Abdixhiku si Nagavci e Çitaku, e ndryshon dy herë shkrimin në “Facebook”, por i mbeten gabimet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka ndryshuar dy herë shkrimin e tij më të ri në rrjetin “Facebook”, por prapë nuk i ka përmirësuar të gjitha gabimet drejtshkrimore.
Herën e parë, Abdixhiku e përmirësoi gabimin teknik në fjalën “e mëdha”, pasi e kishte shkruar “e madha”.
Herën e dytë, ai e përmirësoi gabimin drejtshkrimor te folja “zgjedh”, pasi fillimisht e kishte shkruar “zgjedhë”.
Sidoqoftë, në shkrimin e tij prapë mbetën dy gabime drejtshkrimore.

Abdixhiku e përdori gabimisht përemrin pronor “vet” aty ku do të duhej të përdorej përemri vetvetor “vetë”, në togfjalëshin “vet shteti”.
Ai e shkroi gabimisht edhe foljen “përgatit” në vetën e tretë të numrit njëjës, në kohën e tashme, duke e shkruar me “ë” në fund.
Gabime drejtshkrimore e ndryshim të shkrimeve të tyre në “Facebook” kanë bërë më parë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

