Pse Shqipníja të okupohet me albinkurtizëm?
Po, në ditën e 17-të, duhet ta pranojmë se protestat në Tiranë i korrën do fitore në rrafsh imazhi e simbolikash. Pamjet me dron na shfaqin një protestë ku njerëzia duket si një lum i pafund. Simbolet e flamingove fotografohen e pasqyrohen nga mediat e huaja. Reklamat e protestës në rrjete sociale shoqërohen nga lirikat e Michael Jacksonit: “Beat me, hate me. You can never break me. Will me, thrill me. You can never kill me. Jew me, sue me. Everybody do me…” Por kush po rrihet, burgoset a vritet n’Shqipnín e 2026-s?
Protestuesi mesatar ka bindjen se, me t’u hequr Rama me të tijët, do të vijë një shtet mesianik që të siguron vend pune sapo të diplomosh, të mban me provizione bujare, urdhëron me dekret që çmimet në rafte mallrash të jenë të lira, ndërton fabrika, me një fjalë një patron bamirës. Por a janë të sigurt se ky shtet ekziston diku dhe, nëse ekziston, a do ta duronin praninë e tij në jetën e tyre?
Col Mehmeti
Protestat andej Drinit tani me ndërruesin e shpejtësisë kanë kaluar në të dytën e po bëhen gati edhe për në të tretën.
Masive si asnjëherë më parë në historinë e këtij tranzicioni të gjatë sa një shekull, ato tashmë e kanë krijuar një identitet të çuditshëm.
Shamata fillestare për Zvërnecin dhe kolonitë e flamingove e pelikanëve duket se është harruar edhe nga ata që janë më zëçjerrësit në radhët e para të protestave.
Nëse penjtë e trazimit u luajtën nga një Trumpofobi globale që nuk e sheh më sy ndonjë monument triumfi të Amerikës republikane, protestat nga ditë në ditë po e marrin nga një surrat të ri.
Në ditët e para, telat me xhemba, një minoritar që tërhiqej zvarrë dhe një milici private që e ruante resortin e planifikuar e krijuan imazhin fals të një gjendje pararevolucionare.
Sherri i madh gjithmonë merr krahë kur një skenë e realitetit falsifikohet ashtu që të duket sikur çizmja e pushtetit po e shkel në fyt të ngratin e të pafajshmin.
Një gënjeshtër tjetër sikur ‘zionistët’ izraelitë po i ngulnin thonjtë mbi tokën shqiptare mjaftoi që të nxirrte në sipërfaqe krejt atë që Kadare dikur e quante antiShqipëri.
Porcione fanatikësh islamikë e antiperëndimorë të të gjitha ngjyrave përnjëherësh na u bënë mbrojtës kombi më shumë se miliona shqiptarë të ndershëm, të heshtur e taksapagues.
Hija që nuk e kap droni
Por, ditëve në vijim në hapësirën e protestës u bënë të numërt ata që sot janë të rinjtë e lindur e rritur në post-tranzicion, brezi Z, të lindurit nga viti 1997 gjer më 2012.
Do të ishte dashakeqësi e pafalshme që krejt ky lum njerëzish të rinj të damkoset.
Ata janë të dëlirë, por jo edhe kauza e pakauzë në pankartat e brohorimat e tyre.
Nëse flasim pa pasionin e turmës në shesh dhe turmës tjetër në internet, kjo kauzë nuk duket se do ta nxjerrë Shqipërinë në selamet.
Patjetër se Shqipníja e Ramës do të ikë njësoj siç iku me zahmet ajo e Berishës e para saj edhe bota e nëmur e Alisë.
Historia nuk ka vetëm episode fitoresh e humbjesh, por më shumë ka absurde që përbëjnë esencën e njerëzimit të papërsosur.
Dhe shpesh qederi i madh ndodh kur rrjedha e natyrtë e gjërave zëvendësohet nga një ngarendje e çmendur pas obsesioneve të çastit.
Protestat dalëngadalë po konsumohen nga një nevojë e rreme për të përbrendësuar identitete e imazhe që pak e hiç i shëmbëllejnë realiteteve tona.
Pamjet e stërpërsëritura me dron, edhe kur janë autentike, mund të jenë më të gënjeshtërta sesa po të sajoheshin me inteligjencë artificiale.
Pamja nga sipër e një lumi njerëzor që zgjatet gjerë e gjatë sheshit është e vërtetë nga pamja e jashtme, por jo në mesazhin sikur të rinjtë po e bëjnë revolucionin duke parë nga e ardhmja.
Nëse zbresim nga droni dhe hyjmë poshtë midis protestës, duke anashkaluar demagogët e mistigogët e talentuar, është një dikush që është vetë protagonisti e për të cilin nuk flitet fare.
Në krahët e një miti të trashë
Ky personazh është në të vërtetë një shumicë e të rinjve që kanë trashëguar pavetëdijshëm e pa fajin e tyre vesin më të rëndë të postkomunizmit.
