Bullshit pas bullshiti: A ta fusim këtë fjalë në fjalorin e Gjuhës Shqipe?
Shkruan: Afrim Haliti
Nuk ka ndonjë fjalë të huaj më të bukur e më përmbajtësore se sa fjala ’bullshit’ që e meriton të futet në fjalorin e gjuhës shqipe. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Artëve të Kosovës është shkrimtar dhe sigurisht se do të reagonte dhe do ta kundërshtonte një veprim të tillë sepse reagimet e tij janë mbresëlënëse; përveç këtij të fundit, ato janë të rralla për çështjet që kanë të bëjnë me rrethanat socio-politike në të cilat po kalon kombi ynë por gjithsesi të shpejta qesharake dhe “shkencore” për shembull ndaj programit Big Brother apo ndaj një diskutimi gazetaresk rreth shkronjës ‘ë’. Kam një kureshtje të fshehur t’ia shihja reagimin për shembull nëse do thoja se në të vërtetë është shkronja ‘nj’ shkronja më e kotë në gjuhën tonë, thjesht bashkim i dy shkronjave ekzistuese që nuk prodhon asnjë tingull tjetër më të dallueshëm si pasojë e këtij bashkimi, mu sikurse bashkimi i qëndrimeve të tij me qëndrimet e kryeministrit aktual Albin Kurti që nuk prodhon as edhe një ide me vlerë.
Por çka është bullshiti? Fjala ‘bullshit’ është fjalë angleze e për ata që nuk e kuptojnë - përkthimi tekstual në gjuhën shqipe është paksa vulgar. ‘Bullshit’ përdoret për të nënkuptuar gjuhën e dikujt që është gjuhë pretenduese dhe mashtruese e lidhur semantikisht me mashkullin e specieve të gjedhit - ose, më veçanërisht, me jashtëqitjet e tij. A ka fjalë adekuate shqipe që do ta zëvendësonte këtë fjalë? Sigurisht se po, por jo edhe fuqinë e artikulimit që ka në gjuhën origjinale siç do shprehej Stephen Fry, një shkrimtar, narrator dhe linguist anglez me ndikim jo të vogël. Përndryshe ai mban qëndrime të qarta kundër kujdestarëve të gjuhës dhe thekson se të qenurit kujdestar i gjuhës do duhej të nënkuptonte të jesh në gjendje të shijosh gjuhët pasi që filiologjia na mëson se gjuhët ndryshojnë gjatë gjithë kohës dhe si rrjedhojë Fry është krejt i hapur ndaj ndërhyrjeve të reja linguistike për të pasuruar fjalorin anglez. Pse pra mos t’ia bëjmë njëjtë edhe ne kur ndaj bullshitit jemi të ekspozuar në baza ditore: bullshitit të Presidentes, bullshitit të Kryeministrit, bullshitit të ministrave të tij, bullshitit të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e deri edhe ndaj bullshitit të njerëzve të zakonshëm.
