Kush e kontrollon kë, Albini Dejonën apo Dejona Albinin?
Ne edhe mund ta mitizojmë Albin Kurtin si të plotfuqishëm dhe ta neglizhojmë rëndësinë e Dejona Mihajlit duke teoretizuar se ajo nuk do t’ishte aq e fortë po mos ta kishte lejen dhe udhëzimet e Kurtit dhe se krejt veprimet e saj kanë aminin e Kurtit. Mirëpo, çka nëse e vërteta është krejt e kudërta e kësaj teorie?
Në skenën kosovare, ngritja e ndikimit të Dejona Mihajlit si një personazh i pazgjedhur me vota, shtron pyetje serioze lidhur me llogaridhënien, legjitimitetin dhe marrëdhëniet e pushtetit. Ndikimi i saj mbi deputetët e Vetëvendosjes, duke iu përcaktuar se çka të flasin dhe kur të flasin në Kuvend, çka të postojnë dhe kur të procedojnë me postime në rrjete sociale, pastaj ndikimin në emërime dhe punësime në ndërmarrjet publike shpërfaqë një problem shumë serioz: shkatërrimin e lidershipit që e njohim dhe shfaqjen shqetësuese të një autoriteti të fshehtë dhe të panjohur.
Është e rëndësishme të kuptohet se, megjithëse disa mund t’i kërkojnë llogari Albin Kurtit për dhënien e këtij lloj pushteti Mihajlit, është po aq e mundur – ndoshta edhe më shumë – që Kurti vet të jetë i ndikuar prej saj. Duke përdorur përkufizimin e Michel Foucault për pushtetin, shohim se pushteti përfshin më shumë sesa thjesht mbajtjen e posteve publike; pushteti përfshin gjithashtu ndikimin në opinione, ndikimin në rrjedhën e veprimeve dhe ndikimin në diskurs. Ndikimi i fshehtë i Mihajlit nënkupton se ajo përdor këtë lloj autoriteti më të thellë, duke ndikuar me sukses në politikat dhe veprimet e Kurtit dhe Vetëvendosjes nga prapaskena.
Kurti mund të duket se është lider në këtë situatë, por Mihajli në fakt e ka autoritetin, prandaj ajo është një shembull i "fuqisë së butë", të cilën Joseph Nye e përkufizoi si aftësi për të ndikuar në përzgjedhjen e njerëzve pa përdorur forcë të hapur. Meqenëse fuqia e butë është e fshehtë, e papërgjegjshme dhe sfiduese, ajo përbën një kërcënim më të madh se vet autoriteti konvencional. Ndryshe nga një lider formal, Mihajli funksionon fshehurazi, e pandikuar nga kontrolli i elektoratit dhe pa mandat zyrtar nga popullata e Kosovës. Kështu parimi themelor i qeverisjes demokratike, që autoriteti të jetë transparent, i dukshëm dhe që fundamentalisht rrjedh nga vullneti popullor shkatërrohet nga kjo fshehje.
Hannah Arendt, paralajmëronte kundër rreziqeve të autoritetit të papërgjegjshëm, duke pretenduar se tirania rezulton mu nga përqendrimi i pushtetit në duar të paligjshme ose të fshehta, shpeshherë përmes manipulimit të njerëzve dhe institucioneve dhe jo domosdoshmërisht nga ushtrimi i dhunës. Në shembullin e Mihajlit, ndikimi i saj është edhe më shqetësues për shkak të pozitës së saj si e pazgjedhur përmes votës duke mos neglizhuar as të kaluarën e saj enigmatike. Ajo ndikon efektivisht në politikën kosovare pa asnjë legjitimitet demokratik përmes kontrollit të agjendës së parlamentit sikurse edhe emërimet e rëndësishme në ndërmarrjet publike.
Duke krijuar një strukturë të dyfishtë pushteti, një formale dhe të dukshme dhe tjetrën joformale dhe të fshehur, ky lloj ndikimi i fshehtë ka potencial të shkatërrojë qeverisjen e mirë përmes politikës, prandaj populli duhet të jetë syçelë ndaj kësaj dukurie dhe jo ta anashkalojë. Kontrolli i Mihajlit mbi Vetëvendosjen dhe Kurtin po bëhet tepër evident për t'u injoruar, siç po dëshmohet nga zbulimi i bisedave të saj private. Për ta mbajtur Kurtin përgjegjës dhe për të ekspozuar pjesëmarrjen klandestine të Mihajlit në mënyrë që të mundësohet hetimi, populli i Kosovës duhet ta vlerësojë në mënyrë kritike këtë zhvillim.
Në këtë rast, ne nuk duhet të përqendrohemi vetëm në teorinë se Kurti e ka veshur Mihajlin me pushtet, por në natyrën e pushtetit të Mihajlit përfshi këtu mungesën e legjitimitetit, fshehtësinë dhe potencialin e këtij pushteti për të shkatërruar themelet demokratike të Kosovës. Për të ruajtur integritetin e qeverisjes dhe për të garantuar që pushteti qëndron aty ku edhe i takon, pra me popullin, është e domosdoshme që të monitorohet me kujdes dhe të kuptohet se si funksionojnë individë të tillë nga prapaskena.