CNN: Rusia po grabit arin e Sudanit për të mbështetur luftën në Ukrainë - NACIONALE

CNN: Rusia po grabit arin e Sudanit për të mbështetur luftën në Ukrainë

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Disa ditë pasi Moska nisi luftën e saj të përgjakshme kundër Ukrainës, një aeroplan rus mallrash qëndroi në një pistë në Khartoum, një rrip asfalti i rrethuar nga rëra e kuqe-portokalli. U tha se avioni ishte i ngarkuar me biskota, por Sudani, rrallë - për të mos thënë asnjëherë eksporton biskota.

CNN shkruan, se atë ditë, në një zyrë të pasme të Aeroportit Ndërkombëtar të Khartoum, ishte zhvilluar një debat i nxehtë. Ishte frika se avioni do të shqetësonte udhëheqjen ushtarake gjithnjë e më pro-ruse të vendit.

Përpjekjet e shumta të mëparshme për të kapur transportuesit e dyshimtë rusë ishin ndalur. E megjithatë, në fund, zyrtarët kishin vendosur të hipnin në aeroplan.

Brenda në avion, përpara zyrtarëve kishte kuti shumëngjyrëshe me biskota. Por, të fshehura poshtë ishin arkat prej druri me burimin më të çmuar të Sudanit. Arin- përafërsisht një ton ari.

Ky incident i ndodhur në shkurt – është rrëfyer nga burime të shumta zyrtare sudaneze për CNN - dhe është vetëm një nga të paktën 16 fluturimet e njohura ruse të kontrabandës së arit nga Sudani, prodhuesi i tretë më i madh në Afrikë i metalit të çmuar.

Intervistat e shumta me zyrtarë sudanezë dhe amerikanë të nivelit të lartë dhe një varg dokumentesh të shqyrtuara nga CNN, tregojnë një pamje të një skeme të përpunuar ruse për të grabitur pasuritë e Sudanit në një përpjekje për të forcuar Rusinë kundër sanksioneve gjithnjë e më të forta perëndimore dhe për të mbështetur përpjekjet luftarake të Moskës në Ukrainë.

Provat sugjerojnë gjithashtu se Rusia ka bashkëpunuar me udhëheqjen ushtarake të Sudanit, duke mundësuar miliarda dollarë në ar për të anashkaluar shtetin sudanez dhe për të privuar vendin e varfër nga qindra milionë të ardhura shtetërore.

Në këmbim, Rusia i ka dhënë mbështetje të fuqishme politike dhe ushtarake udhëheqjes ushtarake gjithnjë e më të papëlqyeshme të Sudanit, pasi ajo është duke shtypur me dhunë lëvizjen pro-demokratike të vendit.

Ish-zyrtarët dhe zyrtarët aktualë amerikanë i thanë CNN se Rusia ka mbështetur në mënyrë aktive grushtin ushtarak të Sudanit të vitit 2021, i cili përmbysi një qeveri civile në tranzicion, duke i dhënë një goditje shkatërruese lëvizjes sudaneze pro-demokracisë që kishte rrëzuar presidentin Omar al-Bashir dy vjet më parë.

"Ne e kemi ditur prej kohësh se Rusia po shfrytëzon burimet natyrore të Sudanit," tha për CNN një ish-zyrtar amerikan i njohur me këtë çështje, duke shtuar se “për të ruajtur aksesin në ato burime, Rusia inkurajoi grushtin ushtarak”.

Në zemër të kësaj lidhje midis Moskës dhe juntës ushtarake të Sudanit është Yevgeny Prigozhin, një oligark rus dhe aleat kryesor i presidentit Vladimir Putin.

61-vjeçari i sanksionuar rëndë kontrollon një rrjet të dyshimtë kompanish që përfshin Wagner, një grup paraushtarak i lidhur me torturat e supozuara, vrasjet masive dhe plaçkitjet në disa vende të shkatërruara nga lufta, përfshirë Sirinë dhe Republikën e Afrikës Qendrore (CAR).

CNN, në bashkëpunim me Dossier Center, mundi të zbulojë gjithashtu se të paktën një operativ i nivelit të lartë të Wagner - Alexander Sergeyevich Kuznetsov - ka mbikëqyrur operacionet në vendet kryesore të minierave, përpunimit dhe tranzitit të arit të Sudanit në vitet e fundit.

Kuznetsov - i njohur gjithashtu si "Ratibor" dhe "Radimir" - është një rrëmbyes i dënuar që ka luftuar në Libinë fqinje duke komanduar Wagner në 2014. Ai ka marrë katër herë çmimin e Urdhrit të Guximit të Rusisë dhe është fotografuar së bashku me Putinin dhe Dmitri Utkin - themeluesin e Wagner - në 2017. Kuzentsov është sanksionuar nga Bashkimi Evropian në 2021.

Lidhja në rritje midis sundimtarëve ushtarakë të Sudanit dhe Moskës ka krijuar një rrjet të ndërlikuar të kontrabandës së arit. Sipas burimeve zyrtare sudaneze, si dhe të dhënave të fluturimeve të shqyrtuara nga CNN, të paktën 16 nga fluturimet e përgjuara nga zyrtarët sudanezë vitin e kaluar janë kryer nga aeroplani ushtarak që vinte nga qyteti port sirian Latakia, ku Rusia ka një bazë të madhe ajrore.

Ndërhyrja e Rusisë në arin e Sudanit ka filluar seriozisht në vitin 2014 pasi pushtimi i saj në Krime shkaktoi një mori sanksionesh perëndimore.

Dërgesat e arit rezultuan një mënyrë efektive për grumbullimin dhe transferimin e pasurisë, duke forcuar arkat e shtetit të Rusisë, ndërkohë që anashkaluan sistemet ndërkombëtare të monitorimit financiar. Ky, është një proces shitjeje i fshehur që burimet e CNN thonë se është qendra nervore e nxjerrjes së arit të Rusisë.

Sipas statistikave zyrtare të para nga CNN, rreth 85% e arit në Sudan shitet në këtë mënyrë – me transaksione që janë kryesisht jashtë librave dhe sipas burimeve të shumta, dominues i këtij tregu është.

E për të paktën një dekadë, Rusia ka fshehur marrëveshjet e saj të arit sudanez nga të dhënat zyrtare. Ku pavarësisht dëshmive të shumta të marrëveshjeve të gjera të Moskës në këtë sektor, statistikat zyrtare të Tregtisë së Jashtme të Sudanit që nga viti 2011 renditin eksportet totale të arit të Rusisë nga vendi në zero.

Për shkak se Rusia ka përfituar nga pikat e verbëra të konsiderueshme të qeverisë, është e vështirë të përcaktohet sasia e saktë e arit që ka marrë deri më tani nga Sudani. Por të paktën shtatë burime të njohura me ngjarjet akuzojnë Rusinë se ka udhëhequr operacionet e kontrabandës së arit të Sudanit.

Lajme të ngjashme