Shtrenjtimi i çerdheve, duhet politikë stimuluese për prindërit
Jeta në Kosovë po shtrenjtohet. Si qytetarë po jetojmë të rrethuar me çmime të larta, teksa inflacioni ka prekur shifra rekorde që nga shpallja e pavarësisë. Por, prindërit kosovarë do të sfidohen edhe më shumë, pasi çerdhet private tashmë kanë ngritur tarifat mujore. Është koha që Qeveria Kurti të mendojë një politikë stimuluese për prindërit.
Një shkrim i gazetës Nacionale rreth shtrenjtimit të çmimeve të çerdheve private, më bëri të mendoj gjatë. Shumat e larta, e që nuk dihet sa do të rriten tutje, janë tejet brengosëse, edhe për mua, që personalisht nuk jam prind. Sipas vetë çerdheve, ngritja e çmimeve varion nga 40 deri në 60 euro për muaj, gjë e cila e ngarkon buxhetin, tashmë të goditur nga inflacioni, të qytetarëve prindër.
Edhe më shqetësuese ishin deklaratat e nënave të intervistuara në artikull. Disa nga to theksuan se e kanë menduar dorëheqjen nga puna për shkak të çmimeve të larta të çerdheve.
Kriza që po troket
Situata është serioze në shumë nivele. Çmimet e larta të çerdheve private s’duhen parë veç si problem inflacioni. Sepse, nuk është i tillë. Problemi i çmimeve mund të rezultojë në më pak fëmijë në çerdhe, e më shumë gra të papunësuara.
Një rritje tarifash mund të ndikojë në gjithëpërfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm, e cila është politikë nacionale e Qeverisë së Kosovës. Në fakt, fëmijët kosovarë nuk është se ndjekin masovisht çerdhet. Gjithëpërfshirja e tyre në këtë nivel të edukimit ka çaluar vazhdimisht, teksa Bashkimi Evropian thekson se ajo është larg standardeve të etabluara të BE-së. Andaj, çmimet do të godasin edhe më shumë gjithëpërfshirjen e cunguar.
Tarifat mujore për çerdhe mund të bëhen të papërballueshme për prindërit kosovarë, të ardhurat e të cilëve nuk është se kanë ndjekur inflacionin për nga rritja. E kjo do të prekë mijëra familje.
Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2021/2022 gjithsej 7,966 fëmijë kanë ndjekur edukimin në sektorin privat të çerdheve. Pra, afërsisht 16 mijë prindër do të kenë shpenzime më të larta për edukimin e fëmijëve, edukim i cili tani kushton më shtrenjtë. Familjet e shtresave me të ardhura mesatare do të jenë më të prekura në këtë aspekt, fëmijët e të cilëve edhe ashtu për shkak të mungesës së qasjes në arsim cilësor kanë aftësi kognitive më të ulëta në krahasim me ato të familjeve të pasura.
E kur shpenzimet rriten e kriza thellohet, njerëzit kanë një tendencë për të marrë vendime radikale, të papranueshme e të pamendueshme në kohë të mira. Andaj, shumë prindër, e sidomos ata që kanë më shumë se një fëmijë në këtë nivel të edukimit, mund të përballen me një dilemë të rëndë: të largojnë fëmijët nga edukimi i hershëm.
E në rast se një gjë e tillë ndodh, atëherë për rrjedhojë do të kemi më pak gra në treg të punës. Secila krizë ekonomike, sipas studimeve, godet më shumë grupet e margjinalizuara. Në një shoqëri patriarkale si kjo e jona, e ku gratë janë pak aktive në tregun e punës, do të thotë margjinalizim të sigurt. Për shkak të kodekseve kulturore mbizotëruese, në shumicën e herave nënat do të “obligohen” të kujdesen në shtëpi, për fëmijët të cilëve si prindër e kanë të vështirë t’ua paguajnë edukimin e shtrenjtë parafillor.

Pra, një çmim i ngritur në tarifat mujore të çerdheve, mund të godasë fëmijët dhe prindërit njëkohësisht. Edukimi i hershëm, në terma të zhvillimit njerëzor, është jetik për formimin e fëmijëve. Rëndësia e tij qëndron në faktin se edukimi i hershëm, në këtë rast çerdhja, vendos themelet për një jetë të suksesshme, duke ndërtuar aftësitë kognitive e sociale.
Një mungesë e këtij edukimi, do të thellojë tutje hendekun e njohurive ndërmjet fëmijëve të familjeve me të ardhursa më të ulëta në krahasim me fëmijët e të pasurve. Siç shkruante profesoresha e Stanfordit, Susanna Loeb, fëmijët nga klasat e larta socioekonomike kanë njohuri më të larta kognitive se ata të atyre me prapavijë më të ulët socioekonomike për shkak të qasjes në arsim cilësor.
Ndërsa, ndikimet do të shihen edhe në punësueshmërinë e grave. Ato do të detyrohen të heqin dorë nga puna e tyre, për të qëndruar afër fëmijëve, duke u ofruar edukim në shtëpi. Përveç shkëputjes nga tregu i punës, do të mirëmbahen edhe marrëdhëniet patriarkale, duke betonuar rolet tashmë të ndara gjinore. Ndërsa, edukatoret do të mund të mbesin pa punë për shkak të mos vijimit të fëmijve në çerdhe.
Andaj, është koha që Qeveria e Kosovës të hartojë një politikë që fokusohet në lehtësimin e tarifave të shtrejnta, duke i mbajtur në çerdhe fëmijët dhe gratë në treg të punës. Është detyrë e obligim i Qeverisë të ofrojë gjithëpërfshirjen në edukimin parafillor, dhe të mbrojë gratë nga margjinalizimi.
