Kurti nervoz në Vetëvendosje: Sulmon mediet, paralajmëron ministra e deptutetë dhe ngre pretendime pa prova - NACIONALE

Kurti nervoz në Vetëvendosje: Sulmon mediet, paralajmëron ministra e deptutetë dhe ngre pretendime pa prova

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij duke mos dhënë kurrfarë përgjegjësie në lidhje me krizat me të cilat po përballet vendi por duke paralajmëruar “ndryshime në qeveri”.

Kurti u shfaq përsëri nervoz në këtë mbledhje të partisë së tij, ashtu siç kishte ndodhur edhe para pak javësh.

Kësaj here, ai ishte kritik i partisë së tij, më konkretisht deputetëve dhe ministrave të tij. Këto kritika vijnë në kohën e zgjedhjeve të brendshme partiake, e në të cilat nuk shihet ndonjë kundërkandidat për të marrë kreun e partisë.

“Askush e askund nuk është i paprekshëm. Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e të stafit politik gjatë kësaj kohe sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë se askush e asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm. Ministrat, zv.ministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime e do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do të merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës. Nuk mjafton që të thuhet se ministri a zv.ministri i VV-së nuk po vjedh, por patjetër duhet që kjo të shoqërohet me rezultate sipas programit tonë qeveritar dhe planit tonë të punës,” - tha fillimisht kryeministri.

“E keni mundësinë të shkëlqeni, por mirë nuk është shkëlqyeshëm. Por, nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni qeverinë, gjasat janë që deputetët që janë në mesin tonë, do të jenë ata që nuk do të jenë në listat e ardhshme,” – porositi në vazhdim z. Kurti.

Po ashtu, ai tregoi edhe strategjinë e tij të komunikimit publik duke kërkuar që edhe vartësit e tij në parti e në qeveri ta adaptojnë.

“I këshilloj të gjithë vartësit e mi që ta ndjekin shembullin tim. Duhet ta ulim zhurmën dhe komentimin e pambarimtë për gjithçka,” u shpreh kryeministri derisa provoi të ndërtonte argumentin mbi sulme ndaj medieve duke përdorur edhe mediat serbe dhe presidentin serb Vuçiq.

“Jemi dëshmitarë se ka investim në keqinformim.” – u shpreh në një tjetër pretendim për të cilin dështoi të ofronte ndonjë provë.

Kurti u mor specifikisht me inflacionin, rritjen e çmimeve, por duke u shprehur se Kosova ishte ndër vendet “me shifrat më të ulëta” përkundër fakteve që tregonin tjetërçka.

“Me inflacionin, jemi ndër vendet me shifrat më të ulëta, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas ‘Financial Times’, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështje është në disa forma. Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë. Pra jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë mos kurseni duan t’iu vjedhin,” – vazhdoi ai.

Kryeministri i vendit po ashtu u mor me opozitën duke përsëritur qëndrimin e tij se Vetëvendosje, partia e tij, ka ndihmuar në "reformimin e tyre".

Kujtojmë se Vetëvendosje po mban zgjedhjet e brendshme dhe shumë pakënaqësi e përplasje janë raportuar në qendra të shumta të partisë në komuna të ndryshme.

Lajme të ngjashme