Kryeministri Kurti gjithmonë ka dëshmuar që funksionon i deluzionuar
Para se t’i fitonte zgjedhjet nuk kishte prezantuar fare program qeverisës. Një të tillë, fare sipërfaqësor e kishte prezantuar vetëm pas zgjedhjeve.
Në realitet, ai nuk kishte prezantuar fare plane të detajuara për zhvillim ekonomik, sepse kjo pjesë plotësohej me metoda të sofistikuara të propagandës duke synuar qeverisje përmes mesazheve guximdhënëse, kërcënuese dhe zgjidhje të problemeve të mëdha përmes metodave të lehta dhe qëndrimeve boshe.
Ai përmendte planet për krijimin e fondit sovran dhe bankës zhvillimore. Fondet sovrane janë para në pronësi të shtetit që investohen në asete të ndryshme financiare. Këto para janë zakonisht para që mblidhen nga suficiti buxhetor i një shteti. Kur një shtet ka para të tepërta, i përdorë ato në një fond sovran si një mënyrë për t’i investuar ato dhe për t’i kanalizuar përsëri në ekonomi. Funksioni primar i fondit sovran është stabilizimi i ekonomisë së shtetit nëpërmjet diversifikimit të investimeve, sidomos të shteteve që kanë ekonomi të varura nga një prodhim. Prandaj vendet si Norvegjia, Emiratet e Bashkuara Arabe etj, ekonomia e të cilave varet kryesisht nga prodhimi i karburanteve hapin fonde sovrane, edhe njëherë, nga suficiti buxhetor.
Kosova nuk është e dëshmuar të jetë në pozitë të tillë.
Në anën tjetër, planet për krijimin e bankës zhvillimore tregojnë një aspekt tjetër të planeve të kësaj qeverie për të menaxhuar ekonominë Kosovare. Bankat Zhvillimore priren të drejtohen nga qeveria dhe nuk janë fare përgjegjëse ndaj taksapaguesve që i financojnë ato, si dhe të pakontrolluara në funksionimin e tyre përfshi investimet potenciale, dhënjen e kredive, vlerësimit të rrezikut, përzgjedhjen e kredimarrësve që krijon një fushë të lirë për lulëzimin e korrupsionit.
Në fund, kjo qeveri përfundoi duke krijuar fonde momentale opake, pa asnjë transparencë si ai i diaspores, fondi i sigurisë sikurse dhe programin për bonot për diasporen.
Një kryeministër i tillë si Albin Kurti, pa idenë edhe më të vogël se si funksionon ekonomia, tash del me një retorikë krejt të pakuptimtë mbi relacionin e shpresës dhe konsumit në rrethanat në të cilën gjinden sot Kosovarët. Përveç gënjeshtrës monstruoze mbi rritjen enorme të ekonomisë, hapjen enorme të vendeve të punës etj., fare nuk e ka idenë se Kosovën në fakt e ka sjellë në një gjendje ku shkalla e lartë e inflacionit është duke i dalë krejt nga dora.
Albin Kurti fare nuk e ka idenë se inflacioni i lartë në fakt e rrënon fuqinë blerëse. Dhe ky është efekti kryesor dhe më i përhapur i inflacionit. Një rritje e përgjithshme e çmimeve me kalimin e kohës zvogëlon fuqinë blerëse të konsumatorëve, pasi një sasi fikse parash do të përballojë në mënyrë progresive më pak konsum. Konsumatorët humbasin fuqinë blerëse pavarësisht nëse inflacioni shkon në 2% ose në 4%; ata thjesht e humbin atë dy herë më shpejt me një normë më të lartë.
Kryeministrit Kurti sot i besojnë vetëm ata që nuk e kanë idenë më të thjeshtë se si funksionon ekonomia, dhe ata që pajtohen që problemet e tyre Kurti ua zgjidhë me fjalë.
Thatcher njëherë kishte deklaruar se qeveritë e tilla tradicionalisht krijojnë rrëmujë financiare. Gjithmonë ua mbarojnë paratë njerëzve të tjerë.