Fjalim i gjatë i Kurtit: Kërcënime, tallje e këshilla morale - NACIONALE

Fjalim i gjatë i Kurtit: Kërcënime, tallje e këshilla morale

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Albin Kurtin e ka marrë malli të flasë. Jo si pushtetar e kryeministër, por si filozof, udhëhëqës i një partie që realizon shoqërinë, e vizionar i kombit. Kurtit nuk i pëlqen gjuha prej pushtetari. Sepse, ajo është gjuhë që e redukton fjalamaninë e tij, aq më shumë kur mungojnë sukseset me të cilat mund të mburret. Andaj, mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, është forumi adekuat për të përmbushur dëshirën e tij për fjalime sofiste.

Në një fjalim 30-minutësh, Kurti u shfaq me një diskurs që përbrendësonte gjysmë-filozofin, profetin, ekonomistin, moralistin, stoikun, por edhe qeveritarin e kënaqur me sukseset. Herë i kënaqur, herë kritikë. Në disa raste, Kurti më ngjante në një imam socialist, pra një politikan që kërkon solidaritet në kohët e vështira, teksa premton të ardhmen e ndritur. “Pas vështirësisë, vjen lehtësimi” – ishte nënteksti profetizues i Kurtit.

Por, kishte edhe sekuenca ku Kurti tingëlloi i ashpër, duke paralajmëruar bashkëpartiakët e tij për “spastrimet e mëdha”, gjersa shpaloste “vizionet e tij” për “drejtimin e madh” të Kosovës e LVV-së. Sigurisht, kishte edhe momente tallëse me opozitën, një formë cinizmi de-legjitimues ndaj rivalëve të tij politik. E natyrisht, nuk munguan as sulmet ndaj medies, që nëpërmjet retorikës anatemuese Kurti po synon të definojë gazetarët si tradhtarët matanë gardhit.

Fjalimi i Kurtit, kuptueshëm, kishte edhe kundërthëniet e tij – kush do të mund të shkruante një fjalim shumë faqësh pa lëshuar shkarje e gabime? Që në fillim, Kurti konkludoi se Kosova po përjeton një përparim demokratik e zhvillim të gjithmbarshëm, teksa kah mesi i fjalimit shefi i ekzekutivit përmendi problemin e inflacionit e rritjes së çmimeve. Por, edhe për këto dy probleme, Kurti ofroi zgjidhje, që veç zgjidhje nuk janë. “Kurseni, sepse është patriotizëm”, deklaroi Kurti, një pohim që do të habiste jo vetëm ekonomistët më të mëdhenj të botës, por edhe patriotët kushtetues.

I gjendur në mesin e vartësve të tij, Kurti foli fjalë të mëdha për VV-në, të cilën e cilësoi si partinë më demokratike në Kosovë. Kurti inkurajoi anëtarët e VV-së të marrin pjesë në zgjedhjet e brendshme partiake, ngase “e ardhmja e Kosovës dhe VV-së” varen nga të gjithë bashkë. Nuk e di çfarë po zinte mendja e Kurtit, kur lidhi në mënyrë të drejtpërdrejtë fatin e Kosovës me zgjedhjet e brendshme partiake. Ndoshta sytë e ngazëllyer të bashkëpartiakëve të tij që kishte përballë, i dhanë ndjesinë Kurtit se jetojmë në kohën e “partisë-shtet”, ku çdo gjë partiake është shtetërore. Fatmirësisht, nuk është tillë epoka jonë.

Pasi përfundoi lëvdatat për demokracinë e zhvilluar partiake, Kurti lëshoi një breshëri kërcënimesh në drejtim të ministrave, deputetëve, e zyrtarëve të VV-së. Mesazhi ishte i qartë: kushdo që kundërshton, do të penalizohet, sepse askush nuk është i pazëvendësueshëm. Një thirrje për rreshtim, për disiplinë ushtarake, e mendim të uniformuar. Ai i paralajmëroi për ndëshkime këdo që s’do pranonte rolin e partizanit. “Shpata e Kurtit” është mbi kokën e ministrave, e deputetëve, të cilët i kërcënoi me shkarkim e moskandidim në zgjedhjet e radhës nëse nuk e përkrahin qeverinë, nuk kryejnë detyrat.

Por, ajo që mua më shqetëson më së shumti si gazetar, është sulmi ndaj medies. Me një gjuhë të ashpër, Kurti akuzoi mediet e gazetarët për keqinformim e përçarje, duke theksuar se ka kanale mediale që u japin përparësi deklaratave të Serbisë para atyre të institucioneve kosovare. Ai nuk përmendi emra, e as nuk drejtoi gishtin nga mediet që “i bëjnë jehonë deklaratave të Serbisë”. Si gazetar, një qasje e tillë është frikësuese. Ngase nëntektsi i fjalimit të Kurtit e lë të kuptohet se mediet janë platforma subversive të Serbisë, e rrjedhimisht kërcënim për interesin nacional të Kosovës. Sulmet e tilla janë të vazhdueshme, duke rrezikuar të kthehen në normë. Kryeministri gabimisht po kërkon “kurbanin” në vendin ku nuk mund të gjindet mish as për një copë hamburgeri.

Ndërsa talljet Kurti i dërgoi në adresë të opozitës. Sipas tij, partitë opozitare u reformuan për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se partia e tij është shembull për opozitën kosovare. Është një cinizëm i mirë-menduar nga shefi i ekzekutivit. Nëpërmjet cinizmit, Kurti synon të delegjitimojë partitë opozitare si forume të parëndësishme politike, duke nxitur erozionin në besueshmërinë e tyre (e cila edhe ashtu meritueshëm është përtoke). Cinizmi, në fund të fundit, rezulton në tërheqje, zvetënim të shpresës, dhe është, sic paralajmëronte ish-presidenti Obama, “kërcënimi më i madh i demokracisë”.

Kurti foli edhe për karrierizmin në politikë, duke sulmuar dëshirën e njerëzve për poste si egoizëm, e duke theksuar përpjekjen kolektive drejt suksesit. Një diskurs budist që kërkon kapërcimin e vetvetës drejt një politike pa “vetën”, një qasje që dëshiron shmangien e dëshirës vetjake drejt ndërtimit të një njeriu lehtësisht të nënshtrueshëm. Pra, subjekte që nuk mendojnë, e njerëz modest e të vetëpërmbajtur në jetën e përditshme.

Gjersa Kurti vazhdonte “manifestin” e tij moralo-politik, unë nuk arrija të shquaja nëse Kurti ishte një “derr i lumtur” qeveritar apo një “Sokrat i përvuajtur” nga mosqeverisja? Por, në VV duket se nuk ekziston kjo dilemë, pasi që në përfundim e ekspozesë, të gjithë të pranishmit i duartrokitën Kurtit. Megjtihatë, vetëm Zoti e di se çfarë kanë menduar realisht të pranishmit. Në fakt, është krejt e parëndësishme çfarë mendojnë ata, përderisa fortifikohen si ushtar në rreshtin e trasuar nga Kurti.

Lajme të ngjashme