Zyrtari taleban flet për CNN: Gratë e këqija ne i mbajmë në shtëpi - NACIONALE

Zyrtari taleban flet për CNN: Gratë e këqija ne i mbajmë në shtëpi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i lartë i talebanëve ka bërë më shumë premtime për të drejtat e grave, por është shprehur se “gratë e këqia” duhet të qëndrojnë në shtëpi

Një zyrtar i lartë taleban ka përsëritur zotimin e grupit për të lejuar vajzat të kthehen në shkollën e mesme, duke thënë se do të ketë "lajme të mira së shpejti", por sugjeroi që gratë që kanë protestuar kundër kufizimeve të regjimit ndaj të drejtave të grave duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Sirajuddin Haqqani, ushtrues detyre i ministrit të brendshëm të Afganistanit dhe bashkë-zëvendës i udhëheqësit të talebanëve që nga viti 2016, i bëri komentet në një intervistë ekskluzive me Christiane Amanpour të CNN në Kabul.

Pas shumë premtimeve që i bënë në muajin mars se vajzat mund ta ndjekin sërish shkollën e mesme, ata e shtynë këtë vendim për një kohë të pacaktuar.

I pyetur për gratë afgane që thonë se kanë frikë të largohen nga shtëpitë e tyre nën sundimin e talebanëve, dhe ato që kanë raportuar një efekt rrëqethës të udhëheqjes së grupit militant, Haqqani tha duke qeshur: "Ne gratë e këqija i mbajmë në shtëpi".

Pasi zyrtari iu kërkua të sqaronte komentin e tij, ai tha: "Duke thënë gra të këqia, bëra një shaka iu referohem atyre grave të këqija që kontrollohen nga disa palë të tjera për të vënë në pikëpyetje qeverinë aktuale".

Haqqani vendosi gjithashtu disa parametra për të ardhmen e grave dhe punës, të cilat do të kufizohen nga interpretimi i talebanëve të ligjit islam dhe "parimeve kombëtare, kulturore dhe tradicionale".

"Ato lejohen të punojnë brenda kornizës së tyre," i tha ai gazetares së CNN.

Ministri taleban foli për herë të parë për një media perëndimore, vetëm disa muaj pasi shfaqi për herë të parë fytyrën e tij në publik.

Ky zyrtar i rangut të lartë dhe intensivisht i fshehtë kërkohet nga FBI dhe është klasifikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një "terrorist global". Për mometin ekziston një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e tij.

Komentet e tij mbi arsimimin e vajzave dhe të drejtat e grave vunë në dukje një sërë pretendimesh se "nuk ka njeri që kundërshton arsimimin (e vajzave)" në qeverinë afgane.

Haqqani tha se tashmë vajzat lejohen të shkojnë në shkollë deri në klasën e 6-të dhe mbi atë klasë po vazhdon puna për një mekanizëm.

“Dashtë Zoti, shumë shpejt do të dëgjoni lajme shumë të mira për këtë çështje”, shtoi ai, pa specifikuar një afat kohor.

Më pas, ndihmësit e Haqqanit thanë se intervista ishte një përpjekje për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me ShBA-në dhe botën.

Edhe pse talebanët i kanë dhënë vazhdimisht garanci komunitetit ndërkombëtar se do të mbrojnë të drejtat e grave dhe vajzave që nga pushtimi i Afganistanit në gushtin e kaluar, ata kanë hequr njëkohësisht shumë nga liritë e tyre.

Shumë gra dhe vajza të moshës shkollore tashmë e kanë humbur shpresën.

"E gjithë qeveria e tyre është kundër arsimimit të vajzave," tha 19-vjeçarja Maryam për CNN të martën. "Unë nuk besoj se talebanët i përmbushin premtimet e tyre ... ata nuk i kuptojnë ndjenjat tona."

"Hap pas hapi ata po marrin të gjitha liritë tona," shtoi Fatima, 17 vjeç. "Talebanët tani dhe talebanët e viteve '90 janë të njëjtë - nuk shoh ndonjë ndryshim në politikën dhe rregullat e tyre.”

"Shpresa jonë e vetme është që komuniteti ndërkombëtar të sjellë presion ekstrem mbi talebanët për t'i lejuar vajzat të shkojnë në shkollë. Asgjë tjetër nuk do të funksionojë."

Maryam dhe Fatima, ashtu si edhe gratë e tjera me të cilat foli CNN, nuk dhanë mbiemrat e tyre për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre.

Komentet e Haqqanit nuk duket se do të ndikojnë në inkurajimin e vëzhguesëve se talebanët janë seriozë në lidhje me angazhimet e tyre.

"Të gjithë nga lidershipi i talebanëve kanë zero kredibilitet për këtë çështje," tha për CNN Heather Barr, drejtoreshë e asociuar e Divizionit të të Drejtave të Grave në vëzhguesin ndërkombëtar Human Rights Watch.

"Ata kanë bërë deklarata për respektin e tyre të supozuar për gratë dhe vajzat, që nga marrja e pushtetit," shtoi Barr. “Por, çdo ditë kishte një goditje të re ndaj grave dhe kjo ka vazhduar të intensifikohet me kalimin e kohës”.

Ndërkohë, javën e kaluar, ministrat e Jashtëm të G7 dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian shprehën "kundërshtimin më të fortë" kundër kufizimeve në rritje të vendosura nga talebanët për të drejtat e grave dhe vajzave.

Haqqani i tha CNN se "gjykimet, kërkimet dhe vendimmarrja e komunitetit ndërkombëtar janë të gjitha të njëanshme", duke shtuar: "Ne jemi ende në fazën paraprake. Kanë kaluar pothuajse tetë muaj që kur morëm qeverinë ... ne ende jemi duke u munduar ta kthejmë situatën në normalitet.”

Pas marrjes së pushtetit, talebanët kanë kërkuar që gratë të qëndrojnë në shtëpi dhe luftëtarët e tyre kanë përdorur kamxhik dhe shkopinj kundër atyre që kanë protestuar. Në muajt në vazhdim, atyre u janë ndaluar pjesë të mëdha nga jetës publike - nisur nga shfaqja në televizion deri tek udhëtimet rrugore vetëm. Ndërsa, një dekret i ri në fillim të këtij muaji tha se gratë duhet të mbulojnë fytyrën e tyre kur janë në publik.

Duke u pyetur nga CNN nëse të gjitha gratë duhet të mbulojnë fytyrat e tyre, Haqqani u përgjigj: "Ne nuk po i detyrojmë gratë të veshin hixhabin, por po i këshillojmë dhe po u predikojmë atyre herë pas here ... nuk është i detyrueshëm, por është një urdhër islamik që të gjithë duhet ta zbatojnë”.

Në rrugët e Kabulit, izolimi në rritje i grave nga shoqëria ka lënë shumë njerëz në rrezik ekonomik. “Më duhet të punoj”, tha një grua e quajtur Khotima për CNN. “Duhet të na lënë të punojmë se ne duhet të bëhemi burra të familjes që të gjejmë bukë për fëmijët."

"Kur nuk keni para, kur nuk keni punë, nuk keni të ardhura, a do të mund të hani ushqim kur nuk ka punë?" shtoi një grua tjetër me emrin Farishta.

Lajme të ngjashme