Momenti kyç: Kur do të votohet në ShBA për pakon miliardëshe për Ukrainën? - NACIONALE

Momenti kyç: Kur do të votohet në ShBA për pakon miliardëshe për Ukrainën?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së pritet që të votojë rreth projektligjit të shumëpritur të ndihmave për Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin të shtunën, tha të mërkurën kryetari i këtij institucioni, Mike Johnson, duke ia hapur rrugën miratimit të legjislacionit të rëndësishëm, pavarësisht nga ankesat e ashpra nga disa djathtistë.

Komisioni i Ndarjeve Buxhetore i Dhomës së Përfaqësuesve e paraqiti legjislacionin me të cilin do të ndaheshin mbi 95 miliardë dollarë asistencë sigurie, përfshirë 60,84 miliardë dollarë për Ukrainën, nga të cilat 23,2 miliardë dollarë do të përdoreshin për t’i rimbushur rezervat amerikane të armëve dhe objekteve, raporton agjencia “Reuters”.

Në shumën për Izraelin përfshihen 26,38 miliardë dollarë dhe një pjesë e kësaj shifre do ta mbulojë koston e operacioneve ushtarake të ShBA-së që kanë qenë kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit. 9,1 miliardë dollarë parashikohen për nevoja humanitare dhe kjo ka qenë kërkesë e demokratëve, edhe pse ndalohet financimi i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.

Kryetari Johnson tha se do t’u japë anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve 72 orë kohë – deri të shtunën në mesditë – për ta rishikuar projektligjin dhe për të propozuar amendamente para votimit përfundimtar.

Ai gjithashtu tha se do të paraqesë një projektligj të veçantë për sigurinë kufitare të ShBA-së, duke përmbushur një kërkesë të konservatorëve.

Në projektligjin për Indo-Paqësorin parashihen gjithsej 8,12 miliardë dollarë.

Presidenti Joe Biden i ka bërë thirrje Kongresit që ta miratojë shpejt projektligjin. “Unë do ta nënshkruaj atë menjëherë për t’i dërguar një porosi botës: Ne qëndrojmë me miqtë tanë dhe nuk do t’i lejojmë Iranin ose Rusinë që të kenë sukses” – tha Bideni në një deklaratë.

Në projektligjin për Ukrainën përfshihet një dispozitë që asistenca ekonomike për Kievin – jo ajo ushtarake – duhet të rikthehet, që ishte kërkesë e konservatorëve. Megjithatë, administrata e Bidenit mund të heqë dorë nga kjo kërkesë.

Të mërkurën vonë, udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve paraqitën edhe një projektligj të katërt si pjesë e pakos. Në të përfshihen disa dispozita që nuk janë pjesë e projektligjit të Senatit, përfshirë dispozitat për ta lejuar dërgimin e aseteve të ngrira ruse në Ukrainë dhe sanksione kundër Hamasit dhe Iranit.

Përkrahja nga demokratët

Përkrahja e demokratëve për planin e Johnsonit do të jetë thelbësore, duke i marrë parasysh shumicën e ngushtë të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve nga republikanët e së djathtës ekstreme.

Plani mori përkrahje të rëndësishme nga kongresistja Rosa DeLauro, demokratja më e lartë në Komisionin e Ndarjeve Buxhetore. “Ne më në fund kemi një rrugë përpara për t’u ofruar mbështetje aleatëve tanë dhe ndihmën humanitare dëshpërimisht të nevojshme” – tha ajo.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, tha se partia e tij do t’i diskutojë projektligjet dhe do të marrë vendim.

Edhe udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha se ai do ta rishikojë legjislacionin para se të vendosë se si do të përgjigjet.

Të paktën dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërcënuar se do të përpiqen që ta shkarkojnë kryetarin Johnson, nëse ai e çon përpara planin e vet për t’i hedhur në votim këto projektligje.

Ndihma për Ukrainën kundërshtohet fuqishëm nga shumë prej shumicës së ligjvënësve konservatorë, sidomos nga ata që kanë lidhje me ish-presidentin Donald Trump, i cili ka qenë skeptik rreth ofrimit të ndihmave për Kievin dhe shpreson që të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në nëntor.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme