Yugo e Zastava - NACIONALE

Yugo e Zastava

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Nëse gjithçka do të ishte mbarë e mirë, tani Kosova do të kishte një dyzinë fabrikash të shtetit.

Sipas një fantazie të bukur, nga ato që i polli ‘Vetëvendosja’ në vitet e saj të adoleshencës, fabrikat do të ishin në vlug pune rrum 24 orë.

Nga duar punëtorësh e procesime makinerish do të dilte turlifarë prodhimi vendor që do të eksportohej në botë si mall ‘Made in Kosova’

Hahaha!

Albin mrekullori thjesht do t’i ngjallte uzinat skeletura të kohës së ish-Jugosllavisë e do t’i shpëtonte ato nga shitja për hekur.

Kjo ka qenë përrallisja më e madhe të cilës i kanë dhënë dorë sa Albini e sa vetë gjindja.

Besohej marrëzisht se fabrikat fantazma që ngordhën barabar me Jugosllavinë ishin të tilla sa i tejkalonin edhe ato në Perëndim.

Por ja që një armik i quajtur ‘privatizim’ nuk po linte gur pa lëvizur vetëm e vetëm që ato të shkatërroheshin.

Jugosllavizma askund tjetër nuk ka mbijetuar më mirë sesa në bestytninë e saj se ‘fabrikat e shtetit’ ishin burim bereqeti e lumturie popullore.

Jugosllavizma ka mbijetuar po kaq edhe me mistifikimin e agjencive të privatizimit si përbindësha që ua vodhën njerëzve ‘fabrikat’.

Harrohet me dashje se ekonomia e centralizuar jugosllave, njësoj si kudo në Evropën komuniste, i kishte fabrikat jo aq për prodhim sa për stisje mashtrimesh.

Pa asfarë nocioni rreth kompeticionit e tregut të lirë siç zhvillohej në Perëndim, ‘fabrikat’ e tilla që financoheshin nga shteti prodhonin lëndën e iluzionit të madh.

Me këtë prodhim mbahej me sot e me nesër paqja e zaiftë sociale.

Kur dëgjojmë njerëz që derdhin lot se “fabrikat u shkatërruan e u shitën për hekur”, këtu pak-e-hiç ka origjinalitet.

Ai është një import socio-kulturor nga jashtë.

Këto ofshama, këto nostalgji për fabrikat në kohë të Fadilit, duken veçse jehonë e sociolekteve nga serbishtja, kroatishtja a boshnjakishtja.

Edhe atje, gjithandej ish-Jugosllavisë, dëgjon sot e gjithë ditën pensionerë tek qahen për fabrika “prodato u staro gvožđe” (u shitën si rraqe hekuri), “rasprodato u bescenje” (u shitën për kurgja hiç), apo “uništeno pa prodato” (u shkatërruan e mandej u shitën).

Kur u shpërrallis në fronin e kryeministrit, vetë Kurti e pa që nuk ishte punë që bëhej ringjallja e ‘fabrikave të popullit’.

Ashtu si Yugo-të e Zastava-të nuk prodhohen e as nuk përditësohen në një botë të tejpërparuar me makina ekologjike, ashtu edhe ‘fabrikat’ e njëherë-e-një-kohe nuk ngjallen dot nga gërmadha e hekurave.

Kurti e di këtë dhe e ndjen edhe ankthin që i sjellë dita-ditës mendimi se në çfarë do të ngelë trashëgimia e tij.

E sigurt që atë nuk do ta kujtojë njeri i gjallë për mrekullinë e fabrikave me tymtarë si shenjë e punës dhe prodhimit të paprerë.

Nuk do të kujtohet për asgjë kthesëshënuese.

Nëse budallenj fshati tashmë e kanë bronzuar me përmendore, si rasti në Peran të Besianës, Albini është i interesuar për përmendore tjetërfare.

Ai do që emri i tij të asociohet me mite kolektive, si dikush që nisi diçka të madhe, por ‘të ligjtë’ ia vunë kleçkën.

Deshi ta çlironte veriun, por ja që e gjithë bota u ngrit në këmbë, i vuri sanksione dhe e sprapsi nga nijeti i mirë. Kjo e kënaq, domethënë pamundësia e iluzionit!

Deshi t’ua konfiskonte pasurinë hamësve, por ja që ligjit iu deshën vite zvarritje për t’u vënë në jetë.

Ligj për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme…ah, sa i bukurtingëllueshëm! A i rezistohet bre?

E cili njeri nuk e bekon një ligj që do ta lëshojë sëpatën e drejtësisë mbi zhvatësit?

Askush i bémi nuk do ta lexojë ndonjëherë që ligji në fjalë nuk është xhandari që duam e që Byroja ka veçse rol propozues që Gjykata pastaj të merret me verifikime.

Ustahu ynë i mirë, Arbër Ramadani, e pati shpjeguar shkurt-e-shqip krejt ligjin, por asohere njerëzia fluturonin në hava bashkë me Albinin me ide fantaziste sesi ‘drejtësia’ popullore do të merrte frerët në dorë.

Kështu shfaqet fuqia e Kurtit, jo si përmbushës i ndonjë pune te hajrit, por krijues i mitit sikur ai e nisi këtë e atë, deshi t’i rraste të ligjtë në burg, po s’e lanë, deshi ta çlironte veriun, po nuk e lanë, deshi t’i japë fund mediave ‘që e kanë tepruar’, por s’e lanë.

Kurti vullnetplotë e vizionar që pengohet nga gjithçka e gjithkush.

Kjo është përmendorja mitike jofizike që nuk po zë vend në sheshe, por në mendje të budallepsura.

Pritja e një Godoje që duhet të vijë e nuk vjen është mendësia shquese e shqiptarëve në Kosovë.

Ky absurd beckettian me Vladimirin e Estragonin është vetja jonë e pazbukurimtë dhe cullake.

Presim shfaqjen e Godosë si shpëtimtar e ndërkohë plakemi e na shkon jeta në cikërrima e kotësi të kotësive.

Lajme të ngjashme