Raporti i rëndë i Parlamentit Evropian: S'ka përparim në luftën kundër korrupsionit, përkundrazi “ka prapakthim shqetësues” - NACIONALE

Raporti i rëndë i Parlamentit Evropian: S'ka përparim në luftën kundër korrupsionit, përkundrazi “ka prapakthim shqetësues”

3 orë më parë

nga NACIONALE

Atributin më të madh politik dhe qeverisës vetes ia shënon "anti-korrupsionin," por Albin Kurtit të Vetëvendosjes del se kjo nuk i njihet as nga institucioni ndërkombëtar më miqësor ndaj Kosovës: Parlamenti Evropian.

Në raportin për Kosovën që u miratua dje me votë dërmuese në PE, korrupsioni njihet si aspekti "më shqetësues" në Kosovë dhe për problem "sistemik."

Aty shprehet në rend të parë keqardhje për rënien e Kosovës në Indeksin për Perceptimin e Korrupsionit në vitin e kaluar.

Kjo referencë te Indeksi për Perceptimin e Korrupsionit kaherë kishte qenë arsye mburrjeje për Albin Kurtin në rastet kur shënonte ulje.

Në rezolutën e miratuar më 17 qershor mbi Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, eurodeputetët "shprehin shqetësim të thellë për progresin e pamjaftueshëm të arritur në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi."

Parlamenti Evropian shpreh gjithashtu keqardhje për mungesën e rezultateve konkrete, pavarësisht zotimeve të institucioneve.

Eurodeputetët "shprehin keqardhje për mungesën e progresit të prekshëm strukturor në këtë fushë, pavarësisht zotimeve të marra."

Aty shtohet se "korrupsioni mbetet problem sistemik që minon funksionimin e institucioneve publike dhe besimin e qytetarëve."

Rezoluta ndalet edhe te përkeqësimi i pozitës së Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Kosova ka rënë në vendin e 76-të nga 182 shtete; tre pozita më poshtë krahasuar me një vit më parë. Eurodeputetët e cilësojnë këtë si "regres shqetësues pas një periudhe përmirësimi gradual."

Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve të Kosovës për masa të menjëhershme dhe të matshme. Kërkohet miratimi dhe zbatimi "pa vonesë" i masave "konkrete, efektive dhe të verifikueshme" kundër korrupsionit.

Kërkohet gjithashtu miratimi i shpejtë i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Planit të Veprimit 2025-2028. Eurodeputetët kërkojnë përdorim më të madh të deklarimit të pasurisë dhe konfiskimit të pasurisë.

Rezoluta thekson nevojën për forcimin e pavarësisë së institucioneve kundër korrupsionit dhe koordinimin mes prokurorisë, policisë dhe inteligjencës financiare. Vërehet se rekomandimet e mëhershme të Komisionit Evropian ende nuk janë zbatuar.

Albin Kurti i Vetëvendosjes garon me platformë të vetëstiluar antikorrupsioni si krekosjen e tij më të madhe qeverisëse.

Muaj më parë në Londër, në ODI Global, e jepte anti-korrupsionin edhe si punë të kryer.

"Me kabinetin tim të mirëarsimuar e të klasës së mesme… ne ia dolëm ta kthejmë antikorrupsionin në rritje ekonomike, lirinë në zhvillim, dhe virtytin në besim," deklaroi Kurti.

Lajme të ngjashme