katërt mund të jetë i suksesshëm. “Inicimi i reformave legale për sistemin e vetingut në drejtësi.” Por, a mjafton inicimi?

Arritja e pestë e madhe e Kurtit sipas Kurtit është “rritja e mirëqenies sociale” duke përmendur specifikisht rritjen e pensioneve për pensionistë nga 90 në 100 euro. A mjafton kjo që të vlerësohet si arritje e madhe në 1 vit punë? Për më keq, kujtojmë që pensionistët kishin pasur shtesa prej 30 eurosh e të cilat ishin ndërprerë.

Arritja e gjashtë konsiderohet edhe rritja e buxhetit të mbrojtjes për 52%. Cila qeveri nuk do ta ndërmerrte këtë hap marrë parasysh rrethanat e krijuara?

Arritja e shtatë është “arsimimi publik falas”. Kurti kishte ulur për 25 euro pagesën e semestrit, njësoj siç kishte bërë në të kaluarën e tij edhe Hashim Thaçi. Sidoqoftë, arritje është që janë ofruar 1365 bursa për studentet gra në fushat e shkencave natyrore.

Si arritje e tetë konsiderohet “ringjallja e ndërmarrjeve publike”. Në këtë pikë ata kanë përmendur edhe Parkun e Erës, një projekt të nisur gjatë kohës së Qeverisë Haradinaj II dhe për të cilën investimi nuk ishte bërë fare nga Kosova.

Arritja e nëntë e përmendur qëndron.

Arritja e dhjetë po ashtu është problematike. Përkundër që janë dhënë subvencionet, bujqit kanë mbetur të pakënaqur për shkak të shumës por edhe vonesave.

Arritja e njëmbëdhjetë, dëgjoni me kujdes, konsiderohet edhe shkarkimi i ambasadorëve. Nuk ka nevojë të flasim më shumë.

Dhe arritje e dymbëdhjetë – merreni me mend - konsiderohet strehimi i refugjatëve afganë.

Lajme të ngjashme