A e rrëzoi Putini qeverinë e Draghit? Zbulohen lidhjet ruse me të djathtën italiane
Kundërshtarët e së djathtës po kërkojnë të dinë nëse Vladimir Putin rrëzoi qeverinë e Mario Draghit.
Pas rënies së koalicionit të Mario Draghit, gjë që solli trazira të reja në Itali, një pyetje shqetësuese është duke qëndruar në ajër: A ishte i përfshirë Kremlini?
Ndërsa në vend është duke nisur fushata zgjedhore, dy incidente që tregojnë kontakte midis krerëve të partivë të krahut të djathtë dhe diplomatët rusë kanë nxitur debate të reja në Romë.
Nga kjo lidhje e zbuluar kërcënohet fillimisht pozita e Giorgia Melonit , liderja e partisë popullore të ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë, e cila është në garë për t’u bërë kryeministre e Italisë pas zgjedhjeve të 25 shtatorit.
Por, në rrezik edhe më të madh është reputacioni ndërkombëtar i Italisë dhe çështja nëse Roma do të mbetet një pjesë solide dhe e besueshme e aleancës perëndimore kundër agresionit të Vladimir Putinit në Ukrainë.
Në incidentin e parë, në muajin maj, sipas gazetës La Stampa, një zyrtar i ambasadës ruse ka pyetur një këshilltar për punët e jashtme të Matteo Salvinit – aleat i Melonit në partinë e ekstremit të djathtë Liga – nëse ai synonte të tërhiqte ministrat e tij nga koalicioni i Draghit.
Ndërsa, incidenti i dytë përqendrohet te Silvio Berlusconi, ish-kryeministri i Italisë dhe një aleat i vjetër i Putinit. Ku, sipas raporteve të La Repubblica, ai ka folur me ambasadorin rus ditën kur ka tërhequr mbështetjen për qeverinë Draghi.
Edhe pse, Salvini e ka hedhur poshtë raportin dhe Berlusconi ende nuk ka komentuar, kundërshtarët e së djathtës kanë nisur të bëjnë bujë mbi incidentet.
Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë dhe ish-kryeministri Matteo Renzi kanë kërkuar një hetim nga komisioni parlamentar i inteligjencës.
"Fushata zgjedhore po fillon në mënyrën më të keqe të mundshme," është shprehur Letta. “Ne duam të dimë nëse ishte Putin ai që rrëzoi qeverinë e Draghit. Nëse do të ishte kështu, do të ishte shumë e rëndë.”
Ndërkohë, zëdhënësja e Punëve të Jashtme për demokratët, Lia Quartapelle, tha për POLITICO se raportet ishin skandaloze, dhe do të ulnin shanset e Melonit për t’u bërë kryeministre.
“Aleatët do të shikojnë me shqetësim të madh, mendoj. Nëse ndonjë qeveri do të fliste kështu edhe me ambasadën amerikane në këtë mënyrë, do të ishte problem, dhe ne po flasim për ambasadën ruse”, tha ajo, duke shtuar se këto raporte të dala ishin të dëmshme për të gjithë të djathtën.
Raportet e gazetave kanë përforcuar përshtypjen se të djathtët e Italisë janë shumë të afërt me Putinin.
Si Salvini ashtu edhe Berlusconi kanë marrëdhënie të vendosura mirë me rusët. Gjatë viteve Salvini ka shprehur shpesh admirimin e tij për Putinin, duke thënë se ai mund të ishte kryeministër i Italisë dhe në një rast në Parlamentin Evropian ai kishte veshur një bluzë me fytyrën e Putinit. Poashtu Salvini, kohët e fundit ishte shprehur kundër dërgimit të më shumë armëve në Ukrainë.
E sa për Berlusconin, ai thuhet se ishte kritik ndaj pozicionit të Draghit për Ukrainën pas telefonatës me ambasadorin rus, i cili pretendoi se pushtimi ishte i nevojshëm sepse rreziku ishte që Ukraina të sulmonte Rusinë.

Kujtojmë se, edhe në kohën e tij si kryeministër, Berlusconi kishte krijuar një marrëdhënie personale si dhe një miqësi politike me Putinin bazuar në interesat e përbashkëta ekonomike. E kritikat e tij ndaj Putinit që nga pushtimi kanë qenë të heshtura, duke thënë vetëm se ai ishte i zhgënjyer nga udhëheqësi rus.
Megjithatë, pozicioni i tyre mbi Ukrainën mund të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të votuesve që janë kundër dërgimit të armëve në Kiev dhe që i konsiderojnë Rusinë dhe Ukrainën njësoj fajtore.


