Rusia dhe Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën për sulmin që vrau dhjetëra të burgosur ukrainas - NACIONALE

Rusia dhe Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën për sulmin që vrau dhjetëra të burgosur ukrainas

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e një burgu në një rajon separatist të Ukrainës lindore, një sulm që thuhet se vrau dhjetëra të burgosur ukrainas të luftës, të kapur pas rënies së Mariupolit.

Sipas Associated Press, të dyja palët, thonë se sulmi ishte i paramenduar me qëllim të fshehjes së mizorive.

Rusia pretendoi se ushtria e Ukrainës ka përdorur raketahedhës të furnizuar nga ShBA-ja për të goditur burgun në Olenivka, një vendbanim i kontrolluar nga Republika Popullore e Donetskut. E autoritetet separatiste dhe zyrtarët rusë thanë se sulmi ka lënë të vrarë 53 robër ukrainas dhe ka plagosur 75 të tjerë.

Menjëherë pas, Moska ka hapur një hetim për sulmin, duke dërguar në vend një ekip nga Komiteti Hetimor i Rusisë, agjencia kryesore e hetimit kriminal të vendit. Ndërsa, agjencia shtetërore RIA Novosti raportoi se në atë vend janë gjetur fragmente të sistemit të raketave të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë të furnizuara nga ShBA-ja.

Por, ushtria ukrainase i ka mohuar akuzat se ka kryer sulm në burg, duke akuzuar rusët se bombarduan burgun për të mbuluar torturat dhe ekzekutimet e supozuara të ukrainasve atje.

Një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy e përshkroi granatimin si "një vrasje masive të qëllimshme, cinike dhe të llogaritur të të burgosurve ukrainas".

Denis Pushilin, udhëheqësi i republikës së Donjeckut të panjohur ndërkombëtarisht, tha se burgu mbante 193 të burgosur. Ndërsa nuk specifikoi se sa ishin robër ukrainas.

Zëvendës komandanti i forcave separatiste të Donetskut, Eduard Basurin, sugjeroi që Ukraina vendosi të godasë burgun për të parandaluar robërit të zbulojnë informacionin kryesor ushtarak.

Ukraina "e dinte saktësisht se ku po mbaheshin dhe në cilin vend," tha ai. “Pasi të burgosurit ukrainas të luftës filluan të flasin për krimet që kanë kryer dhe urdhrat që morën nga Kievi, u mor një vendim nga udhëheqja politike e Ukrainës: të kryejnë një sulm këtu”.

Ndërkohë, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak bëri thirrje për një "hetim të rreptë" mbi sulmin dhe u kërkoi Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ta dënojnë atë. Ai tha se rusët kishin transferuar disa të burgosur ukrainas në kazermë vetëm disa ditë para sulmit, duke sugjeruar se ishte planifikuar.

“Qëllimi është të diskreditojnë Ukrainën përpara partnerëve tanë dhe të pengojnë furnizimin me armë”, shkroi ai në Twitter.

Agjencia e sigurisë e Ukrainës, SBU, poashtu tha se kishte përgjuar telefonata "në të cilat pushtuesit konfirmojnë se trupat ruse janë fajtore për këtë tragjedi".

Kujtojmë se, forcat ukrainase janë duke luftuar për të mbajtur territorin e mbetur në Donetsk nën kontrollin e tyre.

Lajme të ngjashme