Pamje dramatike: Palestinezi ia rrëmben armën ushtarit izraelit, e vret atë dhe një major
Një major dhe një rreshter izraelit u vranë nga të shtënat të premten në mëngjes në fshatin palestinez të Bregut Perëndimor, Tal, pasi një grup izraelitësh kishin hyrë në zonë pa u koordinuar me ushtrinë.
Të vrarët nga pala izraelite u identifikuan si Major Yuval Ezra, 27 vjeç, komandant baterie në Batalionin 411 të Regjimentit 282, dhe Rreshter Benayahu Mellet, 32 vjeç, komandant në Batalionin 8119 të Brigadës së Jerusalemit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në kohën e vdekjes, rreshteri ishte duke shërbyer në forcat rezervë si ushtar për mbrojtje rajonale. Ai ishte anëtar i skuadrës për mbrojtje civile.
Essam Saifi, udhëheqës lokal në partinë Fatah, i tha agjencisë “Reuters” se rreth 25 deri në 30 kolonë fillimisht e sulmuan zonën lindore të fshatit Tal dhe u munduan të hynin në dy shtëpi atje. Banorët dolën për t’u ballafaquar me ta dhe kolonët hapën zjarr, tha ai.
Gjysmë ore më vonë, sipas Saifit, izraelitët u kthyen dhe e sulmuan pjesën perëndimore të fshatit, duke goditur një të mitur me armë.
Rreth asaj kohe, ekipi izraelit i mbrojtjes civile nga vendbanimi fqinj, Havat Gilad, u dislokua në vendin e ngjarjes bashkë me disa ushtarë të artilerisë që ishin të stacionuar afër, tha ushtria izraelite.
Me të arritur, në një video të incizuar nga njëri prej kolonëve shihej një izraelit i armatosur duke e shkrepur arëmn në ajër mes thirrjeve për “hakmarrje” nga izraelitët e rinj që po shikonin.
Dy palestinezë më pas shihen duke u konfrontuar me njërin nga izraelitët e armatosur, Benayahu Mellet. I pashqetësuar nga drejtimi i armës së Melletit drejt tij, njëri nga palestinezët arrin që t’ia rrëmbejë pushkën dhe shpejt hap zjarr. Më pas dëgjohen të shtëna.
Palestinezi arriti që t’i qëllonte Melletin dhe Majorin Ezra. Të dy u shpallën më vonë të vdekur.
Një komandant toge i ushtrisë izraelite, i cili arriti më vonë në vendin e ngjarjes me Ezran, e qëlloi për vdekje palestinezin që ia mori armën Melletit gjatë përleshjes, tha ushtria izraelite.
Tre palestinezë të tjerë u vranë gjatë të shtënave. Ata nuk u identifikuan menjëherë. Dy izraelitë dhe katër palestinezë u plagosën. Prej tyre, në gjendje kritike janë një izraelit dhe tre palestinezë./Nacionale
Videoja e mëposhtme nuk rekomandohet për persona të ndjeshëm!
תיעוד מטורף מחטיפת הנשק והירי בפיגוע היום בכפר תל בשומרון pic.twitter.com/VbgkhFelVw
— Haim Goldich | חיים גולדיטש (@HGoldich) July 24, 2026