Katër palestinezë e dy izraelitë vriten nga të shtënat në Bregun Perëndimor
Të paktën katër palestinezë dhe dy izraelitë janë vrarë nga të shtënat në Bregun e pushtuar Perëndimor – incidenti më vdekjeprurës atje në disa muaj.
Ka përshkrime të ndryshme të rrjedhës së ngjarjeve në fshatin verior Tal. Palestinezët i thanë BBC-së se banorët u ballafaquan me kolonët hebrenj që i sulmuan ata. Një dëshmitar tha se më pas erdhën ushtarët dhe filluan të qëllonin me armë.
Ushtria izraelite tha se u ishte përgjigjur raportimeve se disa bjeshkatarë ishin sulmuar dhe se “terroristët ia vodhën armën” një roje dhe e vranë.
Më vonë, ushtria tha se ishte vrarë edhe një ushtar, por nuk dha hollësi. Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk shpjeguan se kush i vrau palestinezët e tjerë.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit thonë se janë duke u përgatitur për një operacion të madh në zonë dhe i kanë anuluar pushimet e ushtarëve.
Që nga fillimi i luftës në Gaza është shënuar rritje e numrit të sulmeve nga kolonët ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre në Bregun Perëndimor.
Ahmed Zeidan, dëshmitar, i tha BBC-së se incidenti filloi herët në mëngjes, kur banorët e fshatit Tal nxituan për t’u konfrontuar me rreth 30 kolonë që po i sulmonin shtëpitë palestineze. Ai tha se ndodhën përleshje në praninë e ushtarëve izraelitë.
Një udhëheqës lokal i partisë Fatah, Essam Saifi, i tha agjencisë “Reuters” se kolonët hapën zjarr para se të arrinin forcat izraelite, të cilat gjithashtu filluan të shkrepnin me armë.
Ai tha se dy vëllezër dhe dy kushërinj të tyre ishin në mesin e të vrarëve. Zyrtarët palestinezë thanë se disa palestinezë të tjerë janë plagosur.
Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se palestinezët e filluan sulmin dhe se ushtarët kishin shkuar në Tal pas një raportimi për një sulm ndaj civilëve izraelitë, të cilët po bënin ngjitje në natyrë në atë zonë./Nacionale