Ministrat e vendeve të Grupit G7 kërkojnë përkrahje urgjente ajrore për Ukrainën - NACIONALE

Ministrat e vendeve të Grupit G7 kërkojnë përkrahje urgjente ajrore për Ukrainën

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ministrat e jashtëm të vendeve të Grupit G7 paralajmëruan të enjten se Ukraina rrezikon që të mposhtet nga Rusia, nëse nuk i jepet më shumë mbrojtje ajrore, ndërsa Kievi bëri thirrje për ndryshim të strategjisë perëndimore ndaj luftës.

Më shumë se dy vjet pas fillimit të pushtimit rus, Ukraina është duke u ballafaquar me mungesë municioni, ndërsa fondet jetike të ShBA-së janë bllokuar nga republikanët në Kongres. BE-ja ka dështuar që të ofrojë municion të mjaftueshëm me kohë, raporton agjencia “Reuters”.

Ministrat e Grupit G7 e nisën ditën e dytë të bisedimeve në ishullin Italian, Capri, duke diskutuar për krizën në Lindje të Mesme dhe do ta kthejnë vëmendjen nga Ukraina pasdite, kur atyre do t’u bashkohen edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Kryediplomati ukrainas tha se Perëndimi ka qëndrim më ndryshe ndaj Izraelit në krahasim me qëndrimin ndaj Ukrainës, duke vënë në pah se kur Irani nisi sulme me raketa e dronë drejt Izraelit të shtunën, forcat amerikane, britanike dhe franceze ndihmuan për t’i rrëzuar ato armë.

“Strategjia e partnerëve tanë në Izrael duket se është në parandalimin e dëmve dhe vdekjeve... Muajve të fundit, strategjia e partnerëve tanë në Ukrainë duket se është në ndihmën për t’u rimëkëmbur nga dëmet” – tha ai para bisedimeve në Itali.

“Prandaj, detyra jonë sot është që të gjejmë një mënyrë ku partnerët tanë do të hartojnë një mekanizëm, një rrugë që do të na lejojë ne që gjithashtu t’i shmangim vdekjet dhe shkatërrimin në Ukrainë” – shtoi Kuleba.

Lajme të ngjashme