Marrëdhënia me Amerikën: Këshillat që po i mungojnë Kurtit - NACIONALE

Marrëdhënia me Amerikën: Këshillat që po i mungojnë Kurtit

4 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Një zhvillim i ri në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, jo aq i dëshiruar. Pala kosovare, sipas ambasadorit amerikan veteran, Christopher Hill, për dallim nga Beogradi, nuk ishte e përgatitur për dialog. Një ditë pas, Kurti u shfaq tejet agresiv ndaj ambasadorit, duke e cilësuar si të pavërtetë deklaratën e Hillit, ndonëse nuk e përmendi emrin e tij. Pse Kurti s’po e kupton që më s’është vetëm lider partie?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i lirisë së Kosovës. Për shqiptarët, Amerika është një ide e trupëzim i lirisë. Nga “toka e premtuar”, kosovarët u “rrezatuan” me liri, çlirim e shtet, dhe si i tillë, ajo mbetet shënjimi më kuptimplotë i lirisë. Në këtë kontekst, kosovarët kanë një lidhje speciale, tërësisht unike, me amerikanët. Fjala e tyre, shpeshherë, ka shërbyer si sistemi VAR në futboll. Pra, korrigjues, këshillues e drejtues në vendimmarje. Amerika vazhdimisht ka qenë vlera referuese për liderët e Kosovës.

Por, një histori më të trazuar marrëdhëniesh me SHBA-në, e ka kryeministri aktual, Albin Kurti. Fantazma e së kaluarës, si duket, po e ndjek edhe tash politikanin më të fuqishëm të Kosovës. Vartësit e Kurtit, që paguhen nga buxheti publik për ta këshilluar atë, e kanë për obligim të korrigjojnë shefin e tyre. Disa këshilla përkujtuese duhet ofruar Kurtit.

E para, SHBA është superfuqia e globit, e rrjedhimisht është kombi i domosdoshëm për Kosovën. Siguria jonë kombëtare varet ekzistencialisht nga çizmja e ushtarit amerikan. Asgjë për t’u ndier keq, apo të pafuqishëm. Edhe vende me popullsi të madhe, si Japonia apo Polonia p.sh., janë nën mbrojtjen e “hegjemonit mirëdashës”. Rrjedhimisht, Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund të ketë marrëdhënie simetrie mes SHBA-së e Kosovës, ngase shpërndarja e fuqisë është tmerrësisht asimetrike, e pabarabartë.

E dyta, ambasadorët amerikanë janë mëkëmbës të Blinkenit e Bidenit, pra të plotfuqishëm. Deklaratat e tyre nuk janë fjalë të një personi privat, por të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si të tilla, duhet marrë seriozisht dhe meritojnë vëmendjen e plotë të shefit të ekzekutivit. Kryeministri duhet të shmangë deklaratat publike me tone përçmuese apo kritikuese ndaj qëndrimeve të emisarëve amerikanë.

E treta, Kurti është kryeministër i Kosovës. Nuk është më vetëm lider partie, por është burrështetas, që udhëheq me fatet e një kombi afër dymilionësh. Fjala e tij është qëndrim zyrtar i shtetit kosovar. Andaj, Kurti duhet të jetë fjalëpak, konstruktiv, mjaftueshëm fleksibil, e aspak arrogant. Sepse, qëndrimet e Kurtit parashkruajnë historinë e Kosovës. Për shkak të funksionit, fjala e tij është kahëzim i fatit të vendit.

E katërta, diplomacia është hapësirë ku vendosen fatet e kombeve. Kryefjala e diplomacisë është kompromisi. Ndërsa cilësori i saj - pragmatizmi. Diplomacia nuk është fushë e politikës populiste apo e qëndrimeve elektorale, por e manovrimeve në kontekste që shpesh nuk i krijon vetë.

E pesta, diplomacia amerikane është pragmatiste, dhe synon të përfundojë punët pa shumë zhagitje, e pa burokoraci. “Duhesh me kry punë” është kërkesa e përhershme e amerikanëve drejtuar aleatëve e palëve në dialog. Mantra e diplomacisë amerikane është “Take it or leave it”, duke imponuar qasje konstruktive në komunikim bilateral, trilateral ose multilaterale.

E gjashta, përgjigjet këmbëngultësisht negative lëndojnë marrëdhëniet me aleatët. Në diplomaci nuk ka “jo dhe pikë”. “Jo, por…” është thelbi i diplomacisë. Pra, refuzim me alternativë. Edhe kombet më të mëdha kanë pësuar nga përgjigjet negative. P.sh. Turqia e pagoi me “poshtërim” të ushtarëve të saj në Irak, refuzimin për të lejuar kalimin e armatës amerikane nëpër territorin turk gjatë pushtimit të Irakut më 2003. Amerikanët janë pak tolerantë ndaj kryeneçësisë. Andaj, Kurti duhet të marrë në konsideratë rrjedhojat e qëndrimeve refuzuese në dialog, duke analizuar pasojat që mund të derivojnë nga një politikë e tillë.

E shtata, amerikanët urrejnë fjalamanët dhe qasjen hermetikisht refuzuese. E kur përballen me të tillë bashkëbisedues, ata veprojnë në mënyrë brutale. P.sh. SHBA nuk ngurroi ta kërcënonte me bombardim edhe Pakistanin, një fuqi nukleare, në rast se do të refuzonte të mbështeste luftën ndaj terrorit. Ata ia bënë të qartë presidentit pakistanez që bombardimi do ta kthejë Pakistanin në “kohën e gurit”. Dhe kuptueshëm, Pakistani u bë pjesë e luftës kundër terrorizmit. Kurti besoj e di që një përgjigje negative ndaj amerikanëve mund të ketë pasoja ekzistenciale për Kosovën.

Kundërshtitë mes Kurtit e Richard Grenellit, i dërguar i posaçëm për dialogun e ish-presidentit Donald Trump, kishte nxitur rrëzimin e Qeverisë Kurti I. “Isharetet” për një përplasje të re mes Kurtit e SHBA-së ekzistojnë në horizont. Megjithatë, jeta është dinamike, e si e tillë përplasja nuk është e pashmangshme. Në fund, sipas parimeve hegeliane, historia përsëritet dy herë. Marksi, lexues pasionant i të cilit është Kurti, paralajmëronte se historia përsëritet herën e dytë si farsë. Ndoshta është koha e farsës.

Lajme të ngjashme