Rubla po fluturon, Putini më i fuqishëm se kurrë – sanksionet na u kthyen bumerang - NACIONALE

Rubla po fluturon, Putini më i fuqishëm se kurrë – sanksionet na u kthyen bumerang

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sanksionet perëndimore kundër Rusisë janë politika më së keqi e planifikuar dhe më kundërproduktive në historinë e vonshme ndërkombëtare. Ndihma ushtarake për Ukrainën është e justifikuar, por lufta ekonomike është joefikase kundër regjimit në Moskë e shkatërruese për caqet e saj të pasynuara. Çmimet botërore të energjisë po rriten shumë, inflacioni po “fluturon”, zinxhirët furnizues janë kaotikë dhe miliona njerëz po mbeten pa gaz, drithëra e plehra. Prapëseprapë, barbaria e Vladimir Putinit vetëm po eskalon – siç po eskalon edhe kapja e tij ndaj popullit të vet.

Shkruan: Simon Jenkins

Kritika ndaj sanksioneve perëndimore është afër mallkimit. Analistët e mbrojtjes janë memecë për këtë temë. Organizatat për strategji janë të heshtura. Udhëheqësit e supozuar të Britanisë, Liz Truss e Rishi Sunak, garojnë me retorikë armiqësore, duke premtuar sanksione edhe më të ashpra pa një fjalë për qëllimin. Prapëseprapë, bëj me shenjë nga skepticizmi për këtë temë dhe kritikohesh si “pro-Putin” dhe kundër Ukrainës. Sanksionet janë kushtrim lufte i fushatës perëndimore.

Realiteti i sanksioneve ndaj Rusisë është që ato ftojnë hakmarrje. Putini është i lirë që ta ngrijë Evropën këtë dimër. Ai e ka pakësuar furnizimin nga gazsjellës të rëndësishëm si “Rrjedha Veriore 1” për deri 80 për qind. Çmimet botërore të derivateve janë fryrë dhe qarkullimi i grurit dhe ushqimeve të tjera nga Evropa Lindore drejt Afrikës e Azisë pothuajse është pezulluar.

Faturat shtëpiake të gazit në Britani ballafaqohen me trefishim brenda një viti. Përfituesja kryesore nuk është askush tjetër pos Rusisë, eksporti i energjisë i së cilës në Azi është rritur shumë, duke e çuar baraspeshën e pagesave në bilanc të pashembullt pozitiv. Rubla është njëra nga valutat më të fuqishme në botë këtë vit, duke u përforcuar nga janari për gati 50 për qind. Asetet e jashtme të Moskës janë ngrirë dhe oligarkët e saj ua kanë ndërruar vendet jahteve të tyre, por nuk ka shenja se Putini po mërzitet. Ai nuk ka elektorat që do ta brengoste.

Pavarësia e ekonomive të botës, e parë për një kohë aq të gjatë si instrument i paqes, është bërë armë lufte. Politikanët përreth tavolinës së NATO-s kanë qenë të kujdesshëm me zgjuarsi për eskalimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën. Ata e kuptojnë përmbajtjen ushtarake. Prapëseprapë, ata duken tërësisht pa përvojë në ekonomi. Këtu, të gjithë e imitojnë Dr. Strangelove-n. Ata duan që ta bombardojnë ekonominë e Rusisë për ta kthyer në epokën e gurit.

Do të isha shumë i interesuar të di nëse i është dorëzuar ndonjëherë ndonjë letër kabitetit të Boris Johnsonit me parashikim të rezultatit të mundshëm për Britaninë nga sanksionet ruse. Supozimi duket se është që nëse embargot tregtare dëmtojnë, ato po funksionojnë. Pasi ato nuk vrasin njerëz drejtpërdrejt, ato janë disi formë e pranueshme e agresionit. Ato janë të bazuara në një supozim neo-perandorak që shtetet perëndimore janë të thirrura që ta urdhërojnë botën siç dëshirojnë. Ato zbatohen, nëse jo përmes luftanijeve, atëherë përmes muskulit kapitalist në ekonominë e globalizuar. Pasi ato u vendosen kryesisht shteteve të vogla e të dobëta, që shpejt largohen nga kryetitujt, qëllimi i tyre ka qenë kryesisht simbolikë që të bën të ndihesh mirë.

