Zonja e Çurçillit dhe Albin Kurti
Shkruan: Afrim Haliti
Kur jemi te shkathtësitë negociuese, Çurçilli (Winston Churchill) njihet si një ndër negociatorët më të zhdërvjelltë që ka njohur historia. Ai këtë shkathtësi e kishte aplikuar në secilin rast të mundshëm, madje edhe në një tubim joformal ku kishte takuar një zonjë e cila e kishte tërhequr shumë me bukurinë e saj. Çurçilli i magjepsur i afrohet ngadalë dhe i pëshpëritë në vesh: “Zonjë, a do të flinit me mua për pesë milionë funte?”
Zonja, e çuditur nga pyetja dhe paksa e habitur i përgjigjet me gjysëm zëri: - “Zotëria ime, zoti Çurçill… Epo.., mendoj… do të duhej të diskutonim kushtet, sigurisht se po!”
Çurçilli pasi e pa që po fitonte terren i kthehet përsëri me pyetjen e rradhës: - “Zonjë, po për pesëdhjetë funte, do flije me mua?”
Zonja tashmë paksa e hidhëruar i përgjigjet me një zë më të ashpër: - “Zoti Çurçill, çfarë lloj gruaje po mendon se jam unë?!”
Çurçilli tashmë gjakftoftë i përgjigjet më stilin e tij: - ”Zonjë, se çfarë gruaje je e morëm vesh. Tash vetëm po bëjmë pazare për çmimin, apo jo?”
Edhe për Albin Kurtin e morëm vesh se çfare është. Mu si ajo gruaja në bisedë me Çurçillin që reflektonte autoritet përmes bukurisë dhe takave, edhe Albin Kurti reflektonte autoritet me trimëri e fjalë të thata. Disa nga ne e kishim ditur më herët, e disa e kanë kuptuar pas çmimit për të cilin Albin Kurti ishte pajtuar qysh shumë më parë.
Albin Kurti një OJQ që e kishte ngritur për të forcuar marrëdhëniet ndëretnike e kishte shndërruar në një lëvizje që bazën e veprimtarisë e kishte kundërshtimin e negociatave dhe këmbënguljen për vetëvendosje.
Por në një moment metamorfoze ai ishte pajtuar me çmimin e parë dhe tashmë jo vetëm që nuk i kundërshtonte negociatat, për më tepër ai ngulte këmbë që vet t’i udhëhiqte ato!
Iu kishte bërë fiksim qysh në kohën e VLAN-it.
Çmimi kishte filluar të ulej edhe pse letrat sapo ishin ndarë për të dhe ende kishte kohë të mjaftueshme të përpiqej, po të donte, të krijonte edhe flushin mbretëror.
Por, duke i qëndruar besnik krenarisë së tij prej narcizoidi, që vazhdimisht e tradhton, jo që nuk përpiqej të krijonte kombinimin fitues të letrave, por edhe blofin nuk arrinte ta praktikonte me shkathtësi. Sepse tradhtohej nga vetja e tij. Vuri parakushte për negociata. Në fakt ato i vuri për ta luajtur blofin me elektoratin që veçse e kishte futur në delir. I kishte mashtruar duke u thënë se negociatat me Serbinë do t’i bëjë, por paraprakisht Serbia do duhej që ta njihte Kosovën si shtet i pavarur, t’i kthente të gjithë personat e pagjetur, të paguante dëmshpërblimin për të gjitha dëmet e shkaktuara nga lufta në Kosovë si dhe kthimin e fondit pensional ndër tjera.
Por, Albin Kurti u takua me Aleksander Vuçiqin, dhe filloi negociatat me Serbinë pa u plotësuar asnjëra nga këto kushte.
Tashmë Albin Kurti nuk po negocionte sipas parimeve.
Tashmë Albin Kurti po bënte pazar vetëm çmimin në stilin e zonjës me Çurçillin.
Pazari vazhdonte të bëhej. U vazhdua me stickersa, energjinë elektrike për serbët në pjesën veriore të Kosovës, pastaj me letërnjoftime, tutje me targa….
Qershia mbi tortë, një nga ato qershitë e pshurrta mbase po na del të jetë Zajednica, apo siç Albin Kurti tashmë po e quan Asociacioni të cilit kinse po e kushtëzuaka të i ndërrohet emri, pastaj edhe pesë kushte tjera…
Albin Kurti së pari po e futë qershinë në gojë, pastaj po e luan blofin përsëri duke na treguar neve dhe aleatëve të Kosovës, për kushtet e tij para se ta hajë tërë tortën!
Por tash, edhe ne, edhe aleatët ndërkombëtar e kemi marrë vesh se kush është Albin Kurti. Tash po bëjmë pazare për çmimin.