Bëhet fjalë për keqkuptimin blatant të konceptit të shtetit prej të cilit pritet një vend pune i garantuar, një shoqëri pa dallesa statusesh sociale dhe dhurim paketash me ndihma sociale.
Ky ves bën bashkë plot e plot shoqëri të Evropës Lindore që e jetuan komunizmin dhe panë me sytë e tyre shkatërrimin e tij.
Daljen nga robtimi komunist në botën e një ekonomie të tregut të lirë ku shtetit i hiqej centraliteti, jo shumë shoqëri e kapërcyen me fatbardhësi.
Duke qenë se rruga drejt demokratizimit, krijimit të institucioneve të lira dhe një ekonomie vitale ishte e zorshme, mu atëherë lindi njëfarë nostalgjie për konceptimet komuniste të botës.
Ishte mallëngjimi qyrravec për shtetin e dikurshëm komunist që jepte provizione, që garantonte vende pune dhe nuk lejonte modele ndërmarrëse që shkëputeshin nga mesatarja.
Edhe në ato vende ku komunizmi u zvëtënua në barbarizëm dhe u ndjesua si ‘okupim i huaj’, çmimi i lartë i tranzicionit dhe përvoja e re me papunësinë çoi në një rrokatje emocionale e në kujtesë selektive për ancien régime (regjimin e vjetër).
Kjo atitudë ku prej shtetit priten gjëra që nuk janë të tij vazhdon të jetë brain fog-u i gjithë botës ish-komuniste.
Regjimi albinkurtist, siç është sot në Kosovë, nuk është këtu sepse fitoi me vota, bëri sakrifica ose pati kauzë të hajrit.
Triumfi i Albin Kurtit ishte në të vërtetë dëshmia e pakëndshme se jugosllavizmi si ideologji e mentalitet banon i gjallë e i fortë te një shumicë e madhe njerëzish.
Ky jugosllavizëm nuk duhet ngatërruar nevojisht me nostalgjinë e aparatçikëve të rrëzuar nga fiku i sistemit të dikurshëm.
Jugosllavizmi është një vernik i mendësisë së komunizmit çmërs që beson se shteti duhet të jetë i armatosur edhe më të drejtën që të hallakasë mes raftave të shitoreve, të lirojë me vendim çmimet e të presë koka tregtarësh.
Lexo edhe: Yugo e Zastava
Një Shqipní, shumë Shqipní
Prandaj, kur dëgjojmë protestuesit e rinj në Tiranë tek kërkojnë një shtet të tillë, me funksion patroni madje, e kupton që një fantazmë gjezdis frikshëm mbi pjesën tonë andej Drinit.
Po, vërtet oligarku është bërë fjalë frike dhe secili prej neve sikur sikletoset vetëm nga ideja që mund të shihet bashkë me dikë që besohet se vetëm rrëmben, majmet e pasurohet nga të tjerët.
Por a është reale që do të shkatërrohet kjo Shqipní në të cilën ka edhe oligarkë që janë mirë me letra, por ka edhe revolucionarë që bërtasin për jakobinizëm dhe askush nuk i trazon?
A ia vlen të shkatërrohet kjo për një Shqipní le të themi arlindqoriste, adriatiklapiste a agronshehaiste për të cilën nuk ia kemi idenë sesi do të duket?
Një Shqipní ku s’ekzistojnë hilet e zemërthyerjet është e realizueshme teorikisht, e realizueshme për protestuesin me pankartë, por askush nuk jep garancë se po të njejtit të rinj do ta gjejnë veten të aktualizuar në të.
Shteti inekzistent i fabrikave, vendeve të punës dhe provizioneve
Më afër se një Shqipní të drejtësisë, protestuesit kanë një version albinkurtist siç ngjau në Kosovë nga 2021-a e do të vazhdojë një dreq-e-di se kur.
Edhe Kosova protestuese e 2015-s i binte fyellit të barazisë, edhe atëherë njerëzit ankoheshin se shteti s’po hap fabrika e nuk po siguron vende pune, edhe atëherë fatkeqësia personale i atribuohej pasurimit të këtij ose atij.
Imagjinarja kolektive ishte konceptimi më banal komunist i shtetit dhe rolit të tij.
Pas gjashtë vitesh nën albinkurtizëm, sot askush më s’kërkon “fabrika shteti” apo “shtet që ta siguron vendin e punës”.
Regjimi kurrë nuk e pranoi një të vërtetë banale që mbase e dinte që kur.
Që shteti s’ka kaçik më për të diktuar si dikur ekonomi të centralizuara, që më bazamenti industrial nuk mban në këmbë ekonomi kompetitive, dhe që më nuk është paternalist si dikur vis-à-vis individit.
Në kushtet e logjikës së suspenduar dhe populizmit që arsyeton çdo maskarallëk, shteti mund të vijë në atë zavall ku krejt paranë publike e keqpërdor në një sistem sadake që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë sa më shumë që pjellin kriza.
Prandaj, pankartat e brohorimat në Tiranë fare pak i thonë të ardhmes “Mirëseardhsh!”