Kremlini i del në krah Kinës, paralajmëron ShBA-në kundër lëvizjeve ‘provokuese’ - NACIONALE

Kremlini i del në krah Kinës, paralajmëron ShBA-në kundër lëvizjeve ‘provokuese’

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në mes të tensioneve mbi Tajvanin, Kremlini ka ofruar mbështetje të fortë për Kinën, duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër çdo lëvizje “provokative” që mund të përkeqësoj situatën.

Gjatë një telefonate të zhvilluar dje, presidenti kinez Xi Jinping ka paralajmëruar presidentin amerikan Joe Biden, kundër ndërhyrjes në marrdhëniet e Kinës me ShBA-në.

E më pas, duke folur për gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar se Rusia mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës.

“Ne besojmë se asnjë vend tjetër nuk ka të drejtë ta vërë në dyshim (këtë) ose të ndërmarrë ndonjë hap provokues”, është shprehur Peskov.

Ai paralajmëroi ShBA-në kundër lëvizjeve “shkatërruese”, duke shtuar se “një sjellje e tillë në arenën ndërkombëtare vetëm mund të përkeqësojë tensionet pasi bota tashmë është e mbingarkuar me probleme rajonale dhe globale”.

Deklarata e ashpër e Peskov, pasqyron lidhjet e ngushta midis Moskës dhe Pekinit, të cilat janë forcuar edhe më tej, që kur Rusia dërgoi trupat e saj në Ukrainë më 24 shkurt. Veprim, që Kina ka refuzuar ta kritikojë, duke fajësuar ShBA-në dhe NATO-n për provokimin e Moskës.

Lidhur me telefonatën mes Xi dhe Biden, qeveria kineze nuk ka dhënë asnjë indikacion se ata kanë diskutuar mbi planet për udhëtimin e mundshëm të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në Tajvan.

Kundër këtij udhëtimi të mundshëm, ka dalë Partia Komuniste në pushtet, duke thënë se Tajvani nuk ka ta drejtë të zhvillojë marrëdhënie me jashtë. Me Xi-në që ka hedhur poshtë çdo "ndërhyrje nga forcat e jashtme" që mund të inkurajojnë Tajvanin të përpiqet ta bëjë të përhershme pavarësinë e tij de facto prej dekadash.

"Mbrojtja me vendosmëri e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Kinës është vullneti i fortë i më shumë se 1.4 miliardë popull kinez," është shprehur të premten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian. Ndërkohë që, Xi ka thënë se: "Ata që luajnë me zjarrin do të vdesin prej tij."

Gjuha e ashpër nga Xi, i cili zakonisht përpiqet të duket se është mbi mosmarrëveshjet politike dhe bën komente të buta pozitive publike, sugjeroi se udhëheqësit kinezë mund të besojnë se Uashingtoni nuk e ka kuptuar seriozitetin e paralajmërimeve të dhëna më parë për Tajvanin.

Kujtojmë se, Tajvani dhe Kina janë ndarë në vitin 1949 pas një lufte civile që përfundoi me një fitore komuniste në kontinent. Të dyja vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare, por janë të lidhura me miliarda dollarë tregti dhe investime.

Lajme të ngjashme