Pra, bullshiti nuk është thjesht hajgare. Bullshiti ka qenë preokupim edhe në fushën e filozofisë. "Një nga tiparet më të spikatura të kulturës sonë është se në të ka kaq shumë bullshit" thoshte Harry Frankfurti, një filozof i shquar i moralit i cili kishte vendosur të merrej me bullshitin si formë e ndryshme nga gënjeshtra. Tashmë është e qartë se ndaj gënjeshtrës jemi ekspozuar tërë kohën. Mbase përmes gënjeshtrave sistemike për shumë vite edhe është formësuar opinioni publik në lidhje me problemet socio-ekonomike dhe politike në vendin tonë. Për të pabindurit, gjithmonë ishte kaq e lehtë të vërehet gënjeshtra sepse ajo qëndronte shumë dallueshëm në përpjestim të zhdrejtë me realitetin. E kjo për të tjerët krijonte një realitet të ri, apo realitet “alternativ”. Pra po krijohej një realitet paralel. Por deri sa kishim të bënim me gënjeshtra prapë kishte shpresë sepse ishte më lehtë e verifikueshme, sepse gënjeshtari gjithmonë është i brengosur dhe i shqetësuar me të vërtetën në një mënyrë perverse: ai mundohet të na largojë prej saj, prej të vërtetës, dhe jo të gjithë bien në këtë grackë. Në anën tjetër, thelbi i bullshitit qëndron në atë se bullshiti prodhohet pa asnjë shqetësim për të vërtetën. Ai që prodhon bullshit prodhon falsifikim të fakteve. Dhe falsifikimi që bën prodhuesi i bullshitit nuk konsiston në keqinterpretimin e një gjendjeje, por në fshehjen e indiferencës së tij ndaj të vërtetës së asaj që thotë. Sipas Frankfurtit gënjeshtari dhe treguesi i së vërtetës luajnë në anë të kundërta të së njëjtës lojë, një lojë e përcaktuar nga autoriteti i së vërtetës. Prodhuesi i bullshitit në anën tjetër heq dorë nga kjo lojë krejtësisht. Ndryshe nga gënjeshtari dhe treguesi i së vërtetës, ai në atë që thotë nuk udhëhiqet nga bindjet e tij se si gjërat qëndrojnë në realitet. Dhe kjo, thotë Frankfurti, është ajo që e bën bullshitin të rrezikshëm: e diskrediton një njëri për të thënë të vërtetën. Kemi dëgjuar sa e sa herë retorikën mbi punësimet enorme gjatë qeverisjes Kurti. Kemi dëgjuar sa e sa herë për ngritjen enorme të ekonomisë gjatë qeverisjes Kurti. Kemi dëgjuar sa e sa herë se si populli i Kosovës kurrë nuk ka jetuar më mirë se sot gjatë qeverisjes Kurti. Kemi dëgjuar sa e sa herë mbi sovranitetin e shtrirë në veri gjatë qeverisjes Kurti, mbi dinjitetin e rifituar gjatë qeverisjes Kurti. Pra kjo është më e vogla e bullshitit ndaj të cilit jemi të ekspozuar në baza ditore. Realiteti? Realiteti është se gjendja ekonomike kurrë nuk ka qenë më e keqe. Numri i punësimeve për kosovarët është rritur, jo në Kosovë por në Gjermani, populli i Kosovës në fakt kurrë nuk ka jetuar më keq në këto vitet e pasluftës, e sovraniteti në veri kurrë nuk ka qenë më i rrezikuar se sa sot gjatë qeverisjes Kurti. Sa i përket dinjitetit, pyetni policët e ngujuar në veri dhe përgjigjja e tyre do t’ua sqarojë më së bukuri domëthënien e dinjitetit.
Këtë shkathtësi të prodhimit të bullshitit më së bukuri e ka përvetësuar kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, duke e riprodhuar bullshitin më të madh që nga paslufta mbi tendencën e qeverive të kaluara për t’i falur tokë Serbisë e sidomos duke veçuar Hashim Thaçin për një tendencë të tillë. Kjo nuk është e rastësishme. Sipas bullshiterave, duhet sulmuar mu ish kreun politik të UÇK-së, sepse ishte UÇK-ja ajo e cila në fakt e nisi procesin e shkëputjës së Kosovës si tërësi nga Serbia, dhe përmes bullshitit tani tentohet të injorohet kjo e vërtetë duke kriju një paradoks të çuditshëm.
E bullshit edhe më të madh, kryetari i ASHAK-ut prodhon kur tenton që një pamflet politik e propagandistik me bullshite të veta ta paraqes si qëndrim të tërë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Sa dëshpëruese të shohë Akademinë e Shkencave dhe Artëve të Kosovës në këtë gjendje. Sa dëshpëruese për mua që shkollimin e kam të kryer në një institucion që ka prodhuar hiç më pak se 18 fitues çmimesh Nobel, aty ku mësim kishte japë edhe Bertrand Russelli i cili në lidhje me të vërtetën thoshte: “Unë besoj se dashuria për të vërtetën është baza e të gjithë virtytit të vërtetë dhe se virtytet e bazuara në gënjeshtra mund të bëjnë vetëm dhe vetëm dëm.”
Dhe ndërsa po e shkruaj këtë shkrim, fatkeqësisht, bullshiti vazhdon të prodhohet me një shpërfillje të plotë ndaj realitetit.


