Kush është Giorgia Meloni, djathtistja ekstreme e neo-fashistja që pritet të bëhet kryeministre e Italisë - NACIONALE

Kush është Giorgia Meloni, djathtistja ekstreme e neo-fashistja që pritet të bëhet kryeministre e Italisë

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Koalicioni qeverisës në Itali tha të mërkurën se partia me më së shumti vota do ta zgjedhë kryeministrin e ri, nëse blloku i fiton zgjedhjet e ardhshme, duke e vënë kandidaten e së djathtës ekstreme, Giorgia Meloni, në pozitë favorite për t’u bërë shefe e qeverisë italiane.

Qeveria e ish-kryeministrit Mario Draghi ra javën e kaluar, duke ua hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme të 25 shtatorit. Sipas anketave, aleanca e së djathtës është në pozicion të mirë që t’i fitojë zgjedhjet, shkruan agjencia "Reuters".

Zgjedhja e një të nominuari për kryeministër ka nxitur tensione brenda koalicionit qeveritar, ku përfshihen “Lidhja” e Matteo Salvini-t, “Forza Italia” e Silvio Berlusconi-it dhe “Vëllezërit e Italisë” e Melonit, tash për tash partia më e popullarizuar në koalicion.

Gazetat italiane kanë raportuar se Berlusconi është i shqetësuar se mundësia që Meloni të vijë në krye të qeverisë mund t’i largojë votuesit e moderuar, duke i marrë parasysh rrënjët post-fashiste të partisë së saj.

“Koalicioni do t’ia propozojë Presidentit të Republikës për kryeministër personin e sugjeruar nga partia që fiton më së shumti vota”, thanë përmes një deklarate partitë e qendrës së djathtë pas një takimi të udhëheqësve të tyre.

Në zgjedhjet e vitit 2018, grupi i Meloni-t kishte fituar vetëm 4 për qind të votave, por tash pritet të fitojë mbi 23 për qind, duke u bërë partia më e madhe në Itali para grupit kryesor të qendrës së majtë, Partisë Demokratike.

Në rast të fitores, Meloni do të mund të propozonte ndonjë politikan tjetër të kampit të saj, nëse dëshiron.

“Sot, Berlusconi dhe Salvini kanë zgjedhur që t’i dorëzohen përfundimisht Meloni-t”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Enrico Letta, pas njoftimit të aleancës djathtiste.

Kush është Giorgia Meloni?

E lindur më 1977, Giorgia Meloni ishte anëtarësuar në grupin e të rinjve të Lëvizjes Sociale Italiane, lëvizje neo-fashiste, kur ishte vetëm 15-vjeçare. Më vonë, ajo e udhëhoqi grupin e studentëve të së djathtës ekstreme, “Aleanca Kombëtare”. Më 2006, ajo ishte zgjedhur në Dhomën e Delegatëve të Parlamentit të Italisë dhe ishte bërë ministrja më e re e Italisë dy vjet më vonë.

Para dhjetë vjetëve, Meloni e themeloi partinë “Vëllezërit e Italisë”, që e ka udhëhequr nga viti 2014. Më 2020, ajo e mori edhe udhëheqësinë e partisë Konservatorët dhe Reformistët Evropianë, ku përfshihet edhe partia në pushtet në Poloni, PiS, shkruan "Deutsche Welle".

Meloni thotë se ka raport të pathyer me historinë. Në intervista, ajo ka thënë se Benito Mussolini, diktatori famëkeq italian, “ishte personalitet kompleks”. Edhe sot, shumë italianë mendojnë se jo gjithçka ka qenë keq gjatë pushtetit të Mussolini-t.

Ajo nuk e distancon qartazi veten nga fashizmi. Në autobiografinë e vet, ajo thotë se është e vetëdijshme që është duke lëvizur në një fushë të minuar politike. “Ne jemi fëmijë të historisë sonë, të historisë sonë të tërësishme. Si në rastet e të gjitha kombeve të tjera, rruga në të cilën ne kemi ecur është komplekse, shumë më e ndërlikuar sesa që shumë njerëz duan ta bëjnë të ditur”, ka thënë Meloni.

Megjithatë, ajo e refuzon kultin e liderit, të zakonshëm për fashizmin. Por, kur Giorgia Meloni mban konferenca për gazetarë në selinë qendrore të partisë, një simbol fashist gjithmonë shihet qartazi – logoja e “Vëllezërve të Italisë”.

Në këtë simbol shihet një flakë me ngjyrat e flamurit të Italisë, flakë e përhershme që qëndron e ndezur vazhdimisht në mënyrë simbolike te varri i Mussolini-t. “Nuk kam asgjë për të kërkuar falje në jetën time. Por në dy nga tri debate televizive, më duhet të flas për historinë e jo për politikën e tanishme. Nuk mendoj se kjo është në rregull”, tha thënë Meloni.

Ajo planifikon që të futet në fushatë me sloganin populist, “Italia dhe populli italian të parët”. Meloni ka bërë thirrje për më shumë përfitime për familjet, më pak burokraci evropiane, taksa më të ulëta dhe ndërprerje të imigracionit.

Meloni dëshiron që t’i rinegociojë traktatet me BE-në dhe anëtarësinë e Italisë në komunitetin e vendeve që e përdorin valutën euro. Partia e saj i kundërshton abortin dhe martesën mes personave të gjinisë së njëjtë.

Meloni nuk është mërzitur për kritikat nga majtistët. Sipas saj, kundërshtarët janë të dëshpëruar për shkak se ajo është shumë e suksesshme. Ajo thotë se krahasimi që ia bëjnë me Mussolini-n, Hitler-in ose Putin-in është qesharak.

Sidoqoftë, sipas kolumnistit dhe gazetarit të prestigjiozes “Washington Post”, Ishaan Tharoor, Italia është në rrugë për t’u udhëhequr nga neo-fashistët.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme