Serbët e Kosovës nuk janë të kënaqur me Vuçiqin e Srpskan, Kurti ka një shansë reale në veri - NACIONALE

Serbët e Kosovës nuk janë të kënaqur me Vuçiqin e Srpskan, Kurti ka një shansë reale në veri

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Qeveria e Kosovës e ka të thjeshtë luftën ndaj Serbisë sa i përket veriut dhe serbëve lokalë derisa pakënaqësia e tyre me Vuçiqin rritet: duhet të 'blejë' mbështetjen e tyre për Kosovën.

Ajo çka ndodhi në veri të Kosovës, s’do të mbetet në veri të Kosovës.

Strukturat paralele serbe edhe një herë tjetër u bënë bashkë me Aleksandër Vuçiqin për të terrorizuar banorët serbë e shqiptarë në veri. Bile, jo veç në veri por edhe në krejt Kosovën. Bandat që vepruan në emër të mbrojtjes së serbëve, i terrorizuan serbët. Çështja kishte pak të bënte me qytetarët e rëndomtë. Askush prej këtyre qytetarëve nuk ka interes për tensionet dhe dramën që na shfaqet nëpër televizionet tona, meqë iu prek përditshmërinë e tyre.

Qeveria Kurti kishte marrë vendim që të zbatonte një farë reciprociteti mbi letërnjoftime. Pra, as që bëhej fjalë për reciprocitetin e plotë ekonomik, politik e tregtar siç ishte premtuar më 12 shkurt 2021 nga Albin Kurti.

Bëhej fjalë për një reciprocitet që s’do t’i ndihmojë asgjë Kosovës derisa do t’jua vështirësojë qarkullimin qytetarëve të saj. Bëhej fjalë për nacionalizëm, meqë kurrfarë reciprociteti i pjesshëm nuk është reciprocitet tamam. Për ta ilustruar, ky lloj reciprociteti bën si vijon: “Ajo që ma bën ti mua, ta bëj edhe unë ty... deridiku”.

Në tjetrën anë, ky veprim i dha hapësirë një egërsimi të pabesueshëm të propagandës serbe kundër Kosovës. Të gjithë ne që jetojmë në Kosovë e dimë se nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën fjalët se “serbët në Kosovë po shtypen” apo se “ushtria e Kosovës do të sulmojë veriun në mesnatë”. Por, matanë nesh ekziston një botë që fatkeqësisht nuk lodhet shumë me gjetjen e të vërtetës dhe kërkon më shumë "drama ballkanike" për ta argëtuar veten.

Është e vërtetë se BE-ja me ShBA-të janë tepër të interesuara në ruajtjen e stabilitetit. Por, është e vërtetë edhe se duan (të paktën ShBA-ja) që t’i japin fund status quo-së (që sipas amerikanëve i shkon në favor Rusisë). Shtyrja e djeshme e vendimit për zbatim erdhi si këshillë nga ShBA-ja, por megjithatë presioni i tyre ndaj Kosovës e Serbisë është rritur e po rritet. Kërkohen hapa domethënës përpara, ani pse në Serbi e kemi një pushtet autokratik e të çoroditur ndërsa në Kosovë një pushtet që është e qartë se ka nevojë për kohë që të mësohet me menaxhimin e rrethanave të vështira (i duhet kohë që të mësohet me menaxhimin e gjithçkaje, në fakt).

E keqja e madhe në këtë mes - siç e kam thënë qindra herë tjera ndoshta - është shpërfillja e plotë e qytetarëve të rëndomtë. Dialogu në Bruksel bëhet mes politikanësh të dalë nga demokraci përfaqësimore me njëmijë e një mangësi. Bëhet nga lart-poshtë. Në anën tjetër, Serbia dhe Kosova i kanë bërë sa për sy e faqe do dialogje të brendshme me qytetarët, e që ishin thjesht dhe vetëm monologje të brendshme të liderëve të tyre. Mospërfshirja e qytetarëve në mënyrë strategjike në procesin e dialogut, do të vazhdojë ta minojë procesin dialogues, e nesër edhe marrëveshjen finale “ligjërisht të obligueshme” siç thuhet. Por, cili ligj i imponuar nga lart arrin të obligojë shqiptarët e serbët, pashë zotin?

E djeshmja ishte një përsëritje e asaj që kishte ndodhur në shtatorin e kaluar. E djeshmja ishte në mesin e shumë aksioneve policore që ndodhin gati përditë në veri të Kosovës. Policia shkon, bën video patriotike me këngë të Ilir Shaqirit, dhe kur situata merr përmasa mediatike e politike siç ndodhi dje, kthehet. Por, bashkë me Policinë kthehen edhe shprehitë e fituara nga policët gjatë këtyre aksioneve.

Më e rëndësishmja është përpjekja e madhe për “mospërshkallëzim të situatës” që vjen në formën e një kontrolli rigoroz informacionesh. Kontroll që mund të degjenerojë detyrime të caktuara ndaj institucioneve tjera dhe në rrena që bëhen më pas të vërteta zyrtare. Po ashtu, një shprehi tjetër mund të jetë edhe policimi nën frymëzim të muzikave turbofolk, apo edhe tjera, edhe në Prishtinë, Gjilan e Prizren. Dhe më e rëndësishmja, shprehia e politikanëve (siç bëri dje Albin Kurti) për të rrëshqitur po ashtu në turbofolk e për të etiketuar media të caktuara si "të paguara nga Serbia".

Kosova e ka një luftë të qartë me Serbinë para vetes, e të cilën nuk duhet ta injorojë. Jo luftën e dramave televizive, e atë se kush pengon më shumë qytetarët në punët e tyre. E ka përpara luftën për ‘blerjen’ e besnikërisë së serbëve lokalë, dhe jetësimin e karakterit të multietnicitetit.

Qytetarët serbë të Kosovës nuk janë, siç paragjykohen, të nënshtruar krejtësisht ndaj Vuçiqit. Falë rrjeteve shoqërore të Internetit, po e shohim që peizazhi politik mes tyre është i shumëngjyrshëm. Fakti që Qeveritë e kaluara kanë dështuar në mënyrë mjerane të fitojnë (ose edhe të nisin) luftën ndaj Serbisë për serbët tanë, fakti që nuk kanë bërë asnjë investim kapital në vendbanimet e tyre, nuk do të thotë se Qeveria Kurti duhet të rrijë duarkryq. Dhe situata e tanishme - kur bandat që i kontrollonte Vuçiqi janë jashtë kontrollit të tij për shkak të mospajtimeve mbi qëndrimin ndaj Rusisë - është një mundësi ideale për një ndërrim të kursit politik.

Në vend se ajo që ndodh në veri të mos bartet në pjesët tjera të Kosovës, duhet që pjesët tjera të Kosovës të ‘barten’ atje. Jo me anë të policisë turbofolk e joprofesionale, por përmes investimesh të mëdha e serioze publike, përmes sigurisë dhe përmes ofrimit të platformave për demokraci që do të rrisnin mirëbesimin mes komuniteteve.

Lajme të ngjashme