Një student i rrallë i kësaj lënde është historiani amerikan i ekonomisë, Nicholas Mulder, i cili thekson se mbi 30 “luftëra” sanksionesh në 50 vitet e fundit kanë pasur ndikim minimal, nëse jo kundërproduktiv. Qëllimi i tyre është që “t’i frikësojnë popujt për t’i kufizuar pushtetarët e tyre”. Ato e kanë pasur efektin e kundërt. Nga Kuba në Kore, Mianmar e Iran, nga Venezuela në Rusi, regjimet autokratike janë ngulitur, elitat janë fuqizuar, ndërsa liritë janë shtypur. Duket se sanksionet rrënjosin stabilitet dhe vetëbesim edhe ndaj viktimës më të dobët. Pothuajse të gjitha diktaturat më të vjetra të botës kanë përfituar nga sanksionet perëndimore.

Moska nuk është as e vogël, as e dobët. Një vëzhgues tjetër, eksperti për Rusinë në Institutin e Bashkuar Mbretëror të Shërbimeve, Richard Connolly, e ka skicuar përgjigjen e Putinit ndaj sanksioneve të vendosura ndaj tij që nga aneksimi i Krimesë dhe Donbasit më 2014. Qëllimi i i tyre ishte që ta ndryshonin drejtimin e Rusisë në ato rajone dhe ta parandalonin agresionin e mëtejmë. Dështimi i tyre zor se do të mund të ishte më verbues. Apologjetët e arsyetojnë këtë me argumentin se embargot janë shumë të dobëta. Këto të tanishmet, ndoshta më të ashprat që i janë vendosur ndonjëherë një fuqie të madhe botërore, mund të mos jenë duke funksionuar ende, por qartazi do të funksionojnë me kohë. Thuhet se ato po e lënë Rusinë ma mikroçipa dhe pjesë për dronë. Ato do ta detyrojnë së shpejti Putinin që të përgjërohet për paqe.

Nëse Putini përgjërohet, kjo do të jetë në fushëbetejë. Në shtëpi, Connolly ilustron se si Rusia “po u përshtatet ngadalë rrethanave të saj të reja”. Sanksionet e kanë promovuar tregtinë me Kinën, Iranin e Indinë. Ato kanë sjellë përfitime për “njerëzit e brendshëm, të lidhur me Putinin dhe rrethin e pushtetit, duke bërë fitim të madh nga zëvendësimi i importit”. Vendndodhjet e restoranteve “McDonald’s” në mbarë vendin janë zëvendësuar me zinxhirin në pronësi të Rusisë, të quajtur “Vkusno & tochka” (“E shijshme dhe kaq”). Natyrisht se ekonomia është më e dobët, por Putini është më i fuqishëm përderisa sanksionet po bashkojnë një fushë të re të interesit ekonomik në Azi, duke e përqafuar rolin gjithnjë më të theksuar për Kinën. A ishte parashikuar kjo?

Ndërkohë, Perëndimi dhe populli i tij janë zhytur në recesion. Udhëheqësia është dridhur dhe pasiguria është përhapur në Britani, Francë, Itali e Shtete të Bashkuara. Gjermania e Hungaria, të mbetura pa gaz, janë pranë vallëzimit sipas melodisë së Putinit. Kostot e jetesës po eskalojnë kudo. Prapëseprapë, askush nuk guxon që t’i vë në pikëpyetje sanksionet. Është përdhosje që të pranohet dështimi i tyre ose të planifikohet tërheqja. Perëndimi është joshur në ironinë e përjetshme të agresionit. Në fund, viktima më e spikatur e tij është agresori. Ndoshta, pas të gjithave, duhet ta vazhdojmë luftën.

Autori i këtij shkrimi është kolumnist i gazetës britanike, “The Guardian”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme